Përcillet sot në banesën e fundit presidenti i televizionit “Fax News” Kasem Hysenbelliu

307
Sigal

Përcillet sot në banesën e fundit presidenti i televizionit “Fax News” Kasëm Hysenbelliu, i cili u nda nga jeta në moshën 59-vjeçare pas një beteje me COVID-19, të cilën nuk mundi ta fitonte me gjithë përpjekjet e mjekëve dhe mbështetjen e familjes.

Ceremonia mortore është parashikuar të mbahet në orën 11:00 në Sharrë gjithmonë nën zbatimin e rregullave të sigurisë dhe masave anti COVID.

Kasem Hysenbelliu, presidenti i televizionit Fax News dhe ish-drejtues i grupit mediatik News24, BalkanWeb, Gazeta Shqiptare, Radio RASH dhe gazetës “Panorama” u nda nga jeta mëngjesin e djeshëm në spitalin “Medical Park Florya” në Stamboll.

Hysenbelliu themeloi dhe administroi televizionin ‘Fax News’ që nga tetori 2017, ndërsa për vite me radhë drejtoi me përkushtim e sukses, media të rëndësishme mediatike, si Gazeta Panorama, e për vite me radhë televizionin News24, BalkanWeb, Gazeta Shqiptare e Radio Shqiptare.

I martuar, baba i dy fëmijëve, Kasem Hysenbelliu do i mungojë familjes, por edhe të gjithëve që e njohën dhe punuan me të. Ndarja e parakohshme dhe e papritur e tij nga jeta ka sjellë reagimet e shumë gazetarëve, personaliteteve, miqve e kolegëve.