Për italianët “matteottas”që luftuan në Delvinë

1000
Anastas GURMA

Në 8 shtator 1943 Marshalli Badolio, Kryeministër shpalli kapitullimin pa kushte të Italisë dhe tërheqjen e trupave italiane nga fronti i Luftës së Dytë Botërore kudo që ndodheshin. Në Shqipërinë e Jugut, në shtator të vitit 1943 ishin të dislokuara forca të Korparmatës së katërt të ushtrisë Italiane. Në zonën Gjirokastër –Sarandë vepronin Divizioni “Peruxhia” dhe Regjimenti i 49-të i Divizionit “Brenero”. Regjimenti i 49-të pas kapitullimit,mbrëmjen e 24 shtatorit u imbarkua në portin e Sarandës, në tre anije u nis në drejtim të Italisë për riatdhesim. Fatkeqësisht në mëngjesin e 26 shtatorit vargu i anijeve në afërsi të brigjeve Italiane u bombardua nga avionë Gjermanë duke pësuar një tragjedi të rëndë. Një pjesë e vogël e Regjimentit të 49-të mundi të shpëtonte. Ndërsa Divizioni “Peruxhia” i çarmatosur u përqendrua në qytetin e Sarandës. Komanda partizane e zonës së parë operative i bëri thirrje komandantit të Divizionit italian Ermesto Kiminello, që trupat të rreshtoheshin me forcat partizane,por ai nuk pranoi. Me këtë vendim 120 oficerë të Divizionit “Peruxhia” u pushkatuan nga forcat Gjermane në qytetin e Sarandës, ndërsa 8000 ushtarë mbetën në mëshirë të fatit. Me ndihmën e komandës partizane të vendit u shpërndanë në fshatrat e Konispolit, Delvinës dhe Sarandës. Në 15 Maj 1944 me ushtarët italianë që ishin të shpërndarë nëpër fshatrat e zonës së Delvinë-Konispol-Livadhja-Theollogo, u krijua batalioni partizan “Matteotti”. Ky batalion në fillimet e tij u rreshtua në Grupin e katërt Partizan “Çamëria” të zonës së parë operative Vlorë-Gjirokastër. Batalioni mori emrin e një luftëtari të lëvizjes antifashiste Italiane “Matteotti”. Efektivi i batalionit iu përgjigj thirrjes së Shtabit të Përgjithshëm të UNÇL, duke u inkuadruar vullnetarisht në rreshtat partizane. Në ditën e krijimit në batalionin “Matteotti” u rreshtuan 80 partizanë italianë. Me kalimin e kohës efektivi i këtij batalioni arriti deri në 150 partizanë. Në përbërje të tij kishte ushtarë polakë, çekë e gjermanë, të cilët kishin dezertuar nga ushtria gjermane. Komandanti i batalionit partizan “Peruxhia” u zgjodh togeri i artilerisë, Domeniko Giannantonio, profesor i gjuhës spanjolle. Komisar u zgjodh Giusepe Vasta me pseudonimin “Murati”, Giusepe fliste shumë mirë gjuhën shqipe (kemi të drejtë të mendojmë se ka qenë arbëresh). Në shtabin e batalionit bënin pjesë Tarquata Donati, Ezio Appiani, Alessandro Versiglia, kapiten Rosario Russo dhe togerët Pilleri e Zagaglio. Pietro Vaneti partizan i batalionit “Matteott”, i inkuadruar më parë në batalionin partizan shqiptar me rojet partizane të vendit në fshatin Pandalemon, më 16 Maj 1944 në ditarin e tij shkruante: “Është formuar një batalion partizan me italianë. Rekrutimi në këtë batalion përfshin përveç italianëve që luftuan në radhët e ushtrisë shqiptare edhe ushtarë italianë që kishin gjetur strehim pranë familjeve fshatare shqiptare”.Më tej në kujtimet e tij Vaneti shkruan: “Kushtet e këtyre, parë në një kuadër të përgjithshëm me vendasit atje ,ishin në kompleks të mira, do të thosha më të mira se sa në vendet e tjera të Shqipërisë jugore, ku lufta antiguerrile ishte më e rëndë dhe me pasoja për popullatën, e për pasojë më dramatike për italianët pas datës 8 shtator. Ushtarët italianë që pas