“Pedonalja” 1 miliard lekë në Memaliaj dhe disa pyetje “delikate”, lidhur me projektin e saj

1300
Disa ditë më parë, gazeta “Telegraf” e përshëndeti ndërtimin e “Pedonales” në qytetin Memaliaj si diçka e re e moderne në këtë qytet, banorët e të cilit sipas “mendjes” së qeverisë… janë që janë pa punë, le ta kalojnë ditën në atë shesh betoni e guri”. Faktikisht, sipas logjikës sociale, ky investim stonon në këtë qytet të hequr nga “inventari i qeverisë” për sa i përket investimeve për hapje vendesh pune, madje tingëllon një tallje e turpshme deri në denigrim ndaj ish-minatorëve e banorëve, bërë prej “agallarëve” dhe “Mon Kukaleshëve” lokalë të “Rilindjes” në këtë qytet, mbasi është njëlloj si të veshësh lypsarin me kostum “Versaçe” dhe ta lësh të gërmojë për bukë në kazanët e plehrave! Por le të ndalemi tek ndërtimi i “Pedonales”. Një dosje e ardhur në redaksinë e gazetës “Telegraf”, evidenton disa probleme ekonomike, teknike e projektuese që lidhen me këtë investim. Nuk e kemi fjalën tek mos përfillja e banorëve për funksionalitetin e investimit i cili është detyrim ligjor për përzgjedhjen, përcaktimin dhe vendimin komunitar, të përcaktuar në vendimin për projektin e zhvillimit të rajoneve e qendrave të banuara! Në zbatim të detyrimit ligjor për transparencën e të dhënave të çdo investimi që behet me fondet publike (taksat e qytetarëve), në qendër të qytetit Memaliaj është afishuar një tabelë që publikon të dhënat e ndërtimit të “Pedonales”. Eshtë publikuar fondi i investimit me vlerë 980 milionë, 683 mijë e 679 lekë. Eshtë publikuar emri i Autoritetit Kontraktor dhe i Projektuesit që është Bashkia e Qytetit Memaliaj. Eshtë publikuar emri i Drejtuesit Teknik të punimeve është Ing. Sh. Hoxha. Eshtë publikuar emri i firmës që mbikëqyr punimet e cila është Shoqëria “HE&SK 11 11” Shpk. Është publikuar edhe emri i sipërmarrësve që janë dy firma: Shoqëria “CAUSHI” Shpk dhe Shoqëria “VARAKU-E” Shpk. Sipas Autoritetit Kontraktor (lidhëse e kontratës) që është bashkia e qytetit, rezulton se këto dy firma po ndërtojnë “Pedonalen” 1 miliard lekë në Memaliaj dhe punime të tjera “vizatimi” të fasadave ballore të pallateve që “kap gjatësia e “Pedonales”! 
Ja 10 pyetje, që presin përgjigje
1. A po zbatohet 100% projekti i ndërtimit të “Pedonales”, apo ka ndryshime e “firo” elementesh të tij në ndriçim, kanalizime, “drenazhim” (kullim)? 
2. Sa është volumi i sipërfaqes së gjelbëruar të “Pedonales” sipas projektit dhe me çfarë lloj pemësh e shkurresh do të realizohet? 
3. Sa ditë, javë, muaj e vite, do të jetë garancia e punimeve të kryera? Cila anë do të jetë fasada kryesore e “Pedonales”? 
4. Me çfarë lloji, përmasa, trashësi e cilësi inertesh po ndërtohet bazamenti i “Pedonales”? 
5. A kanë firmat ndërtuese që janë kontraktuar, përvojë për ndërtim Pedonalesh dhe për dekorim fasadash publike në qendrat komunitare? 
6. A po vazhdojnë të punojnë ende së bashku dy firmat sipërmarrëse dhe nëse jo, çfarë veprimesh ligjore duhet të bëj bashkiak kur një nga të kontrarkuarit braktis punimet? 
7. Nga cila karrierë prodhimi (impiant) po tërhiqet lënda inerte me të cilën shtrohet bazamenti i “Pedonales”? 
8. A ka një raport konkret mujor, prej drejtuesit teknik, për kryerjen e punimeve të deritanishme? 
9. A ka miratime të ndryshimeve ligjore, prej bashkisë? 
10. Ku evadohen mbetjet që dalin prej punimeve dhe a është parashikuar e përcaktuar kjo në kontratë? 
Këtyre pyetjeve, duhet përgjigjur bashkia si kontraktuese dhe firmat që po zbatojnë projektin e “Pedonales”, duke kujtuar që “Telegraf” do ta zbardhë të plotë dosjen e këtij projekti 1 miliard lekë që paguhen nga taksat e shqiptarëve, me të cilat bashkia, minimalisht mund të kishte sistemuar 100 familje me apartamente banimi!
