Përpjekje për ruajtjen e mjedisit përmes një rasti auditimi

789
Sigal

Nga Xhuljeta Çelaj

Audituese e Lartë në KLSH

Shfrytëzimi i karrierave sipërfaqësore në zonën e Urës Vajgurore ka përfshirë tashmë shumë zona të gjelbra, duke shfrytëzuar barbarisht faqet e kodrave të kësaj zone, të cilat shfaqen të zhveshura dhe plot pluhur në momentet kur intensiteti i punës së operatorëve ekonomik arrin maksimumin. Ndotja e ajrit që i shkaktohet banorëve të zonës vjen si rrjedhojë e moszbatimit të kushteve të lejeve mjedisore të operatorëve ekonomik të licencuar nga shteti, si edhe nga mungesa e inspektimit dhe monitorimit efektiv të këtyre operatorëve nga organet shtetërore kompetente. Pavarësisht auditimit të kryer nga KLSH në fund të vitit 2017 mbi cilësinë e ajrit në vendin tonë, me fokus pikërisht cilësinë e ajrit në Urën Vajgurore, e në veçanti në fshatrat Konizbaltë dhe Pashallinj e në lagjen “Guri i Bardhë”, vazhdojnë ende të raportohen në median e shkruar po të njëjtat problematika të evidentuara nga grupi i auditimit gjashtë muaj më parë. Subjektet shtetërore lokale të përfshira në mbikëqyrjen mjedisore të subjekteve ekonomike që ushtrojnë aktivitetin e tyre në zonën e sipërpërmendur janë Inspektorati Shtetëror i Mjedisit dhe Pyjeve Berat, Agjencia Kombëtare e Mjedisit, Agjencia Rajonale e Mjedisit Berat dhe Drejtoria Rajonale e Shëndetit Publik për sa i takon raportimeve mbi sëmundshmërinë dhe vdekshmërinë.

