Dallëndyshet e Kosovës që erdhën në janarin e akullt në nderim të Heroit Kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeu

1034
Prof. Dr. Agron F. Fico, H.C.

Dallëndyshet që erdhën në janarin e akullt
Studiuesit e parë të Kosovës në Shqipëri
Viti i ri 1968 hyri i ftohtë, me acar të akullt. Nga radio “Tirana” dëgjoheshin lajmet se dëbora kishte mbuluar pjesën kryesore të Shqipërisë. Madje edhe mimozat që harliseshin në të dyja anët së rrugës “Miqësia” ishin mbuluar me ca flokë dëbore. Shqipëria po përgatitej të nderonte 500-vjetorin e vdekjes së Heroit të vet kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeut. Qysh një vit më parë, më 1967, me një vendim të posaçëm të qeverisë ishte miratuar një program i gjerë për të festuar këtë përvjetor historik. Ishte krijuar një komision qendror me në krye Kryeministrin, por punën kryesore do të kryente Akademia e Shkencave, që kishte kryetar historianin e shquar prof. Aleks Budën. Në të gjithë programin qeveritar, aktiviteti më i rëndësishëm ishte organizimi i një konference ndërkombëtare albanologjike me temën “Skënderbeu dhe epoka e tij”. Punonjësit shkencorë të instituteve me profil albanologjik do të mbanin peshën kryesore në përgatitjen e kumtesave dhe diskutimeve shkencore. Ftesa iu dërguan edhe shumë specialistëve të huaj, të njohur për interesin e treguar në fushën e studimeve shqiptare. Pritej të vinte edhe një grup studiuesish nga Kosova, por qeveria jugosllave nuk po lëshonte vizat e daljes. Në mbrëmjen e datës 5 janar gjithçka ndryshoi. Universiteti u lajmërua se një grup specialistësh shqiptarë të Kosovës kishin marrë viza dhe ishin nisur për Shqipëri. Ishte dimër dhe errej shpejt. Aty nga ora tetë e darkës ra telefoni dhe në linjë ishte vetë rektori i universitetit Kahreman Ylli, i cili, si gjithmonë, me delikatesë më ftonte t’i shkoja në zyrë, se do të më komunikonte diçka me rëndësi. Apartamenti im ishte afër godinës së rektoratit, ndaj pas afro 20 minutash isha në zyrën rektorit. Pasi më ofroi të pinim nga një gotë çaj, më tha se ishin nisur për në Shqipëri një grup intelektualësh kosovarë, që do të merrnin pjesë në konferencën për Skënderbeun. Ata, sqaroi rektori, do të hynin nga Qafë e Thanës. Bashkë më e gëzimin për ardhjen për herë të parë të përfaqësuesve të Kosovës, rektori ishte i merakosur për pritjen e tyre, se ishte vonë dhe në të gjithë zonën Tiranë-Elbasan-Librazhd binte dëborë. Më dha një sërë porosish dhe më tha se kishte biseduar me drejtuesit e parë të këtyre rretheve që të jepnin gjithë përkrahjen e nevojshme për pritjen e vëllezërve kosovarë. Bashkë më mua, për të më ndihmuar erdhi edhe një punonjës tjetër i universitetit, Zihni H. Kur arritëm në pikën doganore