Durrësi, jashtë vëmendjes së qeverisë për festimet e Pavarësisë

534
Sigal

Në këtë prag feste atmosfera është tejet e zymtë përsa i përket festimeve, ndërsa monumentet e kulturës gjenden në mëshirë të fatit. Amfiteatri i Durrësit përmbytet me shiun më të parë, muzeu arkeologjik i ka mbyllur dyert prej një viti e gjysmë për shkak të rikonstruksionit, punime të cilat janë zvarritur, kohë pas kohe, ndërsa shtëpia muze “Aleksandër Moisiu”, është në grahmat e saj të fundit për shkak të amortizimit të çatisë.

Amfiteatri

Amfiteatri i Durrësit, i cili i përket edhe periudhës Romake me një kapacitet prej më shumë se 1500 vendesh, është lënë në mëshirë të fatit i harruar nga të gjitha strukturat përgjegjëse. Prej muajsh gjendet nën pushtetin e ujërave dhe i rrezikuar nga kushtet atmosferike. Një ndër mozaikët më të lashtë dhe më të bukur të konsideruar si tepër i rrallë në Ballkan, i cili gjendet në Amfiteatrin e Durrësit është drejt degradimit total. Prej muajsh gjendet nën pushtetin e përmbytjeve së bashku me një pjesë të konsiderueshme të Amfiteatrit të Durrësit. Situata përsëritet sa herë bie shi çdo dimër dhe rreziku i shpërbërjes së tij ka kaluar në heshtje nga të gjithë specialistët e arkeologjisë dhe të Institutit të Monumenteve në Durrës. Pavarësisht se gërmimet arkeologjike kanë qenë të pranishme në amfiteatër, ende nuk është zbuluar sistemi i tij natyral i dranazhimit, pasi ende nuk ka dalë në dritë, porta jugore e amfiteatrit, ku është vendosur ky sistem, i cili do të siguronte largimin e ujit. Për të disiplinuar ujërat që përmbytin basenin e arenës, janë përdorur pompat për thithjen e ujit.

Muzeu Arkeologjikë

Problematika s’ka të sosur për këtë vit, për Muzeun Arkeologjik, i cili ka dyert të mbyllura prej gati një viti e gjysmë për shkak të rikonstruksionit, në të cilin është përfshirë. Rreth 100 milionë lekë janë vënë në dispozicion të projektit të restaurimit të Muzeut Arkeologjik të Durrësit, një projekt ky, i cili do ta bëjë funksionale godinën, në tërësinë e saj. U prit që restaurimi të përfundojë brenda muajit tetor dhe Muzeu të inaugurohet në kuadër edhe të 100 -vjetorit të krijimit të Shtetit Shqiptar. Por punimet janë duke vijuar dhe nuk dihet nëse do të përfundojnë as në nëntor. Aktualisht, janë hequr prej godinës ekzistuese të gjitha objektet arkeologjike dhe ruhen në një magazinë, deri sa punimet e restaurimit të përfundojnë. Restaurimi do të vërë në funksion të plotë të tri katet e godinës së Muzeut, gjë e cila nuk ka qenë e mundur më parë, duke e përqendruar trashëgiminë arkeologjike vetëm në katin e parë të Muzeut.