Pedonalja e ka emrin “Sheshi Minatori”, por pa statujë… minatori!
Projekti 1 miliard lekë që po zbatohet në Memaliaj ka këtë objekt “Projekti i Ansamblit Arkitektonik të Sheshit Minatori”, të miratuar nga KRT e Republikës dhe afishuar në tabelën e të dhënave në qendër të qytetit. Mirëpo, pavarësisht se çfarë thotë e përmban vendimi dhe projekti shtetëror, sipas informacioneve të deritashme edhe nga brenda grupit zbatues të projektit, thuhet se në projekt nuk është parashikuar të ketë një vepër arti statujë ose bust minatori siç thuhet sipas emrit me të ciin është pagëzuar kjo “Pedonale”. Se cilët janë ata që e kanë hequr nga projekti fillestar simbolin e minatorit nga kjo “Pedonale” këtë e di bashkia dhe ata që kanë marrë tenderin prej saj e që i kanë futur ruspat sheshit të Memaliajt. Ajo që tingëllon groteske është fakti, që sheshi quhet “Minatori”, por pa simbolin e minatorit! 
Propozimi i “rilindësve”: Memoriali i minatorëve, të ngrihet në minierë, atje ku janë vrarë
Këto ditë, banorët e qytetit Memaliaj, janë ndarë në 2 pjesë, për shkak të dekorit të “Pedonales” që po u ndërton “Rilindja”. Një grup përfaqëson “Rilindjen”, një pjesë përfaqëson memaliotët që krijuan e ndërtuan qytetin, ndërsa pjesa tjetër janë ata që kanë vuajtur nga ish-diktatura dhe pjesa e tretë janë indiferentët, që e kanë mendjen tek buka e fëmijëve e jo tek “lojërat e agallarëve” të bashkisë dhe të politikës. Sipas protestës së zhvilluar pak ditë më parë në Memaliaj, debati ka plasur pas fillimit të punimeve të “Pedonales” që po ndërtohet në këtë qytet me banorë të zhytur në mjerim edhe nën nivel jetese “Somalie”. Pjesa që përfaqëson “Rilindjen”, pra bashkia dhe “lukunia” që i shkojnë pas si “sillo” ngaqë kanë ndonjë të punësuar në ato zyra e në ndonjë vend tjetër pune, apo që janë futur fikitvisht në listat e ndihmës ekonomike, ka urdhëruar firmën “ç”ndërtuese të “Pedonales”, që të mbaj si dekor qendror të qytetit Lapidarin e Luftës, të ndërtuar qysh në vitin 1967, kur me “Zisin” e Spiro Lolit u asfaltua qendra e Memaliajt! Pjesa tjetër, pra ish-minatorët e mbetur gjallë dhe bijtë e tyre, këmbëngulin që simbol i qendrës së qytetit të mos jetë lapidari i luftës, por një statujë e minatorëve, vendosur në nderim të minatorëve të rënë në krye të detyrës në 43 vitet e ekzistencës së minierës. Mirëpo grupi “rilindësve” me mbështetjen e bashkisë, këmbëngul dhe ka vendosur që simbol i qytetit të jetë lapidari i luftës, duke dhënë këtë “argument”: Memoriali i minatorëve të ndërtohet në minierë, tek puset dhe galeritë, mbasi minatorët atje janë vrarë! Kujtojmë, që Memaliaj ka pasur një statujë prej allçie në qendër të qytetit, por u shkatërrua në fillim të viteve 1990! Ajo që të bën çudi në këtë betejë simbolesh është ky absurd: Kupola e bashkisë që prej 1 viti nuk krijon dot asnjë vend pune siç premtoi kur morri votat, del e merret me politikë lapidarësh lufte, ndërkohë që banorët, në vend të detyrojnë kryetarin dhe këshillin e bashkisë të sigurojë punësim e shëndetësi pranë tyre, bien viktimë e këtyre lojërave që shkëpusin vëmendjen nga problemet jetike që ka qyteti. 
Përparim Halili
Sigal