të Qafë Thanës, sapo kishin arritur miqtë tanë me “kerret e tyre” (deformim i fjalës angleze “car” për “makinë e vogël”). Sapo kaluan trarin ndarës të doganës dhe hynë në truallin shqiptar, prof. Idriz Ajeti u ul në gjunjë dhe puthi tokën. Të gjithë ishim të mallëngjyer. U përqafuam me njëri-tjetrin si vëllezër dhe, pasi hodhën nga një gotë konjak “Skënderbeu”, që e kishim sjellë me vete, u nisëm për Tiranë; ndërsa dëbora na shoqëroi gjer në hyrje të qytetit. Studiuesit nga Kosova u caktuan të rrinin në hotel “Dajti”. Në këtë dërgatë bënin pjesë prof. Idriz Ajeti, dr. Mark Krasniqi, prof. Syrja Popovci, folkloristi dhe burri i urtë Anton Çeta dhe studiuesi i ri Zef Mirdita. Lajmi për ardhjen e intelektualëve nga Kosova u përhap shpejt dhe para hotel “Dajtit” vinin vazhdimisht njerëz që t’i takonin a t’i përshëndetnin. Por kriteret e atëhershme për takimet me “miqtë e huaj” i vështirësonin këto takime. Studiuesit kosovarë me kumtesat që mbajtën, në kontaktet me kolegët, publikun dhe në takimet me autoritetet e vendit, shfaqën dashuri të prushtë, mall dhe dëshira fisnike. U ndritnin sytë, u qeshnin rrobat dhe gjithnjë shprehnin kënaqësinë që kishin ardhur në Shqipëri. Ata morën më vete edhe mjaft zhgënjime, kur panë varfërinë në të cilën jetonim e, mbi të gjitha, mbylljen e Shqipërisë ndaj botës së jashtme. Ndonjëri prej tyre pati rastin fatkeq “të shijonte” edhe bëmat e Sigurimit të Shtetit, punonjësit e së cilit ndaluan profesor Anton Çetën që të takohej me të vëllanë, kardiolog i njohur në Durrës. Intelektualët e ardhur nga Kosova u trajtuan me statusin më të lartë protokollar. Ata, në të gjitha veprimtaritë kushtuar 500-vjetorit të Skënderbeut, vinin menjëherë pas drejtuesve të lartë shtetërorë. Kështu morën pjesë në përurimin e zbulimit të vend-prehjes së Skënderbeut në Lezhë, në përurimin e përmendores se Heroit tonë kombëtar në Krujë dhe në ceremoninë për hapjen e muzeut historik për epokën, luftërat dhe për personalitetin udhëheqës të Skënderbeut. Pas përurimit të shtatores së Skënderbeut, të pranishmit: udhëheqja dhe të ftuarit u nisën për në kështjellë ku ishte ndërtuar muzeun historik. Ndërsa ishim futur në rrugicën e pazarit tradicional të qytetit të Krujës, më njoftojnë se të ftuarit nga Kosova do t’i priste Enver Hoxha. Në këtë takim ishte vetëm grupi i intelektualëve, Sulo Gradeci dhe unë si shoqëruesi i tyre. Pas përshëndetjeve dhe kafesë së rastit, Hoxha zhvilloi një bisedë të gjatë me intelektualët. Ai shprehu dashurinë dhe gëzimin e popullit shqiptar, që njerëzit e shquar të Kosovës ishin të pranishëm në këtë ngjarje. Në vazhdim Hoxha parashtroi shtruar disa mendime për marrëdhëniet e Shqipërisë me Kosovën dhe të ardhmen e tyre.