kapitullimit punonin pranë fshatarëve, pranuan vullnetarisht rekrutimin pa asnjë lloj ankimimi. Nga ky kontingjent i ushtrisë Italiane në Ushtrinë Nacional Çlirimtare u rreshtuan 15000 partizanë Italianët, të cilët luftuan me armë në dorë deri në çlirimin e plotë të Shqipërisë,duke dhënë një kontribut të veçantë. Partizani i Brigadës-19 sulmuese,zëvendës komisar kompanie Kamber Haxhi, në kujtimet e tij shkruan: “Nga thirrja jonë një pjesë e italianëve u bashkuan me forcat partizane të zonës Konispol-Theollogo-Delvinë. Nga këto forca më vonë u krijua batalioni partizan “Matteotti” me rreth 100 partizanë. Komandanti i këtij batalioni ishte një oficer artilerie i quajtur Domeniko”. Batalioni “Matteotti”armatim bazë kishte armatim të lehtë pushkë “91”.Brigada e 19 sulmuese përveç batalionit “Matteotti”në përbërje të saj kishte partizanë italianë në togat e mortajave dhe skuadrat mitraljere, sepse ato ishin armatimi i tyre dhe ata ishin mjeshtër në përdorimin e tyre. Në çdo batalion të Brigadës së 19 sulmuese zhvilloheshin kurse për njohjen e armatimit, për qitje me mortajë dhe mitraloz të rëndë, që drejtoheshin nga oficerë dhe partizanë italianë. Batalioni partizan “Matteotti”në përbërje të Br. XIX S mori pjesë në luftimet që u zhvilluan në Dhivër, Pandalemon, Krane Konispol, Delvinë e Kiçok. Në kujtimet e tij Kamber Haxhi shkruan: “Në luftimet e Delvinës më 21 korrik 1944, dy mitraljerë italianë i kisha në kompaninë time. Të dy partizanët treguan trimëri. Ata ishin Antonio Xernoci komandant skuadre dhe Ndoc Krucani mitraljer. Të dy ranë heroikisht në fushën e betejës, në luftë për çlirimin e qytetit të Delvinës. Në regjistrin themeltar të Organizatës së Familjeve të Dëshmorëve të rrethit të Sarandës, janë të regjistruar si dëshmorë të batalionit “Matteotti”dhe Brigadës XIX Sulmuese këta emra, Antonio Xermosi, Ndoc Guarciano, Piero Pieri, rënë më 21 korrik 1944 në Delvinë dhe Antonio Xhuzepe, rënë më 9 tetor 1944 në Lefterhor të Delvinës. Ndërsa Ginson Xhuzepe dhe Mario Gallani, rënë në shtator 1944 në Pandelemon. Emrat e dëshmorëve Antonio Xermoni dhe Ndoc Guarciano janë të gdhendur në lapidarin e ngritur në qendër të qytetit të Delvinës, si simbol i Luftës për çlirimin e këtij qyteti nga nazistët Gjermanë. Batalioni partizan “Matteotti” luftoi me trimëri të rrallë, kudo ku iu caktua detyra, krah përkrah partizanëve shqiptarë të Brigadës së 19-të Sulmuese. Në luftë për çlirimin e qytetit të Delvinës spikatën aftësitë luftarake, guximi, trimëria dhe kontributi i veçantë i partizanëve italianë, në mënyrë të veçantë i mitraljerëve dhe mortajistëvë të batalionit. Batalioni “Matteotti” luftoi në përbërje të Brigadës së 19-të sulmuese, si formacion i kësaj Brigade, deri në çlirimin e plotë të Shqipërisë. Në 6 Shkurt të vitit 1945, Batalioni “Matteotti” u bashkua me Batalionin “Antonio Gramshi” dhe në muajin Maj 1945, të dy batalionet partizane u riatdhesuan në vendin e tyre të bukur e të dashur, ku u pritën me mall e dashuri nga familjarët e tyre, nga të afërmit dhe gjithë populli italian. Në 15 Maj të këtij viti, mbushen 75 vjet nga dita e formimit të batalionit “Matteotti”. Luftimet e zhvilluara nga ky batalion, kontributi i tij në L.N.ÇL dhe dëshmorët e rënë për çlirimin e Shqipërisë, do të mbeten përgjithmonë një kurorë lavdie për të gjithë partizanët italianë që luftuan në Shqipëri.
Sigal