Andrea Petromilo/ Kërkesat bashkëkohore, administrata primitive

619
Çdo ditë dëgjojmë përmes medias televizive dhe lexojmë përmes shtypit për ecurinë e vendit tonë me dinjitet, drejt Europës. Ky fakt sigurisht që na gëzon, por që të mos ngopemi me lugën e zbrazur, duhet që në të gjitha drejtimet, paçka disa mangësive e gabimeve që mund të reflektohen në udhë e sipër, gjithçka tjetër duhet të shkojë mbarë. E si mund te kesh një pretendim të tillë, kur gjendja aktuale në kupolën e shtetit dhe në të përzgjedhurit nga populli lë shumë për të dëshiruar, kur në vend të një paraqitje prej tyre, të një kulture qytetare-europiane, në çdo moment ngrihen uragan sharje, fyerje, dëgjohet vetëm për korrupsion, adresime për kriminalizim e trafikant droge, për vjedhje të paskrupullta të pasurisë së popullit…me pak fjalë,njëmijë e një cilësime të pista për drejtuesit e një populli e kombi…? Por nëse peshku qelbet nga koka, atëherë ç’pret nga ndërvartësit? Huqet e të “madhit”(shefit!) zbresin e ngjitin shpejt, madje i vogli shton dozën, e aq më tepër kur niveli i tij nuk i përgjigjet kohës në ecje, kërkesave që ajo i shtron. Një shef zyre, duke mos kuptuar rolin që duhet të ketë si një punonjës në shërbim të popullit, ngrehoset dhe të përplas derën pas fytyrës ose mbyllet ne “kullën e vet”, ku roja ndalon rreptësisht hyrjen, duke përsëritur si papagall sloganin: “S’është brenda shefi!”, apo “Është i ngarkuar tashti”! Një shprehje qëmoti thoshte: “Pas mushkës, që i vë samar për herë të parë dhe pas shefit të ri, mos qëndro, se shkelmojnë rëndë dhe po të zuri shkelmi i tyre s’ngrihesh dot”. Dhe ky huq për fat të keq trashëgohet. E themi këtë, pasi në ditët e sotme, kur demokracia është në rolin e mushkës së re, shefat, madje dhe nëpunësit e tyre(që emërohen me parimin e ngjyrës dhe militantizmit, jo të aftësisë profesionale dhe dinjitetit) ndërrohen aq shpesh, saqë popullit, i cili mban ngarkuar hallet e problemet për t’i zgjidhur, i duhet të presë vazhdimisht vetëm shkelma…( Hajde po të duash ëndërro Europën) Dhe i jep karar vetes: Tjetër ëndrra e tjetër realiteti… Tjetër kërkesat bashkëkohore që të shtron e për to, t’i vë këmbët në një këpucë qeveria, e tjetër të të shërbejë një administratë që nuk njeh rolin e saj. E pse të mos e themi që është tepër primitive…Nëse ndjek opinionin e njerëzve hallexhinj, do dëgjosh vetëm një duf që del nga shpirti i tyre: S’ke ku të qahesh, ore vëlla! Askush s’të zgjidh gjë e sekush të përplas derën fytyrës. Ose “…duhet ta kesh qesen plot dhe pa le në e zgjidh dot hallin, pasi ta kesh zbrazur qesen”! Me pak fjalë shpresë e humbur! Mjerë kush ka probleme në zyrat e Hipotekës në Vlorë. Jo pak herë drejtuesit e tyre janë ndërruar. Thua ndëshkuar!? Është për t’u çuditur, sesa shpejt infektohen qoftë drejtuesit apo dhe nëpunësit!…( Baseni me ujë të ndenjur ka krijuar vatrën e infeksionit!)Veçse enigma mbetet jetim. Thuhet se, korrupsioni lëvrin keq atje, por veç shkarkimit asgjë më tepër nuk dëgjohet jashtë atyre dyerve. Atëherë mbetet një hamendësi: A bëhet rokada thjesht për të zhvatur dhe ai që vjen pas të parit apo për të zënë mend zëvendësuesi që t’i përgjigjet më mirë hallit të njerëzve? Por faktikisht hallexhiu mbetet në sportelet e zyrave dhe vetëm ankohet, acarohet, por përmban veten duke u larguar i dëshpëruar me