Përgjegjësia për të ndërtuar një atdhe për të gjithë

895
Thanas L. GJIKA

– Vijon nga numri i kaluar –
Duke pasur parasysh faktin se ky shkrim titullohet “Dyshim” dhe fillon me shprehjen: “Zhvillimi është ndryshim…”, kuptohet ideja që do të komunikojë autori: Në Shqipëri përderisa nuk ka ndryshuar gjë, nuk ka zhvillim të vërtetë ndonëse vendi është mbushur me pallate, lokale, hotele e rrugë të reja… Edhe në këtë vepër ka disa artikuj kritikë për vepra letrare. Një ndër to është romani autobiografik “Jetë nën diktaturë’” i Hasan Kostrecit. Mbyllja e tij me largimin e familjes së autorit nga atdheu mbas shkërmoqjes së diktaturës, tregon se e keqja nuk ka marrë fund, prandaj shpëtimi kërkohet duke ikur. (f. 78).

Vëllai i Hasan Kostrecit, Urani, njeri i burgosur e internuar për 25 vjet, e gjeti frymëzimin për të hartuar poemën e tij satirike “Epopeja e karkalecave dhe agonia e karkalecave” (Ribotim ONUFRI, Tiranë 2011) te realiteti shqiptar i viteve 1991-1992, kur ish-ët e diktaturës u mënjanuan nga pushteti. Disa vargje, si parandjenjë, poeti i kishte filluar që në burg, por u përfundua në vitin 1995. Ajo u shkrua dhe pati sukses si një kundërpërgjigje ndaj poemës “Epopeja e Ballit Kombëtar” të Shefqet Musarajt. “Një roman kafkian” e quan Lulushi artikullin që i kushton romanit filozofik “Atdhe tjetër” (MILOSAO, 2012) të Faruk Myrtaj, i cili jeton në Kanada prej vitit 2003. Të gjithë e dimë se një nga anët negative të politikës së brendshme të diktaturës komuniste ishte mbajtja e popullit nën terror, nën presionin e frikës. Frikë prej pushtetit, i cili të arrestonte dhe për një fjalë goje dhe frikë prej së huajës. Këto dy frikëra u degëzuan si kancer metastazik, thotë Lulushi, dhe kështu u krijuan frikë nga tjetri (edhe nga më i afërti), frikë nga e vërteta, frikë nga e drejta, frikë nga të menduarit, nga të krijuarit me frymëzim. E kjo situatë konkludon ai “ishte tharje shpirti” (f. 90). E keqja, thotë Lulushi, shpesh herë vjen nga lart (nga numri një) si gjë e vogël, por po të mos e kundërshtojë populli, ajo rritet dhe sjell pasoja katastrofike. Ai sjell shembullin e Hitlerit. Ky filloi të arrestonte disa hebrenj, shumë të tjerë i dëboi nga Gjermania si të padëshirueshëm, ata që mbetën i internoi në kampet e shfarosjes. Populli gjerman nuk u ngrit t’i kundërshtonte këto masa çnjerëzore ndaj qytetarëve gjermano-hebraike dhe Hitleri vijoi rrugën e tij, pushtoi Çekinë, Poloninë, u shtri gjithnjë e më shumë drejt Lindjes e Perëndimit duke shkaktuar miliona viktima dhe duke e bërë Gjermaninë dhe popullin gjerman simbol të së keqes. Po ashtu edhe diktatori shqiptar, Enver Hoxha, sapo erdhi në pushtet filloi të arrestonte e të vriste pa gjyqe ose me gjyqe false disa intelektualë e klerikë të formuar në Perëndim, shtetëzoi pa shpërblim pasurinë e tregtarëve, shpalli kulakë dhe i dënoi fshatarët që punonin më shumë, etj dhe populli shqiptar nuk kundërshtoi, por i pranoi këto raprezalje si masa revolucionare