Policia e Shtetit dhe Sindikata e Policisë firmosin marrëveshjen për kontratën e punës

751
Sigal

Të gjithë punonjësit që aktualisht kanë një vend në Policinë e Shtetit dhe që plotësojnë kriteret ligjore, ruajnë statusin e të punësuarit si nënpunës civil. Ja pikat kryesore nga punësimi, pranimi në punë, arsimimi, sigurimet shoqërore, shpërblimet, transferimet, largimet, rikthimi në polici, lejet e lindjes për nënat e reja, etj…

Ja pikat kryesore nga punësimi, pranimi në punë, arsimimi, sigurimet shoqërore, e drejta për specializim dhe kualifikim

Është finalizuar Kontrata Kolektive të Punës mes Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit  dhe Sindikatës së Punonjësve të Policisë së Shtetit. Hartimi i Kontratës Kolektive të Punës bazohet në vazhdimësinë e Kontratës Kolektive të Punës, ekzistuese me nr. 1966, datë, 03.04.2009, duke bërë rregullimet e nevojshme në përshtatje e përputhje me ndryshimet e legjislacionit të marrëdhënieve të punës dhe të ligjit nr. 108/2014 “Për Policinë e Shtetit’, i ndryshuar, si dhe të akteve të tjera ligjore në zbatim të tij. Kjo Kontratë Kolektive e Punës, përmban dispozita mbi kushtet e punësimit, lidhjen, përmbajtjen, hartimin dhe përfundimin e kontratave individuale të punës, formimin profesional, si dhe marrëdhëniet midis palëve kontraktuese. Kontrata kolektive vendos punëdhënësin dhe punëmarrësin në raporte të detyrueshme të krijuara nga marrëdhëniet e palëve në marrëveshje kolektive si persona juridik.

Fusha e zbatimit të Kontratës Kolektive

3.1. Zbatimi i kësaj Kontrate Kolektive të Punës sipas pikës 2 të nenit 83 të ligjit nr. 108/2014 ‘Për Policinë e Shtetit’, i ndryshuar, përfshin të gjithë punonjësit e policisë  në detyrë, të cilët kanë të drejtë të jenë anëtar Sindikate, me përjashtim të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.

3.2. Dispozitat e Kontratës Kolektive sipas ligjit janë të detyrueshme për zbatim në të gjitha nivelet dhe strukturat e Policisë së Shtetit.

3.3. Pala punëmarrëse në nivelet, Departament, Drejtori Qëndrore, Strukturat e Veçanta, Drejtori vendore dhe Reparte Speciale etj, të Policisë së Shtetit, mbështetur në kushtet dhe veçoritë e tyre specifike të punës, mund të kërkojnë shtesë të Kontratës Kolektive, në përputhje me legjislacionin në fuqi, si pjesë e saj. Kërkesat për shtesat dhe ndryshimet në Kontratën Kolektive  bëhen para nënshkrimit të saj.

 

Punësimi, pranimi në punë, arsimimi, e drejta për specializim dhe kualifikim

5.1. Të gjithë punonjësit që aktualisht kanë një vend pune në Policinë e Shtetit dhe që plotësojnë kriteret e përcaktuara me ligj, ruajnë statusin e të punësuarit, si nëpunës civil ose me kontratë për një kohëzgjatje të pacaktuar. Këtë të drejtë e gëzon çdo i punësuar  në Policinë e Shtetit, përsa i përket mbrojtjes ligjore të marrëdhënieve të punës të çdo individi para punëdhënësit, komisioneve disiplinore, të arbitrazhit apo në gjykatë. Sindikata nënshkruese e kësaj Kontrate Kolektive angazhohet dhe mbron vetëm anëtarët e saj që pranojnë anëtarësinë me firmosjen e Deklaratës Personale, bazuar në Kodin e Punës e Statutin e saj.

5.2. Pranimi në punë bëhet sipas ligjit nr. 108/2014, ‘Për Policinë e Shtetit’, i ndryshuar, VKM nr. 750 dt. 16.09.2015, ‘Për miratimin e rregullores së Policisë së Shtetit’ i ndryshuar, ligjit ‘Për Nëpunësin Civil”, “Kodin e Punës së Republikës së Shqipërisë” i ndryshuar, si dhe aktet e tjera ligjore dhe nënligjore që rregullojnë marrëdhëniet e punës.

5.3. Në çdo rast të pranimit në punë, për kategori të veçanta të personelit që nuk është përcaktuar në ligjet specifike, janë të detyrueshme për zbatim, dispozitat e pikës ‘B’ , Kreu X, të ‘Kodit të Punës të Republikës së Shqipërisë’, i ndryshuar.

