Përmbaruesit Privat: Ministri i Drejtësisë, presion për zgjedhjen e kreut të Dhomës sonë

775

Pas dështimit të mbledhjes së parë me kërcënime, fikje dritash e ndërhyrjes së policisë, rritet presioni për të fituar i përzgjedhuri i pushtetit

Thellohet skandali për zgjedhjen e kreut të Përmbaruesve Privatë të Shqipërisë. “Ndërhyrjet e Ministrisë së Drejtësisë deri në presione e shantazhe që sollën dështimin e zgjedhjes së kreut të Dhomës Kombëtare të Përmbaruesve Privatë vazhdojnë me forma të tjera, duke bërë që zgjedhjet e parashikuara për më datën 1 nëntor 2014 të jenë të paracaktuara, duke zgjedhur (emëruar në fakt) ortakun e vëllait të ish-ministrit të Drejtësisë Fatmir Xhafa. Për këto ndërhyrje flagrante me heqje arbitrare nga lista e votimit të përmbaruesve që janë deklaruar kundër kandidatit të pëlqyer nga qeveritarët, pjesëmarrja në votime e përmbaruesve që janë me ‘arrest shtëpie’, të shumë të tjerëve që janë në punë shtetërore (nuk u lejohet me ligj pjesëmarrja në votime), zhvillimi i mbledhjes në mjediset e ministrisë e nën presionin e funksionarëve të saj, kanë paracaktuar fituesin në balotazh. Për këtë skandal ne kemi njoftuar zyrtarisht Ambasadën Amerikane (bashkë me videon e presionit, fikjes së dritave e ndërhyrjen e policisë në mbledhjen e parë), ambasadat e tjera si dhe organizmat ndërkombëtare. Ne akuzojmë direkt ministrin e Drejtësisë, Nasip Naço dhe kërkojmë normalitet e zbatimin e ligjit”- pohon për “Telegraf”, Fatos Alimadhi, zëvendëstitullar i Dhomës Kombëtare të Përmbaruesve Privatë të Shqipërisë. Ai, i shoqëruar nga një grup përmbaruesish konfirmojnë se, “jemi përfaqësues të 80 përmbaruesish, nga 140 që janë gjithsej, që kërkojmë ndalimin e dhunës verbale, presioneve dhe zhvillimin normal të balotazhit”. Ja situata dhe akuzat sipas tyre…

Cilat janë shqetësimet në prag të balotazhit për kreun e Dhomës Kombëtare të Përmbaruesve Privatë?

-Shqetësimet ne i kemi bërë prezent pas skandalit që ndodhi më 18 tetor, kur presionet e funksionarëve të Ministrisë së Drejtësisë, deri me fikje dritash, përjashtime nga votimi, pranimi i njerëzve me ‘arrest shtëpie’, solli një situatë të rënduar në balotazhin midis Tedi Malavecit që përkrahet nga shteti dhe kolegut tonë Alsid Kamberi që mbështetet nga shumica e përmbaruesve… Por me gjithë ndërhyrjen, mbledhja dështoi. Votimet janë lënë në datën 1 nëntor, por që ne e kundërshtojmë, pasi është thelluar më tej skandali, ndërhyrja, për të cilat ne akuzojmë direkt ministrin Naço… Ne kemi njoftuar për shqetësimin ambasadën amerikane e gjithë institucionet ndërkombëtare në vendin tonë…

Më konkretisht?

-Mbledhja zhvillohet në të njëjtën sallë, në Ministrinë e Drejtësisë, aty ku u zhvillua dhe më parë. Pra, aty ku presioni shtetëror ishte fare i hapur, u fikën dritat kur u pa qartë nga reagimi se nuk ishte votuar kandidati i pëlqyer, si dhe u bë ndërhyrja e policisë duke na nxjerrë jashtë. Pra, do të përsëritet e njëjta skenë si radhën e parë. Gjithashtu është shtuar presioni shtetëror mbi përkrahësit e Alsid Kamberit dhe janë lejuar të jenë të pranishëm përmbarues që janë me masë arresti… Po ashtu, do të votojnë dhe ish-përmbarues që sot janë në detyra shtetërore që u ndalohet rreptësishtë me ligj votimi…

Cilët janë këta?

-Ja, në mbledhjen e parë dhe në listën e votimit për në datë një nëntor, është dhe Mehmet Çërraga nga Elbasani, i cili, që nga 22 shkurti i këtij viti, është  me masën e sigurisë “Arrest shtëpie”. Pra, ky do të votojë për kandidatin e zyrtarëve. Për të gjitha këto, ne kemi listat, vendimet, dokumentet zyrtare që ua kemi dorëzuar organizmave ndërkombëtare, po ua japim në dispozicion dhe ju. Ka ish-përmbarues si B. Begteshi (numri 15 në listën e votuesve) apo drejtori i Hipotekës së Koplikut që do të votojnë… Edhe S. Tafaj, është me licencë të pezulluar, por votoi në mbledhjen e parë dhe do të votojë edhe në këtë mbledhje. Ndërkohë, të përjashtuarit që janë mbështetës të rivalit të zyrtarëve janë shumë…

Kush janë ata dhe pse janë përjashtuar?

-Çuditërisht, falë presioneve e ndërhyrjeve, në listën që do votohet edhe më 1 nëntor (që ligjërisht hartohet nga Dhoma e Përmbaruesve, por në fakt ka qenë presioni i funksionarëve të ministrisë), janë përjashtuar ata që janë deklaruar kundër kandidatit të preferuar nga zyrtarët… Përkatësisht janë përjashtuar Ardian Bashllari, Klodiana Tabaj, Anastas Kote, Julian Përgegaj, Albert Sinaj, Jonida Ujkashi… Në vazhdën e presionit, pas dështimit të mbledhjes së parë, u përfshinë dhe institucione të tjera shtetërore. Kështu, menjëherë, të nesërmen e mbledhjes, 5 përmbarues mbështetës të kandidatit të padëshiruar nga zyrtarët, përkatësisht Artan Sina, Zyber Shehu, Erion Bejko, Bujar Shehu e Klodiana Tabaj, u gjobitën dhe u paditën nga ILDKP për mos deklarim pasurie. Pra, këta nuk do jenë në votimin e ardhshëm…

Cilat kanë qenë dhe cilat do jenë hapat tuaj në këtë situatë?

-Ne kërkojmë zbatimin e ligjit e t’i jepet fund këtij skandali e kësaj ndërhyrje. Për më tepër, kur ndërhyrjet, shantazhet, presionet e deri tendencat për falsifikim votimi me fikje dritash e ndërhyrje policie, kur bëhen nga funksionarë e në godinën e Ministrisë së Drejtësisë, marrin një shije të hidhur dhe të dënueshme… Thashë më lart që ne jemi të vendosur, pavarësisht këtyre presioneve, për të kërkuar zbatimin e ligjit. Për skandalin, ndërhyrjet direkt apo indirekt nga funksionarë të shtetit, ne kemi dokumentuar gjithçka, dokumente zyrtare dhe filmime… Këto ua kemi bërë prezent, siç thashë më lart, jo vetëm institucioneve më të larta të shtetit shqiptar, por dhe ambasadave të huaja dhe organizmave të tjera europiane…