Përgjimet, 435 mijë euro iu zhvatën qytetarëve/ Prokuroria e Përgjithshme fsheh detajet e kontratës së tenderit

112
Sigal

Prokuroria e Përgjithshme ka shpallur një tender me vlerë 435 000 mijë euro që ka si objekt mirëmbajtjen e sistemit të përgjimit për tri vitet e ardhshme.

Tenderi është fituar nga një kompani italiane që operon në treg me emrin “IPS spa Italia”, me numër  NIPT-i, 02021190596.

Detajet e kontratës nuk dihen, gjithashtu nuk dihet nëse ka pasur edhe kompani të tjera në garë.

Prokuroria e Përgjithshme ka zgjedhur t’i fshehë detajet, të mos jetë transparente për arsye që nuk dihen.

Por ajo që dihet e sigurtë është se qytetarët shqiptarë do të paguajnë për tri vite radhazi, mbi 400 mijë euro, për përgjimet e prokurorëve.

Spiunimet, siç i quan populli, do të paguhen shtrenjtë nga xhepat tanë.

Përveç Prokurorisë së Përgjithshme, një zyrë përgjimi, ka edhe Struktura e Posaçme Antikorrupsion.


Miliona do të paguajnë shqiptarët edhe për të siguruar përgjimet e SPAK-ut.

Kujtojmë se gjatë vitit 2021, sipas të dhënave zyrtare të Prokurorisë së Përgjithshme, rreth 2200 persona janë përgjuar, ndërsa SPAK-u ka përgjuar për llogari të tij 1500 persona.

Gjatë vitit 2021 është përdorur përgjimi i komunikimeve elektronike nga prokurorët në fazën e hetimeve paraprake si mjet për sigurimin e provës në 655 procedime penale.

Është realizuar përgjimi për 3664 pajisje fundore në përdorim të 3412 subjekteve ndaj të cilëve ishte lejuar përgjimi.

Në 683 raste përgjimi është urdhëruar/autorizuar nga vetë prokurori, bazuar në nenin 222, pika 2 e Kodit të Procedurës Penale.

Në total janë ekzekutuar nga Bërthama Komanduese Elektronike 1534 vendime të Gjykatës nga të cilat 610 janë vendime lejimi përgjimi marrë mbi kërkesën e prokurorit.

455 raste janë vendime të gjykatës, e cila ka vleftësuar kërkesën e prokurorit për rastet kur është aplikuar neni 222, pika 2 e Kodit të Procedurës Penale, në 469 raste është miratuar nga gjykata zgjatja e afatit të lejimit të përgjimit dhe vetëm në 2 raste gjykata ka refuzuar kërkesën e prokurorit për lejimin e përgjimit.

Në 58 raste të lejimit të përgjimit, vetë prokurori ka urdhëruar ndërprerjen e tij me akt të motivuar.

Në përballje me volumin më sipër, oficerët e policisë gjyqësore të sektorit kanë mundësuar përgjimin dhe në përfundim rezulton të jenë prodhuar 14.364 procesverbale transkriptimi të shoqëruara nga 3505 CD/DVD./CNA.al