Përmbytjet dhe vjedhjet e makinave tmerrojnë qytetet

322
Sigal

Sheshet, rrugët dhe lagjet e qyteteve përbyten nga shirat. SPAK të nisë hetimet për abuzimet me investimin prej 450 miliardë lekë të “Rilindjes Urbane”. Ndërkohë banorët e kryeqytetit ndihen të pasigurt ku ditën dhe natën po grabiten makina. Ja 8 automjetet e vjedhura që u gjetën të çmontuara një natë më parë.

 

Hijet e skandalit të hapur me gjoja “Rilindjen Urbane”

Qytetarët çdo vit përballen me të njëjtën situatë, atë të përmbytjes të qyteteve, ku qytetarët nuk i shpëtojnë dot, edhe pse plot 360 milionë euro janë derdhur nga Kryeministri Edi Rama për të ashtuquajturën “Rilindja Urbane”. Investimet gjysmake vërtetojnë dështimin e këtij projekti, nga ku janë zhvatur taksapaguesit shqiptarë për përfitim të mbi 330 kompanish shqiptare që rezultojnë se kanë fituar kontrata të prokurimit publik nga ‘torta e madhe’ e ‘Rilindjes Urbane’. Nga këto, 19 kanë fituar kontrata me vlerë zero lekë, ndërsa 50 të tjera kanë fituar në total kontrata me vlerë më të ulët se sa 10 mijë euro. Pjesa e luanit i përket 10 kompanive të mëdha, të cilat kanë fituar së bashku 122 milionë euro nga projektet e përfshira në database, ose 33% të fondit total prej 360 milionë eurosh. Nga të dhënat rezulton se përfituesit më të mëdhenj janë bashkitë Tiranë, Korçë, Fier dhe Durrës, të cilat kanë përfituar së bashku 30% të të gjitha fondeve të përshkruara në databazë.

Impakti i projekteve

Projekti i ‘Rilindjes Urbane’ nuk është i pari i këtij lloji për qeveritë e Shqipërisë. Në vitin 2011, qeveria e atëhershme, krijoi Fondin e Zhvillimit të Rajoneve, në të cilin, njësoj si me këtë program, qeveria qendrore vendoste të financonte projekte të ndryshme, më së shumti rrugë vendore apo ujësjellësa, të cilat në shumë raste mbetën gjysmë të përfunduara. Mesa duket përpos faktit që qytetet përmbyten çdo vit nga rreshjet e dendura të shiut, impakt pozitiv ka patur në krijim me sukses avantazhe në zgjedhjet parlamentare 2017 dhe lokale 2019.

Politikës së bindjes së votuesve përmes ekspozimit të tyre ndaj projekteve rinovuese të punëve publike, është një mënyrë për të hedhur hi në sytë e qytetarëve.

Qytetet e përmbytura, qytetarët apel për ndihmë

Rruga Durrës-Shijak, e cila është rikonstruktuar vetëm pak kohë më parë, dje ka përfunduar në një gjendje të mjerueshme pas shirave që përfshinë qarkun. Mirëpo në fund të prillit 2019, vit ky që përkon me programin e ‘Rilindjes Urbane’, filloi dhe procesi i rikonstruksionit për këtë aks. Investimi nisi me rrjetin e ri të ujësjellësit dhe sistemimit të kanalizimeve në këtë zonë. Investimi parashikonte zëvendësimin e linjës së vjetër me një të re, por që mesa duket nuk ka kryer punë. Bashkia Finiq ka pasur probleme si pasojë e motit i keq, me shira të rrëmbyer me përmbytje tokash edhe banesash. Në Vlorë, rrugët e qytetit bregdetar janë mbushur me ujë duke sjellë problematika të mëdha në qarkullimin e mjeteve. Banorët shprehen të shqetësuar dhe nga situata atmosferike, e cila ka parashikuar shtim të rreshjeve të shiut, dhe bëjnë apel për ndihmë.

Ja skema e vjedhjes së makinave, çmontimi dhe më pas shitja

Vjedhjet bëjnë kërdinë në kryeqytet, vidhen tetë makina

Një nga fenomenet shqetësuese sa i takon kriminalitetit në kryeqytet në fillim e vitit 2021, është vjedhja e automjeteve.

Ditën e djeshme, Policia e Tiranës ka arrestuar një 39-vjeçar, pasi dyshohet të jetë autor i vjedhjes së të paktën tetë automjeteve.

Në pranga ka rënë M.O., 39 vjeç, banues në Dibër, i dënuar më parë për veprën penale “Vrasja e mbetur në tentative”.

Sipas uniformave blu, arrestimi i tij ka ardhur pas finalizimit të operacionit i koduar “Shupenza”. Nga hetimet dhe provat e siguruara ka rezultuar se ky shtetas është autor i dyshuar i tetë rasteve të vjedhjes sw automjeteve në qarkun e Tiranës.

Ja si u zbulua hajduti “serial” i makinave

Finalizohet nga Komisariati i Policisë Nr. 4, operacioni policor “Shupenza”, për zbardhjen e vjedhjeve të automjeteve. Shtetasi studionte vendet dhe mjetet që vidhte, vepronte në orët e vona të natës, duke krijuar kushte dhe duke ndërprerë ndriçimin elektrik të vendeve ku ishin parkuar këto automjete. Po nga hetimet dyshohet se ky shtetas, makinat e vjedhura i çmontonte për t’i shitur për pjesë këmbimi. Autori shkonte në vendin e ngjarjes për të kryer vjedhjet me mjetet që përdorte për realizimin e vjedhjeve.

Nga hetimet dhe provat e siguruara ka rezultuar se ky shtetas është autor i dyshuar i 8 rasteve të vjedhjes dhe tentativës për vjedhje automjetesh në qarkun e Tiranës, konkretisht:

Tentativës për vjedhje të automjetit në pronësi të shtetasit F. P., ngjarje e ndodhur më datë 05.01.2021;

Vjedhjes së automjetit në pronësi të shtetasit R. H., ngjarje e ndodhur më datë 01.10.2020, në rrugën “Shefqet Kuka”;

Vjedhjes së automjetit në pronësi të shtetasit O. F., ngjarje e ndodhur më datë 18.08.2020, në rrugën “Shefqet Kuka”;

Vjedhjes së automjetit në pronësi të shtetasit D. G., ngjarje e ndodhur më datë 29.06.2020, në rrugën e Dajtit;

Vjedhjes së automjetit në pronësi të shtetasit E. B., ngjarje e ndodhur më datë 27.05.2020, në rrugën “Muhamet Deliu”;

Vjedhjes së automjetit në pronësi të shtetasit A. V., ngjarje e ndodhur më datë 05.02.2020, në rrugën e Dajtit;

Vjedhjes së automjetit në pronësi të shtetasit J. B., ngjarje e ndodhur më datë 24.12.2020, në rrugën “Fadil Deliu”;

Gjithashtu, nga kontrollit i servisit të këtij shtetasi, në Shupenzë, Bulqizë, në bashkëpunim me Policinë e Bulqizës, është gjetur dhe sekuestruar një automjet pa targa, i dyshuar në pronësi të shtetasit A. K., i vjedhur nga shtetasi M. O. më datë 16.10.2020, pjesë automjetesh dhe sende që përdorte për të kryer vjedhjet.