5.4. Statusi i punonjësit të policisë është ai që përcakton neni 39 i ligjit 108/2014 ‘Për Policinë e Shtetit’, i ndryshuar. Këtë status e gëzon çdo i punësuar që aktualisht është në strukturat e Policisë së Shtetit.

5.5. Punonjësit që nuk janë të anëtarësuar në këtë Sindikatë, përfitojnë nga dispozitat e përgjithshme të kësaj Kontrate Kolektive, që zakonisht përbëjnë standarde dhe të drejta universale, por barrën e mbrojtjes para punëdhënësit, para komisjoneve dhe në gjykatë e përballojnë vete.

 

5.7. Personi që merret në punë për herë të parë, pajiset nga punëdhënësi me Librezë Pune, e cila është unike për të gjithë të punësuarit, sipas modelit të përcaktuar nga organi kompetent, gjithashtu ai nënshkruan me punëdhënësin në dy kopje  kontratën individuale të punës ku njëra vendoset në dosjen personale të tij dhe tjetra i jepet punonjësit (pikat 1 e 2 të nenit 147 dhe pika 4.1, neni 193 të VKM nr. 750, dt. 16.09.2015, ‘Për miratimin e Rregullores së Policisë së Shtetit’).

5.8. Arsimimi dhe trajnimi për punonjësit e policisë bëhet sipas ligjit nr. 108/2014, ‘Për Policinë e Shtetit’, i ndryshuar (nenet 53, 54, 55, 56, 57, 58, 59, 60) dhe rregullores së Policisë së Shtetit. Sindikata në çdo rast, përfaqëson, mbron e ndjek nga afër ankimimet e anëtarëve gjatë proçesit të zbatimit të tyre.

5.9. Ndërprerja e marrëdhënieve të punës për punonjësit e policisë bëhet sipas nenit 46 të ligjit nr. 108/2014, ‘Për Policinë e Shtetit’, i ndryshuar, ligjit të nëpunësit civil, e Kodit të Punës. Punëdhënësi nuk mund të zgjidhë një kontratë pune pa shkaqe të arësyeshme të konsideruara ato sipas shkronjave  ‘a’ ,’b’, ‘c’,  ‘d’ dhe ‘e’ të pikës 1, të nenit 146,  ‘Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë’, i ndryshuar.

Zgjidhja e marrëdhënieve kontraktore të punës nga punëdhënësi pa shkaqe të arësyeshme është e pavlefshme. Në këtë rast, punëdhënësi detyrohet t’i paguaj dëmshpërblim punëmarrësit, sipas dispozitave ligjore në fuqi.

5.10. Kur egzistojnë shkaqe të arsyeshme për zgjidhjen e marrëdhënieve kontraktore të punës, punëdhënësi është i detyruar të zbatojë ndaj punëmarrësit  këto afate njoftimi:

Një muaj, për të punësuarit që kanë një vit pune;

– Dy muaj, për të punësuarit që kanë dy deri në pesë vjet punë;

– Tre muaj, për të punësuarit që kanë më shumë se pesë vjet punë.

Në mungesë të njoftimit të këtyre afateve, punëdhënësi është i detyruar t’i paguajë punëmarrësit, pagën mujore që i korrespondon afatit të njoftimit (neni 143 i Kodit të Punës, i ndryshuar).

5.11. Punëmarrësi fiton shpërblim për vjetërsi në punë, kur kontrata është zgjidhur nga punëdhënësi dhe marrëdhëniet e punës midis tyre kanë zgjatur jo më pak se tre vjet. Në këtë rast (zbatohen dispozitat e nenit 145, pikat 1,2,3 të Kodit të Punës). Sindikata mbështet anëtarët e saj, që këtë shpërblim ta përfitojnë duke negocuar me punëdhënësin ose duke e zgjidhur çështjen gjyqësisht.

5.12. Punëdhënësi është i detyruar të ruajë vendin e punës për punëmarrësit në rastet, si më poshtë:

– Për gratë me raport lindjeje.

– Për punonjësit që nuk gëzojnë shëndet të plotë dhe këtë e vërtetojnë me raport mjekësor, për aq kohë sa zgjat paaftësia e përkohshme. Këtë të drejtë e përfitojnë edhe punëmarrësit, që marrin leje kujdes familjar, me ose pa të drejtë page, sipas dispozitave ligjore në fuqi.

 

Neni 6

Transferimet, lëvizjet, largimet nga puna dhe rikthimi në polici i punonjësit

6.1. Sindikata mbështet kërkesat e anëtarëve të tyre, për ndryshimin  e vendit të punës me kusht që të mos rëndohet, por të përmirësohet pozita e punëmarrësit. Sindikata bashkë me kërkesën e të punësuarit për ndryshimin e vendit të punës i paraqesin punëdhënësit edhe mendimin e tyre me shkrim, të argumentuar .