Gjatë auditimit KLSH kreu dy vizita në terren dhe përgatiti dhe shpërndau një pyetësor për banorët e zonës së Urës Vajgurore nga ku rezultoi se ISHMP Berat gjatë ushtrimit të veprimtarisë së inspektimit asnjëherë nuk ka kontraktuar ekspertë privatë me qëllim kryerjen e matjeve të shkarkimeve në ajër gjatë inspektimeve që kryejnë në subjektet ekonomikë që ushtrojnë veprimtari ekonomike në zonën e guroreve. Duhet theksuar gjithashtu se ISHMP Berat nuk ka kryer verifikim apo inspektim të vetëmonitorimeve që kryejnë subjektet ekonomike në zbatim të dispozitave të ligjit nr. 10463, datë 09.06.2011 ‘‘Për mbrojtjen e mjedisit’’. Operatorët ekonomik nga ana e tyre e kanë përmbushur detyrimin ligjor për të paraqitur vetëmonitorimin sipas afateve të përcaktuara. Duke qenë se vetëmonitorimet e paraqitura nga subjektet ekonomikë realizohen në përputhje me dispozitat e ligjit cituar më sipër, nga “laboratorë të akredituar”, ISHMP Berat nuk ka verifikuar vlerat e shkarkimeve në ajër të raportuara nga subjektet duke i marrë ato të mirëqena dhe brenda normave të lejuara. ISHMP Berat, ashtu si Inspektorati Shtetëror i Mjedisit dhe Pyjeve, nuk është i pajisur me mjete logjistike matëse për të kryer matje në rastet e inspektimeve rutinë dhe të programuara dhe për të verifikuar vërtetësinë e të dhënave të shkarkimeve në ajër të vetëmonitoruara nga subjektet. ISHMP Berat nuk ka inspektuar nëse subjektet ekonomike respektojnë kushtet e lejes mjedisore sa i takon respektimit të kushteve të transportit. Nga vëzhgimi në terren, si edhe nga rezultatet e pyetësorëve të shpërndarë pranë banorëve të zonës së studimit, ka rezultuar se mjetet e transportit të subjekteve ekonomike përdorin rrugët e fshatit për transportin e materialeve. Mjetet në shumicën e kohës lëvizin të pambuluara duke rritur riskun e aksidenteve fatale dhe gomat e tyre rrisin nivelin e pluhurit duke mos qenë të lagura. Edhe për këtë problematikë, ISHMP Berat nuk ka kryer inspektime dhe nuk ka vendosur asnjë gjobë, ndërkohë që mjetet e rënda të operatorëve ekonomikë vazhdojnë të amortizojnë rrugët, rrisin nivelin e ndotjes dhe rrezikojnë jetën e banorëve. Lidhur me këtë problematikë, ka rezultuar se 91.7% e të anketuarve e perceptojnë si problem thelbësor përdorimin e rrugëve nga kamionët e operatorëve ekonomik. Gjithashtu, gjatë vizitës në terren grupi i auditimit i shoqëruar nga inspektorë të Inspektoratit Shtetëror të Mjedisit dhe Pyjeve të Qarkut Berat pa nga afër disa nga aktivitetet ku shfrytëzohen karrierat sipërfaqësore nga operatorët ekonomik të cilët nuk kishin leje mjedisore për të vazhduar aktivitetin e tyre. Për këtë arsye janë gjobitur nga ISHMP Berat, por pavarësisht gjobës prej 500.000 lekë edhe pas një viti operatori ekonomik vazhdon aktivitetin në pritje të miratimit të lejes mjedisore nga autoritetet përkatëse. Ndëshkimi me gjobë në masën e përcaktuar nga dispozitat ligjore në fuqi nuk e pengon operatorin ekonomik në aktivitetin e tij, pasi masa e ndëshkimit nuk është në proporcion të drejtë me nivelin e përfitimeve ekonomike të gjeneruara nga subjekti dhe me nivelin e dëmit të shkaktuar nga ai në mjedis. Kushtet e lejeve mjedisore parashikojnë gjithashtu edhe rehabilitimin e mjedisit gjatë shfrytëzimit të karrierës sipërfaqësore, por konkretisht rezultoi se për verifikimin e këtij kushti të parashikuar në lejet mjedisore, nga ISHMP Berat nuk janë kryer inspektime. Ka rezultuar se vetëm në një rast është respektuar pjesërisht kërkesa e rehabilitimit të mjedisit gjatë shfrytëzimit dhe subjekti ka mbjellë 12 bredha. Agjencia Rajonale e Mjedisit Berat, duke filluar nga viti 2014 nuk ka më kompetencë lidhur me monitorimin e subjekteve ekonomike të cilët kanë përfituar leje mjedisore të tipit B, por ARM ka vetëm detyrim të organizojë dëgjesa me publikun dhe të jap një mendim lidhur me aktivitetin e subjektit që aplikon për leje mjedisore të tipit A dhe B. Duhet qartësuar se, në mungesë të kompetencës lidhur me lëshimin e lejeve të tipit A dhe B, mendimi i dhënë nga ARM është formal, duke pasur parasysh që subjektet kundrejt ARM nuk kanë asnjë detyrim ligjor, pasi edhe vetëmonitorimet ato i dërgojnë për miratim në AKM. Gjithashtu ARM nuk disponon lejet mjedisore të tipit A dhe B të lëshuara ndaj subjekteve që ushtrojnë aktivitet në zonën e guroreve. Nga anketimi i grupit të auditimit me banorët e zonë ka rezultuar po kështu se ata vuajnë nga një sërë sëmundjesh të cilat edhe OBSH i lidh drejt për së drejti me efektet e ndotjes së ajrit. Pyetjes lidhur me diagnozën sa i takon sëmundjeve ka rezultuar se një pjesë e madhe nuk ka raportuar mbi sëmundjet ndërsa disa pres tyre vuajnë nga sëmundje të rrugëve të frymëmarrjes, alergji dhe tumore në mushkri etj (më poshtë grafiku).

Nga anketimi ka rezultuar se prezenca e institucioneve përgjegjëse për inspektimin, monitorimin dhe mbrojtjen e shëndetit pranë kësaj zone është inekzistente. Banorët e zonës nuk e kanë të qartë kujt duhet t’i drejtohen lidhur me ankesat e tyre për sa i takon problematikave të shkaktuara nga guroret e zonës, si dhe në 67% të rasteve ata nuk janë ankuar fare pranë këtyre institucioneve. Masat e marra nga qeverisja qendrore dhe lokale për përmirësimin e cilësisë së ajrit për banorët e zonës së Urës Vajgurore ende vazhdojnë të jenë të pamjaftueshme, përveçse inefektive dhe ineficiente. Funksioni i inspektimit dhe i monitorimit të operatorëve ekonomik nga institucionet përgjegjëse vazhdon të jetë i cunguar, për aq kohë sa nuk u është dhënë zgjidhje problemeve madhore që hasin institucionet në përmbushjen e këtyre dy funksioneve. Në mungesë të mjet/laborator për matjen e këtyre shkarkimeve në terren dhe akreditimit/kalibrim të laboratorëve private që ofrojnë vetëmonitorim për subjektet shfrytëzuese të karrierave sipërfaqësore, sistemi i ngritur funksionon vetëm në përfitim të subjekteve private, duke penalizuar cilësinë e ajrit dhe shëndetin e banorëve të Urës Vajgurore.