Po vidhen banesat e braktisura të lagjeve muzeale

589
Sigal

BERAT/ Flasin banorët: Hajdutët favorizohen nga terreni i vështirë. Kërkojmë mbështetjen e policisë!

 Po vidhen nga hajdutët e natës banesat e braktisura të tre lagjeve muzeale në Berat, “Mangalemi”, “Gorica” dhe lagja “Kala”. Shtëpitë janë braktisur nga pronarët e tyre për arsye të ndryshme, ku kryesore është emigracioni dhe migrimet brenda vendit në qytetet e tjera, si Durrësit, Tirana dhe Vlora. Madje nuk mund të lëmë pa përmendur në këtë rast edhe faktin se banesat janë braktisur edhe për arsyen se kanë nevojë për restaurime. Prej shumë vitesh mbi këto banesa nuk është vënë dorë dhe lagështira ka bërë punën e saj. Edhe pse policia është vënë në mbrojtje të tyre pas denoncimeve të shumta që janë bërë për vjedhjen e tyre, ende nuk ka përfunduar në pranga ndonjë person i dyshuar, por sipas të dhënave edhe pse këto banesa janë në ruajtje ato nuk kanë mundur të dalin nga shënjestra e hajdutëve, të cilët me rritjen e numrit të papunësisë dhe varfërisë janë shtuar së tepërmi.

Shqetësimet

Shqetësimet e banorëve nuk kanë të sosur për problemet që kanë lagjet e tyre, të cilat përfaqësojnë bukurinë e qytetit muze. Mihal Tare, 76 vjeç, banorë në lagjen “Mangalem” tha për “Telegraf” se, lagështira po shkatërron çdo gjë. “Të trija lagjet muzeale janë degraduar nga lagështira nga një anë dhe nga amortizimi dhe mungesa e investimeve nga ana tjetër. Këtu janë 450 banesa qindra vjeçare dhe shumica e tyre kanë nevojë për ndërhyrje”,-tha Tare. Banorët e lagjes “Mangalem”, shprehen se pronarët e banesave që janë larguar në emigracion apo në qytete të tjera të vendit, i kanë lënë ato të mbyllura dhe plot me orendi shtëpiake me vlerë. Mungesa e ndriçimit si dhe vetë konstruksioni i ndërtimit të tyre me rrugica të ngushta, favorizojnë hajdutët, të cilat kanë filluar gjuetinë duke vjedhur këto shtëpi, që janë të pa banueshme. Disa të moshuar shprehen se ato janë në moshën të madhe dhe në raste të tilla e kanë të vështirë që të dalin jashtë për të kontrolluar, pasi ndihen të pa fuqishëm për tu përballur me hajdutët në raste vjedhje. Të moshuarit shprehen se këto dy lagje janë më të braktisurat nga banorët, kjo për arsye së janë teje të amortizuara dhe të pa sigurta nga shkëputja e shkëmbinjve. Ndërsa lagja “Kala” është më e sigurt se nuk përballet me rreziqe të tilla pasi dhe ka një popullsi që banon më shumë se këto dy lagjet e tjera. “Në këto lagje pavarësisht se ndikojnë disa fenomene si mungesa e ndriçimit apo rrugicat, këto mungesa zëvendësohen nga popullimi i numrit më të madh të banorëve të saj”, thanë banorët. Burime të policisë bëjnë të ditur se këto lagje janë në mbikëqyrjen e forcave të rendit, të cilat po tregojnë një ruajtje të veçantë për të shmangur vjedhjet e mundshme pasi ka shumë banesa të braktisura.

ZBULIMI I BAZILIKËS, ZHVENDOSET NË NËNTOR BUSTI I AQIF PASHËS

Zbulimi i bazilikës paleokristiane në qendër të Elbasanit, ngjitur me turizmin, gjatë gërmimeve që po bëhen nga një grup arkeologësh, ka bërë që të shtrihen më tej ose më mirë të zgjerohet sipërfaqja e gërmimeve, kjo bazilikë, zbuluar në vitin 2007 dhe që bënë të rifillojnë përsëri punimet me një fond të Bashkisë së Elbasanit, bënë që nga këto gërmime zhvendoset dhe busti i Aqif Pashë Elbasanit (Biçakçiut). Që  gjatë muajit gusht filluan propozimet për zhvendosjen e bustit. Një punim i kryer nga skulptori Bujar Kapllani. Vendimi për të larguar monumentin e nismëtarit për shpalljen e pavarësisë së Elbasanit u trajtua dhe në mbledhjet e Këshillit Bashkiak, për lëvizjen e tij. Nga Këshilli Bashkiak u propozuan tre vende që këshilltarëve që ju dukën më të pranishme si: Pranë portës së Kalasë, te lulishtja e re pranë bashkisë dhe pranë sheshit “1 Maji”. Burime të Bashkisë thanë se para se të diskutohej në mbledhjen e Këshillit Bashkiak zhvendosja e bustit të Aqif Pashë Biçakçiut, u morr dhe miratimi i familjarëve, pasardhës të patriotit. Sipas projektit të bashkisë bazilika shumë shpejt do të izolohet me xham dhe do të jetë një nga vendet më të bukura edhe për turistët që do të vijnë të vizitojnë.