6.2. Për miratimin ose mosmiratimi i kërkesës për ndryshimin e vendit të punës, punëdhënësi është i detyruar, të njoftojë me shkrim punëmarrësin brënda 30 ditëve pas ndryshimit të strukturave të Policisë së Shtetit.

6.3. Ndryshimi i vendit të punës me iniciativën e punëdhënësit, transferimi për punonjësit me gradë, bëhet vetëm për raste të parashikuara në nenin 43 të ligjit, nr. 108/2014, ‘Për Policinë e Shtetit’, i ndryshuar, dhe të nenit 179, 180 dhe 181 të VKM nr. 750, dt. 16.09.2015 ‘Për miratimin e Rregullores së Policisë së Shtetit’. Në çdo rast transferimi i punonjësit të policisë bëhet me vendim të motivuar dhe i komunikohet personit të transferuar.

6.4. Punonjësi i policisë transferohet nga një detyrë në një tjetër brenda të njëjtës gradë që mban, sipas kritereve dhe proçedurave të përcaktuara në Rregulloren e Policisë së Shtetit.

6.5. Punonjësi i policisë, gjatë periudhës dy vjeçare të provës, nuk transferohet, me përjashtim të rasteve të veçanta të miratuara nga Drejtori Përgjithshëm i Policisë së Shtetit.

6.6. Drejtorët e drejtorive vendore të policisë apo titullarët e strukturave të veçanta, transferojnë punonjës policie të rolit zbatues në funksione që janë brenda juridiksionit të tyre, me kusht që funksioni të mos ketë gradë më të ulët se ajo që mban punonjësi.

6.7. Transferimi i punonjësit të policisë me gradën ‘Nënkomisar’ deri në ‘Drejtues i Parë’, si dhe të gjitha transferimet e punonjësve nga një strukturë në një strukturë tjetër, pamvarësisht nga grada, bëhet me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.

6.8. Punonjësi i policisë nuk transferohet nëse nuk ka plotësuar afatin minimal prej 2 vjetësh të qëndrimit në detyrë, me përjashtim të rasteve të veçanta të miratuara nga Drejtori Përgjithshëm i Policisë së Shtetit.

6.16. Kur Kontrata përfundon me vdekjen e punëmarrësit. Punëdhënësi duhet t’i paguajë punëmarrësit pagën e një muaji, duke filluar nga dita e vdekjes së tij, pagën e dy muajve, nëse marrëdhëniet e punës kanë zgjatur për më shumë se tre vjet dhe nëse punëmarrësi lë bashkëshortin, fëmijë të mitur ose në mungesë të tyre persona të tjerë, siç parashikohet në nenin 157, pika 1 e 2 ‘Kodi i Familjes’, si dhe në ligjin për Policinë e Shtetit.

Neni 8

Detyrimet e Punëdhënësit

8.1. Punëdhënësi është i detyruar të mbrojë e të respektojë personalitetin e punëmarrësit. Ai duhet të parandalojë ç’do qëndrim, që cënon dinjitetin dhe personalitetin e të punësuarve. Punëdhënësi, gjatë marrëdhënieve në punë, nuk i lejohet të mbledhë informacione në lidhje me punëmarrësin dhe t’i përdorë ato gjatë punësimit e mbas shkëputjes së marrëdhënieve në punë. (neni 33 i K.Punës)

8.2. Ndalohet puna detyruese kur i kërkohet punonjësit kundër vullnetit të tij, si masë shtrënguese, imponuese, sidomos ndaj atyre punonjësve që kanë ose shprehin bindje në kundërshtim me stafin institucional, rendin politik, ekonomik, shoqëror dhe që marrin pjesë në demonstrime si anëtarë të sindikatës etj.

8.3 Punëdhënësi ka detyrimin të njoftojë punëmarrësin mbi rreziqet e mundshme, që lidhen me punën dhe në vendin e punës e shërbimit. Ai ka detyrimin për kualifikimin e punëmarrësit në përdorimin e pajisjeve, mbrojtjen në punë dhe për respektimin e kërkesave ligjore në mbrojtjen e shëndetit, si dhe rregullat e sigurimit teknik.

