U lanë jashtë Kuvendit, gazetarët do të protestojnë sot, kundër vendimit të Gramoz Ruçit

171
Sigal

Gazetarët pritet të mblidhen sot në orën 09:00 për të zhvilluar një protestë kundër vendimit të marrë nga Kuvendi i Shqipërisë, që i lë ata jashtë seancave parlamentare.

Në orën 09:00, pjesëtarët e pushtetit të katërt do të vendosen para Kuvendit të Shqipërisë, para nisjes së seancës plenarë për të zhvilluar një protestë paqësore.

Lajmin e bënë me dije vetë gazetarët një ditë më parë, teksa ftuan të gjithë kolegët e tyre që të merrnin pjesë në këtë protestë. Duke e quajtur një betejë për fjalën e lirë, gazetarët iu lutën televizioneve që t’i raportojnë.

Njoftimi i plotë:

Eja KUVENDojmë! Vendimi i Byrosë së Kuvendit për të përjashtuar gazetarët e akredituar nga aksesi i komisioneve parlamentare është cënim i pastër i punës sonë dhe lirisë së medias!

Përmes një organizimi spontan, sencibilizues ditën e mërkurë datë 09/06/2021 ftohen të gjithë gazetarët që janë të akredituar në Kuvendin e Shqipërisë që në orën 09:30 para seancës plenare të marrin pjesë në një protestë kundër kësaj vendimarrjeje!

PS. Janë të lutura redaksinë e televizioneve të mundësojnë akses për këtë protestë! Kjo është një betejë për fjalën e lirë dhe raportimin e pavarur.

Ky reagim erdhi katër ditë pasi Kuvendi publikoi vendimin që përjashton gazetarët nga transmetimi i pavarur i punimeve të Kuvendit dhe Komisioneve Parlamentare.

Ky vendim mban firmën e kryeparlamentarit Gramoz Ruçi dhe synon që ti “akomodojë” gazetarët në një zyrë, ku do të ndjekin përmes ekraneve dixhitale punimet e Komisioneve.

Por vendimi bie ndesh me të drejtën e informimit dhe transparencën e zyrtarëve të lartë.

Vendimi është kundërshtuar nga shoqatat e gazetarëve dhe organizatat e fjalës së lirë ndërkohë që nuk ka asnjë reagim nga Komisioneri për të Drejtën e Informimit.