shpresën për t’u zgjidhur të nesërmen…Pas, rreth njëzet vjetësh munda të zgjidh problemin tim në hipotekë, thotë A.R. Këto ditë u ballafaquam me një rast tepër të thjeshtë. Një qytetar i ardhur nga Gjirokastra, pasi kërkonte të blinte një apartament në Vlorë, iu drejtua noterisë dhe sipas rregullave në fuqi përgatiti gjithë praktikën. Dosja shkon në zyrat e hipotekës. Nëpunësja e postës, ( çudi , kujt i ka lindur ideja që brenda në sallën e zyrave të ketë postë,thua te jetë mendim djallëzor!?)një zonjë me “goxha përvojë” kreu shërbimin e duhur kundrejt pagesës. U mor kuponi postar, zarfi me gjithë praktikën kalon në zyrat përkatëse të hipotekës, ku do t’i shërbehet nga nëpunësit e saj, por ç’ndodhi? Pasi kalon jo pak, por një muaj(për një procedurë të thjeshtë-formalzëm) personi që interesohet merr përgjigjen se, kërkohet shtesë e një dokument, i cili, sipas tyre, mungonte ose aksidentalisht kishte humbur. Më kot kundërshtimi. Zëvendësohet dokumenti bankar, pas, thuajse një muaji, kur pritej të pajisej me certifikatën e pronësisë, i thonë se dosja kishte humbur. O zot! Ku? Ku humbi? Posta, zyrtarët? Por, ndërkohë pëshpëritej, drejtoresha ishte pushuar! Përse? Paaftësi apo…? Sidoqoftë ishte pushuar! Dhe përsëri më kot të kundërshtoje. Dosja duhej përgatitur nga e para. Dhe ashtu u veprua. Pyesim: përse duhej zhvilluar praktika nga e para? Kush u vu përpara përgjegjësisë? A nuk ka një nëpunës që përgjigjet për atë dosje? Posta, a nuk mban përgjegjësi nëse e dorëzoi e ku e dorëzoi!? Kur tarifa postare është paguar dhe jo pak! Themi se do shkojmë në Europë, por si? Veç të tjerash me një administratë që… nejse. Vazhdojmë më tej me këtë peripeci… Pas disa kohësh, në bazë të praktikës së re, i dorëzohet të interesuarit certifikata e pronësisë, por…ishte harruar të vihej vula e shefit dhe institucionit…dhe përsëri të tjera lekë…kohë, eceejake, shqetësime…Për gabimet e kujt? Analizuam një rast tepër të thjeshtë, që ishte vetëm një formalizëm! Por po të qëndrosh nëpër dritaret e këtyre zyrave do dëgjosh absurditete…debate, ankime, shqetësime, moszgjidhje e zvarritje të paimagjinueshme… Ka njerëz që nuk po mundin të zgjidhin problemet e tyre për pronat prej vitesh e vitesh… Kur qeveria thotë se, ndaj popullit duhet një shërbim i kulturuar dhe i shpejtë, pasi kështu e kërkon koha…(çfarë hipokrizie!!). Por si mund të veprohet shpejt e me kulturë kur administrata e saj është e papërgjegjshme për detyrën që kryen ose qëllimshëm janë kthyer në rolin e “peshkatarit” që ka hedhur “karremin” për të “peshkuar” hallexhiun? Një zyrtar i kulturuar s’mund të zhytet në një valto të tillë, por…Kush ka qenë jashtë kufijve të Shqipërisë dhe është përplasur zyrave, i ka zgjidhur hallet edhe pse është në vend të huaj, edhe pse nuk ka njohje…Për kërkesën që bën lë një numër telefoni dhe nuk është nevoja të trokasësh në zyrën përkatëse, por informohesh. Ky është shërbimi, kjo është administrata… Një vit plot u sorollat N.GJ për të marrë përgjigjen për pensionin e tij. Sorollatje e pafund, pasi zyrtarët i kishin krijuar një problem mekanik në emrin e tij. Venin e vinin letrat e tij lart e poshtë! Lart e poshtë dhe ai…muajt kalonin. Sipas ligjit, kur kalon viti humbet tërë atë vit pensionin …çudi! Kur dihet që s’ke një administratë të përkushtuar apo jo me nivelin e