Enti Rregullator i Energjisë, i drejtuar nga Petrit Ahmeti, ka hapur disa ditë më parë një procedurë për të zhvilluar me tender një darkë zyrtare. Kërkohej një restorant për zhvillimin e një aktiviteti, në bashkëpunim të ERE-s me disa italianë.
Në dokumente shkruhet se procedura është me vlerë të vogël, nën 10 mijë euro, teksa kishte si objekt “shërbim organizimi i 1 darke zyrtare për 35 persona”. Normalisht, të tilla tendera po evitohen nga institucionet shtetërore, të paktën për t’u dhënë ushqim punonjësve të tyre. Por, kur ka bashkëpunime ndërkombëtarë, nuk kursehen.

Në dokumentet që ka hulumtuar VoxNews shkruhet se data e zhvillimit do të jetë më 1 prill 2025 në orën 09:00.
“Në datë 8 prill 2025, Enti Rregullator i Energjisë (ERE) në bashkëpunim me Entin Rregullator të Energjisë për Italinë (ARERA), do të organizojnë në Tiranë Seminarin e 11-të të Shkollës Ballkanike të Energjisë (BES) mbi Rregullimin e Tregjeve të Gazit Natyror. Në kuadër të këtij organizimi, në datë 7 prill 2025 nga ana e Entit Rregullator të Energjisë do të ofrohet 1 darkë zyrtare. Numri i personave pjesëmarrës në këtë darkë është 35, me përfaqësues dhe të ftuar Drejtues të Rregullatorëve, anëtarë të BES dhe përfaqësues nga Enti Rregullator i Energjisë (ERE)” thuhet në këto dokumente.
Sipas tyre, darka do të organizohet në datë 7 prill 2025, pas orës 19:00. “Operatori ekonomik duhet të disponojë ambientin e nevojshëm (restorantin) për organizimin e darkës zyrtare, me kapacitetin e duhur për këtë numër personash (35 persona). Për shkak të pjesëmarrjes në këtë darkë të përfaqësuesve të nivelit të lartë drejtues nga vende të ndryshme, restoranti duhet të ofrojë një ambient të posaçëm i cili është i përshtatshëm për zhvillimin e darkave zyrtare (për qëllime pune)” thuhet në dokument.

Por shikoni se çfarë perle shkruan Ahmeti apo vartësit e tij! “Vendndodhja e ambientit (restorantit) për organizimin e darkës zyrtare, duhet të jetë jo më larg se 200 m nga Sky Hotel (Sky Tower), vend ku do të jenë të akomoduar përfaqësuesit e ARERA dhe vendeve të tjera rregullatorë anëtare të BES-s” thuhet në dokumente.
A po favorizon Petrit Ahmeti ish-deputetin Lad Kosta?
Ahmeti shkruan se punonjësit janë akomoduar te “Sky Tower”, në pronësi të Lad Kostës, ish deputet i Partisë Socialiste. Në katet e sipërme të hotelit, z. Kosta ka restorantin dhe specifikimet e kërkuara që të jetë “jo më larg se 200 m”, e favorizojnë dukshëm “Sky Tower”. Edhe restoranti te Parku Rinia është mbi 200 metra larg, ashtu edhe te Kullat Binjake apo vendet e tjera “të përshtatshme”. Duket se kjo kërkesë, largësia e restorantit, është “kriteri që paracakton edhe fituesin”!
Por çfarë do të konsumojnë këta shtetarë?
Sipas dokumentit, menyja e darkës duhet të jetë e larmishme dhe të përfshijë 1 pjatë antipastë. Të ketë pjatën e parë, pjatën e dytë me mish ose peshk, të ketë sallatra mesore, ëmbëlsirë, fruta dhe pije alkoolike, freskuese e ujë.