Policia greke ka shkatërruar një organizatë të trafikut të drogës Shqipëri- Greqi, në pranga 59 persona

606

Sigal

Në një nga operacionet më të mëdha të zhvilluara në Greqi ditët e fundit të koduar “Himera”, policia greke ka shkatërruar një organizatë të trafikut të drogës Shqipëri- Greqi.

Për rrjedhojë, në pranga kanë rënë 59 persona, ku 38 prej tyre u është komunikuar arresti në burg, ndërsa 46 janë shpallur në kërkim, duke plotësuar kështu totalin prej 146 anëtarësh të organizatës kriminale.

Për rrjedhojë, në pranga kanë rënë 59 persona, ku 38 prej tyre u është komunikuar arresti në burg, ndërsa 46 janë shpallur në kërkim, duke plotësuar kështu totalin prej 146 anëtarësh të organizatës kriminale.

Në krye të saj qëndron një shqiptar, të cilit i dihet vetëm pseudonimi “Genti” dhe se aktualisht, sipas policisë greke, banon në Shqipëri.

Gjatë 45 kontrolleve në mjedise të grupit, policia greke ka sekuestruar 433 kg 400 gramë marijuanë, 6 kg hashash i kultivuar në mjedis të mbyllur, 30 mijë euro, 10 makina, 1 furgon dhe 2 motorë, ndërkohë që nga hetimet rezulton se grupi ka trafikuar dhe shpërndarë 1 ton 235 kg marijuanë, 1 kg 600 gramë kokainë, 500 gramë heroinë, 500 gramë MDMA dhe 8 kg hashash të kultivuar në mjedis të mbyllur, duke arritur të qarkullojë kështu një shumë që policia greke e llogarit në mbi 19 milionë euro.

Sipas burimeve policore greke, sasia më e madhe e drogës vinte nga Shqipëria, ndërkohë që një pjesë kultivohej në Greqi, kryesisht në mjedise të mbyllura. Pakot e drogës që dërgoheshin nga Shqipëria në secilën prej tyre kishte mbi të edhe një kartë bixhozi për të treguar autorësinë.

Mësohet se 1 kg marijuanë në Greqi shitej nga 1200-2300 euro.

SKEMA E BANDES 

Sipas policisë greke, grupi funksiononte në këtë mënyrë: Në nivelin e parë qëndronte “Genti”. Poshtë tij ishin 4 shtetas shqiptarë, më pas 3 shqiptarë e 4 grekë, në nivelin e katërt 3 grekë merreshin me trafikun në kufirin greko-shqiptar, ndërsa në nivelin e pestë ishin 17 shqiptarë, 1 grek, 1 bullgar e 1 rumun, që kryenin magazinimin e drogës.

Në nivelin e gjashtë, 6 shqiptarë, 3 grekë dhe 1 bullgar, shpërndanin drogën kundrejt shitësve të vegjël dhe në nivelin e fundit ishin gjithë tregtarët e sasive të vogla të drogës në qendër të Athinës, kryesisht shtetas afrikanë.

Mendohet se grupi kontrollonte rreth 35% të tregut të narkotikëve në Athinë, duke bërë që goditja e tij të ulë ndjeshëm shitjen e drogës në këtë zonë.

Policisë greke iu desh rreth 8 muaj të hetonte grupin. Gjashtë oficerë grekë, pjesë e operacionit, kryen filmime gjatë veprimtarisë së të dyshuarve.

Vrasja e Dervishit 

Mësohet se hetimet policore kanë zbuluar një lidhje të mundshme të grupit me vrasjen e 32-vjeçarit shqiptar Rigert Dervishi, në Keratsini të Athinës, më 13 nëntor të këtij viti.

Sipas Policisë, Dervishi ishte drejtues i mjetit, por është vrarë gabimisht, pasi objekt i atentatit ishte një 36-vjeçar shqiptar, pasagjer në mjet, të cilin banda kishte tentuar ta vriste me bombë me telekomandë, më 14 shtator 2016, për një borxh.

Dervishi, i cili punonte në ndërtim, prind i 3 fëmijëve, njihej si familjar i rregullt, ndërkohë që pasagjeri 36- vjeçar ishte me precedentë në fushën e trafikut të drogës.

Ai u përpoq ta mashtronte policinë, duke thënë se para vrasjes Rigerti kishte pasur një zënkë, ndërkohë që nuk rezultoi e vërtetë.

Gjatë atentatit të parë me bombë me telekomandë, 36-vjeçari kish ngelur i plagosur bashkë me gruan dhe vajzën 5- vjeçare, që ndodheshin në makinë me të.