Pogradec, lumi Vërdovë del nga shtrati, shënohet viktima e parë

650
Sigal

POGRADEC – Mëngjesin e sotëm është shënuar edhe viktima e parë nga përmbytjet. Mësohet se lumi Vërdovë në Pogradec ka dalë nga shtrati dhe rrjedha e tij ka marrë një grua 38-vjeçare.

Lajmi i dhënë fillimisht nga banorë të zonës është konfirmuar më pas nga policia e qytetit të Pogradecit, e cila shtoi se 38-vjeçarja që është marrë nga rrjedha e lumit është Monika Abrashi.

Sipas hetimeve paraprake Monika Abrashi ka qenë duke pastruar oborrin në momentin që lumi i Vërdovës ka dalë nga shtrati duke përfshirë në rrjedhën e saj edhe viktimën e parë nga përmbytjet.

Trupi i pajetë i 38-vjeçares, Monika Abrashi është gjetur në grykëderdhjen e lumit Vërdovë në Liqenin e Ohrit, 5 kilometra larg banesës së saj rreth 1 orë pasi u mor nga rrjedha e lumit.

Rinisin reshjet e shiut, në jug sërish frikë nga përmbytjet 
Reshjet e dendura kanë rinisur gjatë natës duke rritur sërish nivelin e ujit në lumenj i cili ishte ulur një ditë më parë pas rënies së intensitetit të shiut.

Ka qenë pikërisht kjo situatë e parashikuar nga meteorologët arsyeja edhe për thirrjet e autoriteteve që banorët e evakuuar nga zonat e përmbytura të mos kthehen nëpër banesat e tyre.

Shirat e rrëmbyeshëm që kanë nisur prej 1 jave tashmë kanë mbuluar 17 mijë hektarë tokë dhe kanë përmbytur edhe disa banesa duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale por edhe në bujqësi dhe bagëti në disa zona.

Sipas shifrave të Ministrisë së Brendshme bilanci i përmbytjeve deri më tani është 17 mijë hektarë tokë bujqësore nën ujë, 5 mijë hektarë mbi të cilat ka dhe banesa janë gjithashtu nën ujë.  Nga përmbytjet 600 familje të evakukuara, e ndërsa pjesa më e madhe e tyre është strehuar tek fqinjët apo të afërmit. Sipas Ministrisë së Brendshme janë shpërndarë pako ushqime si dhe janë angazhuar 2100 forca në terren. 

Në Vlorë niveli i lumit të Vjosës ka rënë, por situata është nën monitorim pasi ka reshje të shumta në Gjirokastër dhe pritet që të shtohen ndjeshëm prurjet e lumit, në kaskadën e Selevecit niveli i ujit ka rënë 10 cm aktualisht.

Ora 10:10 Reshjet, ARRSH: Ja situata e rrugëve sipas qarqeve
Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor per akset kryesore kombetare raportojnë për paraqitjen e vështirësive në kalimin e akseve kryesore në vend, rekomandohet kujdes per shkak rreshjeve të shiut të dendura gjatë nates, si dhe kalimi me zinxhire në disa nga akset në qarqet e vendit.

ARRSH dhe DPSHTRR ju apelojne  gjithë drejtuesve të mjeteve, për të zbatuar rregullat e qarkullimit dhe njoftojnë sot për gjendjen e akseve rrugore dhe kalueshmërinë e mjeteve në to. 

Ora 10:00 Në Berat reshjet bllokojnë rrugët e qytetit
Reshjet e rëna me shumë intensitet gjatë natës kanë bllokuar rrugët dytësore të Beratit. Kjo ndodh si pasojë e bllokimit të kolektorëve te ujërave.

Rrugët e bllokuara janë pranë lagjes 30-vjetori pranë gjykatës së Beratit, lagja Uznovë e cila është dhe rrugë nacionale që lidh Beratin me Çorovodën. Uji ka përfshirë gjithë segmentin rrugor nga stadiumi Tomori deri në qendër.

Ora 09:40 Basha: Të shtojmë përpjekjet për përballimin e situatës 
Kreu i Partisë demokratike, Lulzim Basha përmes rrjetit social “Facebook” u ka bërë thirrje simpatizantëve të PD që të shtojnë përpjekjet për përballimin e situatë së përmbytjeve duke theksuar se të gjithë ata që kanë mundësi të japin ndihmën e tyre sado modeste.
 
Ai shton në postimin e tij se  Dëmshpërblimet e shtetit dhe ndihmat e shoqërisë janë jetike për rimëkëmbjen e situatës.

Ora 09:30 Kukës, rinisin reshjet e shiut, Fierza në kuotën 292.2 metër‏ 
Rinisin reshjet e shiut në verilindje të vendit ndërsa sot kuota në hidrocentralin e Fierzës ka shkuar në 292.22 metër. Prurjet e burimeve kryesore që furnizojnë liqenin e Fierzës janë mbi 800 metër kub, në sekondë ndërsa duhen edhe 4 metër që të arrijë kuotën maksimale.

Të katër turbinat janë në punë me  kapacitet të plotë. Liqeni i Fierzës mund të mbajë edhe 500 milionë metër kub ujë. Kuota maksimale e është 296.5 metër.
 
Liqeni i Fierzës, që shërben si rregullator i ujërave edhe për dy hidrocentralet e tjerë të mëdhenj të kaskadës së Drinit, Komanit dhe Vaut të Dejës, në nivelin maksimal të tij ka një kapacitet ujëmbajtës prej 2.7 miliard metër kub ujë në nivelin e 296 metra mbi nivelin e detit

Ora 08:50 Darzeza edhe sot zona më problematike, ja situata në jug
Në orët e para të mëngjesit situata e reshjeve dhe përmbytjeve në zonat jugore si në Gjirokastër ashtu edhe në Fier paraqitet gati-gati e njëjtë si ajo e editove të fundit ku uji mbizotëron në çdo pjesë.

Fshatrat e komunave Frakull e Levan në Fier edhe gjatë ditës së sotme janë nën pushtetin e ujit, teksa reshjet kanë vijuar edhe gjatë natës së mbrëmshme.
Më kritike situata paraqitet në fshatin Darzezë ku shumica e banorëve janë ende të evakuuar.

Ndërkohë gjatë ditës së djeshme në komunën Levan ka nisur groposja e bagëtive të ngordhura.

Në Vlorë situata e përmbytjeve në komunën Novosele paraqitet disi me e qetë teksa gjatë mbrëmjes së djeshme nuk ka pasur reshje shiu.
Uji është tërhequr nga një sipërfaqe e konsiderueshme e tokës dhe shumë banesa.

Pronarët e shumë shtëpive janë kthyer në godinat e tyre ku po përballen me dëmet paraprake.

Ndërkohë përsa i përket Gjirokastrës nuk mund të themi se ka pasur përmirësim të situatës pasi reshjet kanë vijuar dhe kanë shkaktuar kryesisht probleme sa i përket rrëshqitjes së dherave kryesisht në akset rurale.

Ndërkohë edhe në qytet reshjet nuk kanë munguar, por nuk raportohet që lumi Drino të ketë dalë nga shtrati.

Edhe rrethi i Beratit po përballet me reshje intensive që kanë sjellë përmbytjet e rrugëve të qytetit.

Ndërkaq ata që e vuajnë më shumë janë banorët e Urës Vajgurore, shumë prej të cilëve janë ende nën pushtetin e ujit.