Porti detar i Sarandës pret përfaqësuesit e konferencë rajonale të vendeve adriatiko-joniane

607
Sigal

KORFUZ-SARANDË/ Në kuadër të bashkëpunimit rajonal të vendeve që lagen nga ujërat detare të Jonit dhe Adriatikut, ditën e shtunë në ishullin grek të Korfuzit, vendet e cilësuara të tilla nga pozicioni gjeografik, janë mbledhur në një konference të përbashkët, por vetëm me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të porteve detare më të rëndësishëm të këtyre vendeve. Nga Shqipëria ishte ftuar përfaqësia e portit detar të Sarandës që për arsye dhe motive të pa deklaruara dhe të pa konfirmuara, nuk ka marrë pjesë në konferencën më të rëndësishme të bashkëpunimit portual të vendeve rajonale të ujërave joniane dhe adriatike. Por organizatorët e konferencës nuk e kanë anashkaluar me indiferentizëm mospjesëmarrjen e përfaqësuesve shqiptarë të portit detar të Sarandës. Ata, për ta quajtur të plotë zhvillimin e punimeve të konferencës së Korfuzit, me një pjesëmarrje të plotë të vendeve përfaqësuese të ftuara dhe për t’i njohur me materialet e punimeve dhe objektivat e konferencës, ditën e diel kanë ardhur vet në qytetin e Sarandës për t’u takuar me autoritetet portuale të këtij qyteti. Përfaqësuesit e vendeve pjesëmarrëse të konferencës së Korfuzit nga portet detare të Greqisë, Italisë, Kroacisë, Malit të Zi kanë zbritur në Portin e Sarandës me tragetin e linjës së udhëtarëve dhe janë takuar me autoritetet e portit detar të Sarandës të përfaqësuar nga zv/drejtori i portit, z.Muharem Merko. Pasi janë njohur me punimet e konferencës, ku thelbi i sajë ka qenë bashkëpunimi dhe zhvillimi i mëtejshëm në fushën e turizmit, përfaqësuesit e portit të Sarandës, njëkohësisht edhe të Shqipërisë në këtë konferencë, nëpërmjet zv/drejtorit Merko, u kanë bërë një ekspoze të infrastrukturës, zhvillimeve dhe pritshmërive të këtij porti. Merko nënvizoi faktin që, sot pas rikonstruksionit, ku thellësia e pikës ankoruese arin në 9 metra dhe mundëson ankorimin e kroazierve dhe kroçerve, ka mundësuar shtimin e fluksit të numrit të turistëve, ku vetëm për periudhën e deritanishme numërohen mbi 60 mijë vizitorë dhe turistë të përpunuar nga terminal i këtij porti si vizitorë në hyrje. Pritshmëritë në vitin 2014 janë akoma më të mëdha, duke pasur parasysh cilësinë e lartë të shërbimit dhe kushtet bashkëkohore në infrastrukturë. Nga ana e tyre përfaqësuesit e vendeve rajonale të konferencës së Korfuzit, nëpërmjet drejtorit të portit më të madh jo vetëm në Greqi, por edhe në Ballkan, Pireut, kanë dhënë vlerësimet pozitive për këtë port të vogël, por të bukur me parametra bashkëkohore dhe Shqipëria ka shanse dhe kushte të jetë jo vetëm promotore , por edhe përfituese e këtij bashkëpunimi rajonal në fushën e turizmit, si një interes i përbashkët. Më pas janë kryer vizita në pikat e shumta arkeologjike, turistike, monumentale, natyrore, historike, aq të shumta në rajonin e Sarandës si resurse të fuqishme të turizmit në Shqipëri dhe rajon. Pasdite ata janë larguar përsëri drejt ishullit grek të Korfuzit.