Sigurimet shoqërore

Punëdhënësi është i detyruar të derdhë çdo muaj ndalesat në pagë, në afatet e përcaktuara, në Sigurimet Shoqërore, kontributin për sigurimet shoqërore, shëndetësore e suplementare të punëmarrësve, në bazë të ligjit nr. 7703, datë 11.05.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar dhe të ligjit nr. 10142, dt. 15. 5. 2009  “Për sigurimin shoqëror suplementar të punonjësve të Policisë së Shtetit…”

Kushtet e punës dhe mbrojtja në punë

Plotësimi i kushteve të punës bëhet në përmbushje të dispozitave të Kodit të Punës, si dhe të akteve të tjera në fuqi. Punëdhënësi është i detyruar të respektojë, aktet ligjore e nënligjore të përcaktuara në kreun e kësaj kontrate për ti siguruar punëmarrësve, punonjës të Policisë, kushte normale në punë, pajisje e veshje personale bashkëkohore, mjete e armatime special për  përmbushjen e detyrave funksionale.

Sigurimi i jetës, kushtet e jetesës e rehabilitimit, sigurimi shëndetësor i veçantë

Punonjësi i policisë përfiton sigurim jete, sipas përcaktimit të nenit  71, ligjit nr. 108/2014, ‘Për Policinë e Shtetit’, i ndryshuar dhe VKM-së  të dalë  në zbatim të këtij ligji.Punonjësve të policisë i sigurohet mbrojtje e veçantë, që për shkak të detyrës i kërcënohet jeta, familja dhe prona.Në çdo rast, për privacionet dhe humbjet që i shkaktohen, punonjësit të Policisë së Shtetit, për shkak të nevojave të punës dhe të shërbimit, trajtimi financiar i tij, bëhet sipas ligjit . Punëdhënësi vë në dispozicion të Sindikatës, për anëtarët, një pjesë të  kapaciteteve hoteliere të Shtëpisë së Pushimit në Durrës, për ta shpërndarë në mënyrë të drejtë e të arsyetuar, për pushim e rehabilitim, gjatë të gjithë vitit, të punonjësve të Policisë, të ish-punonjësve të Policisë në pagesë kalimtare, në pension të parakohshëm apo pension pleqërie dhe të  familjarëve të tyre.

Mbrojtja e veçantë për gratë, ndalimi i punës për gratë shtatzane dhe nënat e reja

Ndalohet puna e grave shtatzane, 35 ditë para lindjes dhe 63 ditë pas lindjes. Kur gruaja shtatzanë sapo ka lindur dhe/ose gruaja me fëmij me gji vendos të rikthehet por vendi i mëparshëm i punës nuk vlerësohet i përshtatshëm, sipas përcaktimeve në legjislacionin për mbrojtjen e sigurisë dhe shëndetit në punë, punëdhënësi merr masat e nevojshme për të siguruar përshtatjen e përkohshme të kushteve të punës dhe/ose të orëve të punës me qëllim që të shmangë çdo rrezik ndaj punëmarrëses dhe/ose fëmijës.

Sistemi i pagave dhe shpërblimeve

Punëdhënësi merr përsipër që pagesa ndaj punëmarrësve të kryhet në lekë shqiptare, një herë në muaj, jo më vonë se data 5 (pesë) e muajit pasardhës. Kur data e pagesës bie në ditët e pushimit javor apo të festave zyrtare, ato kryhen një ditë përpara. Në rast të mospagimit të pagës në afat, punëdhënësi detyrohet të paguajë kamatë në masën sipas përcaktimit të bërë në nenin 120 të Kodit të Punës, i ndryshuar.

Punonjësit e Policisë përfitojnë trajtime, shpërblime e pagesa të tjera si më poshtë:

Trajtimi me ushqim; ndihmë financiare në masën e një page mujore në raste të fatkeqësive në familje. Punëmarrësi në çdo fund të vitit financiar, përfiton një shpërblim deri në një pagë mujore të njëjtë me atë të përfituar nga punonjësit civilë dhe punonjësit e tjerë të administratës shtetërore.

 

Trajtimi financiar pas ndërprerjes së marrëdhënieve të punës

Punonjësi i policisë, që ndërpret marrëdhëniet e punës me Policinë e Shtetit, përfiton trajtim financiar, sipas pikës 1 të nenit 73, të ligjit 108/2014 “Për Policinë e Shtetit”, i ndryshuar:

  1. a) pagesë kalimtare
  2. b) pension të parakohshëm suplementar
  3. c) pension shërbimi

ç) pension suplementar pleqërije

Detyrimet e punëdhënësit ndaj të zgjedhurve sindikal

Për veprimtaritë sindikale brenda dhe jashtë vendit, punëdhënësi u jep leje të pagueshme, si dhe u paguan dietat përkatëse të gjithë pjesëmarrësve për sa kohë vazhdon vepritaria. Këto veprimtari konfirmohen nga Kryesia Qëndrore e Sindikatës.