që bëheshin për të mirën e tij. Kështu e keqja nuk njohu ndalesë dhe arriti sa çdo shqiptar të kishte frikë nga hija e vet dhe ta duartrokiste diktatorin për çdo veprim e vendim edhe kur vriste e priste ish-partizanët, shokët e tij ministra e kryeministra, me synimin që t’ia linte pushtetin bashkëshortes së tij pa rivalë, po të rrethuar me puthadorë. Kritika ndaj popullit gjerman dhe atij shqiptar është e dukshme për mosveprim kundër së keqes nën diktaturë. Mirëpo autori ndalet deri këtu dhe nuk e vijon vështrimin kritik ndaj dy qëndrimeve të ndryshme që mbajtën këta dy popuj pasi kapitulluan diktaturat. Gjermanët e dënuan diktaturën naziste, diktatorin dhe shërbëtorët e tij, dhe shkuan përpara. Kurse shqiptarët nuk e dënuan diktaturën komuniste, diktatorin dhe shërbëtorët e tij. Një e keqe e re filloi t’i shfaqej popullit tonë pas ardhjes së ish komunistit Sali Berisha në pushtet. Ky me gojë shante gjithçka që lidhej me diktaturën dhe diktatorin, por pronat nuk ua ktheu të shpronësuarve; në poste qeveritare nuk ngriti të përndjekurit, por shokët e tij ish komunistë e shërbëtorë të regjimit të vjetër, lejoi korrupsionin, blerjen e votës, etj. Pikërisht këtu duhej sjellë e përmendur kritika që është bërë në ndonjë shkrim tjetër ndaj popullit shqiptar për mos-ngritje të zërit kundër të keqes së re që filloi të vinte nga lart pas vitit 1992 dhe vijon t’i vijë edhe sot nga pushtetarët e korruptuar. Lulushi preket nga fakti se trashëgimia letrare e krijuar prej të përndjekurve e të arratisurve nuk vlerësohet si duhet në Shqipërinë paskomuniste. Kështu që ai e priti me entuziazëm dhe e vlerësoi punën e Iliriana Sulkuqit e Kolec Trabohinit për grumbullimin dhe botimin e vëllimit poetik “Kujto Poetin” (ADA 2011), ku u riprodhuan nga 4-5 poezi të 40 poetëve që patën humbur jetën prej diktaturës. Për disa krijime të poetëve Lazër Shantoja, Trifon Xhagjika, Vilson Blloshmi, Arshi Pipa etj., studiuesi jep vlerësimet e veta. Njeri, që u detyrua të arratisej, sepse nuk gjeti drejtësi, respekt e vlerësim në atdhe, Lulushi i kthehet herë pas here përvojës së jetës politike, pushtetit të Shqipërisë diktatoriale për t’ua hapur sytë nostalgjikëve të diktaturës e diktatorit. Ai sqaron se në atë kohë marrja dhe ruajtja e pushtetit u bë i vetmi qëllim për numrin një të shtetit, kurse ideali u zbeh, pushteti u bë mjet në shërbim të vetes, ideologjia thjesht formë, sepse ajo që i bën gjërat të rëndësishme është përmbajtja dhe përmbajtja e vërtetë e ideologjisë ishte marrja dhe mbajtja e pushtetit. Forcë shtytëse u bë dëshira për pozitë dhe jo besimi në ideal. Më tej analisti Lulushi vijon: “Komunisti mesatar ishte jo fanatik, por thjesht karrierist cinik, i cili bënte atë që i duhej për të fituar një pozitë të favorshme, apo një cilësi më të lartë jete” (f. 129). Në atë regjim, Sigurimi i Shtetit ishte i domosdoshëm për funksionimin e regjimit, për krijimin e një shoqërie plotësisht të tejdukshme, të kontrolluar.

