Përsëri në këmbë, përsëritet në Sarandë

599
ushtarakëve të Sarandës, Asllan Kordha dhe ish- oficerin Kastriot Bizhga e ndërsa biseda vërtitej rreth problematikës sociale, kryesisht tek ajo e ish –ushtarakëve, ajo u ndërpre papritmas nga lajmi që shpërndau ekrani i TV-së se disa të rinj u kapën me lëndë narkotike e diku policia e shtetit kish zbuluar e asgjësuar disa qindra rrënjë bimësh kanabis sativa. Kaq u desh dhe atmosfera u përfshi nga bisedat e kësaj teme. Dikush i justifikonte trafikuesit dhe kultivuesit e disa ishin pro goditjes që shteti u jepte këtij kontingjenti. Asllani u përhumb në një pikë tutje në det në meditimin e tij dhe fytyrën ja mbuloi një buzëqeshje karakteristike, që janë të rrallë që e përcjellin. Befas u ngrit dhe na ftoi të ecnim pas tij. Pa folur asnjë fjalë shkuam nga pas tij. Tek një portë i foli të zonjës së shtëpisë, e cila sa hap e mbyll sytë, si me telekomandë, u gjend para nesh me një pamje mikpritëse, por me shenja të një përvuajtjeje të zgjatur shpirtërore.
– Urdhëroni! -na ftoi me zgjatjen e dorës përbrenda oborrit.
– Është Alma, -na tha Asllani. Kunata, nusja e vëllait tim. Ejani ta pimë një kafe.
E ndërsa përshkuam oborrin, tek dera e shtëpisë doli një mesoburrë rreth të 55-ave me një bastun në dorë, i fuqishëm fizikisht. Na shtrëngoi dorën e na uroj mirëseardhjen në heshtje. Aty në oborr, mes kafes dhe rakisë, nisi dhe biseda jonë. Asllani na tregoi edhe diçka të dhimbshme për jetën e të vëllait: “Ky është Neshet Kordha (Nasho i thërrasim), vëllai im mes tetë fëmijëve të tjerë, që ishim në familjen tonë. E si të tillë u rritëm me fukarallëk, aty në malet e luginat e Labërisë, fshatrave të Kurveleshit. Nashua është i datëlindjes 1960 dhe ka qenë futbollist me “Shqiponjën” e Progonatit dhe “Butrintin”e Sarandës. Mes këtij fukarallëku, prindërit sakrifikuan për arsimimin tonë dhe Nesheti mbaroi për gjuhë të huaja, duke punuar në Progonat, Nivicë e Tepelenë, si mësues i gjuhës ruse. Si gjithë të tjerët, mori rrugën e emigrimit, po fatkeqësia ja preu ëndrrat në mes. Nesheti u godit nga një hemorragji cerebrale, e cila i la pasoja të rënda me 80% të trupit të paralizuar. Filloi mjekimet. Në këto kushte u detyrua të vijë në Sarandë përsëri. E shoqja, Alma, i ndenji tek koka, duke i ofruar gjithë ngrohtësinë njerëzore për ta lehtësuar disi bashkëshortin e saj, nga sëmundja që e goditi e ndërkohë nuk ju nda punës me orar e pa orar, duke mundësuar përfundimin e një vile me pishina e mjedise çlodhëse për të shoqin. Nga ana e tij, Nesheti, gjithçka e shikonte tek bashkëshortja këtë sfilitje dhe fizike dhe shpirtërore, por që nuk ja ndante kurrë ngrohtësinë dhe mundohej e stërmundohej për të, ndaj vendosi, falë fizikut si sportist, t’i thërrasë edhe vullnetit të tij të hekurt. E flaku karrocën, me të cilën lëvizte përgjatë pesë viteve të passëmundjes. iu nënshtrua përsëri operacionit dhe sot ecën me këmbët e tij, natyrisht me ndihmën e një bastuni, ndërsa mjekët kanë parashikuar shpresën se edhe i foluri do t’i rikthehet pas dy vjetësh. Edhe i biri, Spirua, ndjek rrugën e sportit si i ati, duke luajtur disa vite me “Butrintin” e Sarandës dhe sot me ekipin e futbollit të Burrelit. Po Alma është heroina e kësaj familjeje, asaj i dedikohet gjithçka ka arritur vëllai im, që të rikthehet në jetë”, – na thotë Asllan Kordha, mes lotëve dhe fjalëve mirënjohëse për të kunatën, Almën, e cila në qenien e saj derdhte pa kursim mirësinë njerëzore, dashurinë për jetën dhe njeriun, sakrificën për atë që do, lidh jetën dhe jep besën. Asllani është një njeri, që jeta i mohoi edhe djalin nga një fatkeqësi thuajse e përafërt me të vëllanë, por te përpjekja e vëllait të tij, sikur shikon edhe forcën dhe dhimbjen e tij. -Ndaj u solla këtu, – na tha Asllani, – ta shikoni me sytë tuaj se çfarë është në gjendje të bëjë njeriu, kur e do dhe mendon për jetën, e jo të justifikohen trafikantët dhe kultivuesit e drogës se nuk kanë me se të merren. Kur jetën e do, di dhe ta jetosh si njeri…Një takim emocionues, mes dhimbjes dhe admirimit për këtë çift që përcjellin mesazhet jetësore të dashurisë dhe sakrificave për ta jetuar jetën me nder dhe përmes punës që të fal të ardhurat e djersës tënde. Por edhe Asllan Kordha është një njeri fisnik, i cili tërë jetën ka qenë i përkushtuar ndaj punës, si oficer, por edhe si njeri i dashur dhe i respektuar në shoqëri. 
Agron MEMA
Sigal