Më 1946 – vazhdoi Enver Hoxha – isha për vizitë në Jugosllavi. Atje u takova disa herë edhe me Titon. Në një ndër këto takime Titua m’u drejtua dhe më pyeti drejtpërsëdrejti: “Enver, ç’mendon ti për Kosovën? Aty për aty ia ktheva: Kosova është e Shqipërisë. Titua ndërhyri dhe tha: “Mirë, po këtë gjë nuk mund ta pranojnë serbët!” Hoxha i kishte thënë Titos: “Në qoftë se serbët nuk e pranojnë, si mundet ne, shqiptarët, të jemi dakord? Kosova ka qenë dhe është pjesë e Shqipërisë.” Isha përqendruar tërësisht në mbajtjen e shënimeve, por vetëtimthi vura re se fytyrat e pjesëmarrësve ishin çelur. Ndonjëri ishte duke rrufitur kafenë dhe për një çast zotëroi një heshtje çlodhëse. Enver Hoxha, duke kulmuar mendimet e veta, iu drejtua atyre:

“Vëllezër kosovarë! Në qoftë se Jugosllavia sulmon Shqipërinë, ne do ta thyejmë, do ta sprapsim. Dhe Kosovën do ta marrim dhe do ta bashkojmë me Shqipërinë”. Fjalinë e fundit e shoqëroi me një gjest të dorës që shënonte bashkimin e pjesëve në një të tërë. Pastaj Hoxha kaloi në një çështje tjetër, në marrëdhëniet kulturore me Kosovën dhe në problemin e librave shkollorë. “Edhe për sa i përket dërgimit të librave nga ana jonë për rininë shkollore në Kosovë, po krijohen pengesa artificial.” Në fund të kësaj bisede ai shtoi: “Nuk do të kursejmë asgjë për të ndihmuar nxënësit dhe rininë shkollore të Kosovës me libra në gjuhën shqipe. Mësuesit dhe profesorët tanë janë të gatshëm të vijnë aty dhe të japin mësim dhe leksione në këto shkolla…”

Kësaj bisede i kishte ardhur fundi. Hoxha u ngrit nga vendi dhe priu përpara, pastaj iu drejtua studiuesve shqiptarë nga Kosova: “Ejani të shkojmë në kala, të nderojmë veprën dhe figurën e Heroit tonë kombëtar!” Ata që ishin të pranishëm në atë bisedë të hapur dhe vëllazërore dukej se përjetuan një ndjenjë të thellë dhe të ngrohtë për përkushtimin e Shqipërisë ndaj fatit të Kosovës.

Punimet e konferencës shkencore mbaheshin në mjediset e Kuvendit Popullor (ku është edhe sot). Ndodhte që herë pas here, midis pushimeve, miqtë nga Kosova shkonin në Pallatin e Kulturës për të pirë kafe, ku me ta bashkoheshin edhe profesorë dhe studiues të Shqipërisë. Ndodhi që, në një nga këto kafe-pushim, erdhi edhe Beqir Balluku, anëtar i Byrosë Politike dhe Ministër i Mbrojtjes, i veshur civil. Si u përshëndet me studiuesit kosovarë filloi me ta një bisedë të stërzgjatur prej disa orësh. Beqir Balluku, që nuk shquhej për ndonjë oratori, ishte akoma më i dobët në debate dhe dialogë. Kjo u duk edhe nga fakti se gjatë atyre orëve ai piu gati dy paketa cigare të markës “Partizani”. Gjer sot nuk e kam kuptuar se përse duhej ajo bisedë e stërzgjatur dhe e lodhshme e Beqir Ballukut, të nesërmen e bisedës me Enver Hoxhën. Studiuesit nga Kosova, të fushave të ndryshme të kulturës dhe shkencës, zhvilluan mjaft takime dhe biseda me punonjësit shkencorë të Shqipërisë, me të cilët edhe vendosën marrëdhënie bashkëpunimi të mëtejshëm shkencor. Intelektualët nga Kosova, që erdhën në atë janar të akullt, në thëllimin e 1968-ës në Shqipëri për konferencën ndërkombëtare kushtuar Heroit tonë Kombëtar, u bënë dallëndyshet e para të atij procesi historik të afirmimit të mëtejshëm të intelektualëve shqiptarë të një kombi. Në epilog mund të thuhet se u deshën plot 40-vjet që Kosova më 2008 të shpallte pavarësinë nga pushtimi serb dhe të ndërtonte shtetin demokratik pluralist. Të dyja shtetet tona, Shqipëria dhe Kosova, kanë hyrë në rrjedhën historike të bashkimit, realizimit të ëndrrës së tyre – një gjuhë, një flamur, një komb dhe një shtet. Në vitin 2018 Shqipëria dhe Kosova, me një program të përbashkët, do të nderojnë 550-vjetorin e vdekjes së Skënderbeut, po ato dallëndyshe që erdhën në janar acar të viti 1968 nga Kosova për të njëjtin jubile, si duket provuan se edhe në thëllimin e janarit dallëndyshet mund të paralajmërojnë pranverën e një kombi.
Sigal