Mediokritet e paradokse
Vëllimi “Zhgënjime sporadike” është një vëllim ku autori ka përmbledhur poezi deri te faqja 90 dhe deri te faqja e fundit (190) analiza, përsiatje, ese, vëzhgime, etj. Si krijues, gazetar dhe analist Lulushi e ka kuptuar thellë situatën krijuese nën diktaturë dhe jep shpjegimin e tij origjinal: “…gjatë diktaturës, thuhet se u bë përparim në art e kulturë, ky rezultat erdhi jo nga shpërthimi, frymëzimi ose liria e krijimtarisë (kusht për kryevepra e kryemjeshtër), por ishte pasojë e frikës së dështimit, frikë e pandërprerë nga humbja e lirisë, derisa kjo frikë u bë forca shtytëse “motivuese”. Dhe kështu, këmbëngulja, virtyt në kohë lirie, me frikë dhe pa talent, u bë ves nëpërmjet të cilit mediokriteti arriti një farë “suksesi”, që vijon ende të vetëmburret” (f.135-136). Dhe duke kaluar te koha e sotme, autori sqaron se mediokriteti i djeshëm vijon sepse nuk po përfillen shumë arritje të reja në letërsi, art e shkencë meqenëse këto nuk sjellin fitime. Lulushi me arratisjen e tij bën pjesë në ata shqiptarë që arritën ta shkelnin frikën që ushqente tek ne regjimi. Kurse ata që mbetën brenda dhe krijuan kokulur duhet të pranojnë se bënë një kompromis me diktaturën për të jetuar më mirë, si dhe të shtyrë edhe nga indoktrinimi ideologjik. Thjesht ky kompromis ishte pasojë e mungesës së burrërisë dhe e formimit të keq. Kurse vetëmburrja e sotme e shumë ish krijuesve me veprat e asaj kohe dhe moskërkimi i të falurit për veprat e helmuara me ideologjinë komuniste, burojnë nga fakti se këta nuk duan të pranojnë paburrërinë dhe formimin e keq artistik e shkencor të djeshëm. Frikën nën diktaturë mund ta pranojmë si dukuri njerëzore, kurse frikën e sotme për të mos pranuar gabimet e së djeshmes dhe vetëmburrjen, i konsiderojmë mungesë morali, pra plotësisht të dënueshme. Jeta intelektuale në SHBA si gazetar kurioz që ka lexuar e lexon shumë në anglisht, Lulushi ka njohur momente të këndshme edhe nga jeta e artistëve të mëdhenj dhe ndalet të na tregojë momente pikante nga bashkëpunimi i artistëve të mëdhenj: Fotografit Gjon Milli me këngëtarin e aktorin Frank Sinatra dhe shkrimtarin Pol Sartër (Jean Paul Sartre). Këtë ai e bën që të na zbulojë karakterin dhe profesionalizmin e lartë të fotografit me origjinë shqiptare. Sinatra e shprehu me vargjet e një kënge të tij: “Shprehu guximshëm / me pak humor / dhe dyert hapen” (f.101). Kurse Sartri ndalet e shkruan më gjatë, midis tjerash dhe: “Milli është njeri kurth. Ai është plot marifete e lëvizje mashtruese që të çarmatosin; çdo fotografi e tij është një provë, një përpjekje” (f. 156). Ndonëse ky vëllim i Lulushit ka më pak shkrime se vëllimet e tjera, ai edhe këtu u ka lënë vend shkrimeve kritike për të vlerësuar krijimtarinë e disa krijuesve shqiptarë si Uran Kostreci, Faruk Myrtaj dhe poetit Sami Gjoka që shkuan anglisht. Thirrjet e Sami Gjokës studiuesi i quan “thumbuese, të ashpra… i drejtohet botës që të dëgjojë atdheu” (f. 166). Ndoj (Tony) Prendushi, një shqiptar i arratisur që jetonte një jetë të qetë në Kaliforni, kur mësoi se shqiptarët në atdhe dolën nga sundimi komunist shumë të varfër, u bëri thirrje miqve të vet, mblodhi ndihma dhe shkoi në atdhe ku me shpenzimet e veta jetoi e punoi disa vjet si humanist e bamirës për shpërndarje ndihmash midis të varfërve. Pas vitesh ai e rrëfeu veprimtarinë e tij bamirëse në atdhe në librin “Paqe dhe dashuni” (CAMAJ – PIPA, Shkodër 2010, 200 f.) shoqëruar me