Përplasi 13 vjeçarin dhe vuri vëllain e tij si shofer, zbulohet plani i nënkomisarit në Pogradec, kamerat filmuan gjithçka

133
Sigal

Një efektiv policie me inicialet A.A, banues në Pogradec është shpallur në kërkim ditën e sotme pasi përplasi me makinë të miturin 13 vjeçar dhe u largua nga vendngjarja.

I mituri pasi mori mjekim në spital u largua për në shtëpi. Ndërsa në mjetin e drejtuar nga nënkomisari A.A u shfaq vëllai i këtij të fundit. Falë pamjeve të siguruara nga kamerat, u zbulua se shofer në momentin e aksidentit kishte qenë vetë nënkomisari.

Fatmirësisht i mituri ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore dhe nuk ka dëmtime të rënda. Ndërsa po vijon puna për kapjen e policit të arratisur.

Njoftimi i Plotë:

Njoftimi:

Më datë 29.06.2022, Drejtoria Rajonale e AMP Korçë ka referuar materialet e para hetimore në Prokurorinë Pogradec, si edhe ka bërë shpalljen në kërkim për punonjësin e policisë N/komisar A. A., i dyshuar për “Shkelje e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Largimi nga vendi i aksidentit”, parashikuar nga neni 290 dhe 273 i Kodit Penal.

Nga veprimet e para rezulton se punonjësi i policisë, më datë 28.06.2022, duke drejtuar automjetin e tij, ka aksidentuar shtetasin e mitur O.S., 13 vjeç, i cili pasi ka marrë mjekim në spitalin Korçë është larguar për në banesë.

Gjithashtu, pas mbërritjes së shërbimeve të policisë në momentet e para të aksidentit, si drejtues i mjetit është paraqitur shtetasi M. A. (vëllai), por nga këqyrja e pamjeve filmike është provuar si drejtues i mjetit, punonjësi i policisë, A.A.

Sa më sipër, pas veprimeve hetimore në konsultim edhe me prokurorin e gatshëm, u referuan materialet në gjendje të lirë për shtetasin M. A., si i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Deklarata e rremë para oficerit të policisë gjyqësore” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, parashikuar nga neni 301 dhe 305/b të Kodit Penal.

AMP mbetet e përkushtuar në misionin e saj për garantimin e zbatimit të ligjit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të Policisë së Shtetit, duke telefonuar në numrin e gjelbër 0800 90 90.