Sekuestrohen mbi 31 mijë euro në Rinas

332
Sigal

Sapo ka rinisur punën, por ditën e sotme në aeroportin e Rinasit, Policia ka gjetur dhe sekuestruar plot 31400 euro të padeklaruara duke marrë nën hetim edhe dy persona.

Rreth 13 mijë euro i janë gjetur një shtetasi turk me iniciale M.U., i cili i kishte fshehur të hollat në çantën e dorës. Gjithashtu, po në hyrje të Shqipërisë, gjatë një kontrolli në çantën e shpinës, austriakut me iniciale G. Q., iu gjet shuma prej 18500 eurove.

Të dy janë marrë nën hetim pasi akuzohen për: mosdeklarim në kufi të të hollave dhe sendeve me vlerë”, ndërsa paratë e prera në euro janë konfiskuar në cilësinë e provës materiale.

NJOFTIMI I PLOTË:

Policia Kufitare e Rinasit parandalon dhe godet dy raste të mosdeklarimit të të hollave në kufi. Sekuestrohen 31400 euro.

Shërbimet e Policisë Kufitare të Rinasit, si rezultat i shtimit të kontrolleve, me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, kanë evidentuar dhe goditur dy raste të mosdeklarimit të të hollave në kufi.

Në hyrje të Republikës së Shqipërisë, gjatë kontrollit të imtesishëm të bagazheve dhe kontrollit fizik të shtetasit M. U., banues në Turqi, shërbimet e Policisë Kufitare gjetën në çantën e dorës së këtij shtetasi shumën 12900 euro, të cilën ky shtetas nuk e kishte deklaruar në momentin e hyrjes.

Po në hyrje të Republikës së Shqipërisë, gjatë kontrollit fizik të shtetasit G. Q, banues në Austri, shërbimet e Policisë Kufitare i gjetën në çantën e shpinës shumën 18500 euro, të cilën ky shtetas në momentin e hyrjes në nuk e kishte deklaruar.

Në përfundim të veprimeve të kryera nga specialistët për Hetimin e Krīmit në Policinë Kufitare Rinas, shtetasit M. U. dhe G. Q. u proceduan penalisht për veprën penale ”Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe sendeve me vlerë”, ndërsa shuma e eurove u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.