parathënie të Prof. Repishtit. Lulushi ndalet dhe tregon jetën e këtij shqiptari, sakrificat e tij dhe pasi vlerëson librin, na drejtohet tërthorazi ne lexuesve që jemi të dobët në këtë drejtim: “për bamirësi dhe humanizëm, dy fusha të gjera ndjenjash njerëzore, sado të punohet, kurrë nuk mund të thuhet se është bërë mjaft” (f. 132). Gazetari i VOA, Ilir Ikonomi, shkroi e botoi librin “Faik Konica – Jeta e tij në Uashington” (ONUFRI Tiranë 2011, 377 f.), një biografi shkencore e letrarizuar, përmes së cilës u zbuluan më tej mençuria ndriçuese, sjellja elegante, intuita për kompromis e Faik Konicës. Dhe Lulushi, koleg i autorit shkroi recensionin e vet, ku shpalosi arritjet e këtij studimi duke vlerësuar bashkëpunimin Konica – Zogu – Noli, grindjet dhe pajtimet midis tyre. Recensioni mbyllet duke kaluar te pasojat e ardhjes së regjimit komunist në Shqipëri: “regjim politik – pa asnjë mirëkuptim a ndjenjë tolerance – i cili shmangu ose asgjësoi njerëz me nivel dijesh dhe përbalti njohuritë e trashëguara, duke shpallur armik të vetët dhe gjithë botën” (f. 147). Si atdhetar shqiptaro-amerikan, Lulushi e ka njohur nga afër punën dhe vlerën e Shoqërisë “Vatra”, prandaj në 100-vjetorin e saj shkroi: “Federata “Vatra” i ngjan një besëlidhjeje – Lidhja e Lezhës, Lidhja e Prizrenit, Kongresi i Manastirit, Konferenca e Pezës (para se të tradhtohej) – të gjitha të krijuara në pika kthesash historike, dhe pasi përmend disa nga punët e saj atdhetare kulturore, kritikon qeverinë e sotme shqiptare që nuk interesohet për këtë institucion, më të lashtin e atdhetarisë dhe e ka lënë “Si një të moshuar pa pension – Monument Kulture që nuk mbrohet nga shteti shqiptar” (f.114). Njeri i sakrificave dhe i punës, Lulushi nuk i duron dot njerëzit me karakter të dobët, të cilët shquhen për mashtrime, grabitje të të mirave të të tjerëve, etj. Të tillë tipa ai i ka demaskuar tek shkrimi “Qyqet…”. Me të dhëna të mbledhura nga enciklopeditë për jetën e zakonet e zogut qyqe, autori na jep mundësi të nënkuptojmë sa të ulët e të rrezikshëm janë njerëzit që kanë tipare të ngjashme me këta zogj, pa përmendur fare fjalën njeri: “Si grabitqarë kanë frikë vetëm nga të vetët. Kjo tregon sa të rrezikshëm janë. Vetëm toka e djegur shpëton prej tyre. Me një fjalë, janë të pashpirt, kryesisht për shkak se pëlqejnë veten pothuajse po aq sa të tjerët i urrejnë” (f. 153). Shkrimi “Qyqet…” nuk është thjesht një ese për jetën e karakteristikat e zogut qyqe, por është një skicë letrare me kuptim metaforik, çka dëshmon se së shpejti prej këtij autor mund të kemi dhe krijime të tjera letrare, gjë që e ka parashikuar dhe miku i tij Dashnor Kokonozi te parathënia e librit të parë. Duke menduar për ngjarjet e viteve 1992-1993 dhe 1997, Lulushi përgjithëson: “Luftë deri në shkatërrim, këtë kah marrin përpjekjet kur mungon besimi” (f. 157). Kur përfaqësuesit e dy krahëve të politikës shqiptare i përdorin fjalët përparim dhe përparimtar duke i futur në thonjëza kur i referohen bëmave të krahut tjetër, analisti ngul këmbë: “diçka shqetësuese duket se ka ndodhur; njerëzit kanë humbur besimin në idenë e përparimit, pa të cilën shoqëria nuk është në gjendje të ndryshojë a përmirësohet si një e tërë, prandaj, konkludon ai, ia vlen të mendohet për rikthimin e tij” (f. 159). Pra rikthim në fillimet e pluralizmit shqiptar, çka do të thotë që partitë kryesore politike të braktisin planin Katovica e të rifillojnë një rrugë e re…
Sigal