duhur, atëherë? Një qytetar tek po i drejtonte librezën e punës nëpunëses se sigurimeve shoqërore, ajo, pasi i hedh një sy, e pyet: Emër femre apo mashkulli është Ekstratanini? Qytetari u habit, por fillimisht e mori për shaka. Por kur nëpunësja e përsëriti pyetjen ai vuri buzën në gaz dhe iu përgjigj: Zonjushe, dikur në Vlorë ka qenë një fabrikë e përpunimit të lëkurëve që quhej “Ekstratanin” dhe unë kam qenë punonjës atje. Është e pabesueshme? Ndoshta dikujt mund t’i duket e tillë, por, ama,është e vërtetë? Nuk janë të pakta rastet, kur nga një nëpunëse, në një shkresë përcjellëse mund të bëhen një “mal” me gabime ortografike, të cilat krijojnë anomali e sorollatje të mëpasshme… Kur një problem është” ngërçuar” për një zgjidhje të logjikshme dhe administrata përkatëse ndeshet çdo ditë jo me një individ, por me dhjetëra e dhjetëra , atëherë përse nuk e ngre zërin e t’i drejtohet instancave më të larta që mbulon ato çështje për një zgjidhje sa më të përshtatshme e të shpejtë? Atëherë ajo administratë është bashkëkohore, është aktive dhe kupton rolin e saj… Më konkretisht. Shumë dokumente, nëpër ndërmarrje, ose janë djegur, ose kanë humbur. Dhe përveç kësaj, shumë falsifikime mund të jenë bërë. Atëherë, përse duhet ta zgjidhi këtë problem individi, ose përse duhet t’i bjeri barra atij, kur ai nuk është aspak fajtor? Drejtohu gjyqit, të thonë ata të sigurimeve shoqërore? Përse? Faji është i shtetit, dokumentacioni ka qenë në duart e tij e jo të individit kur u dëmtuan. A nuk duhet ta zgjidhësh ti, shtet? Përse e ngarkon qytetarin me shpenzime të tepërta? E jo vetëm kaq. Edhe pse zhvillohen gjyqet, edhe pse është fituar gjyqi, siç thuhet, ato jo rrallë herë nuk merren parasysh dhe “odiseja” nis nga e para. Janë të shumta rastet që për një gabim ortografik, për faj të nëpunësit, të kthehen e të rikthehen dokumentet…Në të njëjtat pozita janë ndodhur me dhjetëra e dhjetëra qytetarë në “fushatën” që zhvilloi OSSHE-ja. Gabime, siç thotë populli, me okë… Dhe shpesh dëgjoje(e dëgjon) një përgjigje: Nuk mund të kthehen lekët edhe pse kemi gabuar, pasi kanë hyrë në sistem! Sistemin e ka krijuar dikush dhe a drejtohet prej dikujt? Atëherë, ashtu siç u fut edhe nxire… Por supet ngrihen, vetullat rrudhen dhe po të vijojë kërkimi i të drejtës, një shenjë policitroje dhe përjashta me dhunë… Kundërshto po deshe! I sollëm këto shembuj, për të mos vijuar me shumë të tjerë si, në zyrat e ujësjellësit, ku nuk janë të pakta gabimet për hir të paaftësisë së nëpunësve të administratës, ku dhe sahatet e ujit mbeten shpesh herë peshqesh për konsumatorin për tu blerë… (çfarë zgjidhje bashkëkohore!) E njëjta sëmundje është dhe nëpër zyrat e tatimeve, ku “ashpërsia” kalon kufijtë e logjikës… Përse ndodhin fenomene të tilla? Një shpjegim ka: Nëpër administrata nuk vihet i afti, por ata që janë militantë të një partie, të asaj që merr fuqinë në duar. E nëse duhet të ushtrohet kontrolli mbi aftësimin profesional, pritet rotacioni partiak. E nëse nuk ndodh ky për një katërvjeçar, vuajtja administrative vegjeton pa teklif. Por a mund të ecet kështu? Si mund të thuash, se nxiton drejt perëndimit kur administrata jote është në nivele primitive? Të kujton kjo një shkallë të kalbur, ku kërkohet të ngjitesh, por s’të qesh buza se, thyhet gjithçka e rrokopulet e copëtohet…
Sigal