40% e të rinjve duan të largohen, 200 mijë nxënës më pak në bankat

431
Sigal

Papunësia,varfëria dhe korrupsioni po shtyn shqiptarët të boshatisin vendin,  40% e të rinjve duan të largohen, 200 mijë nxënës më pak në shkolla dhe 22% më shumë të moshuar

Të rinjtë, “truri” po ikën, Shqipëria drejt plakjes

Emigrimi është një nga problemet kryesore që Shqipëria ka si pasojë e keqmenaxhimit politik , korrupsionit, papunësisë dhe varfërisë që e ka çuar vendin në skamje duke u hequr dëshirën të rinjve për ndenjur në atdhe. Shifrat e atyre që duan të largohen ” ulërasin” , -janë rreth 300 mijë të rinj shqiptarë të cilët duan të largohen nga vendi, thotë fondacioni “Friedrich Ebert” në raportin më të fundit për të rinjtë në rajonin e Europës jug-lindore. Është pikërisht diferenca mjaft e lartë në perceptimin e dy realiteteve, atij në vendin tonë, dhe atij në vendet e zhvilluara, ajo që i tremb të rinjtë shqiptarë për të marrë udhën drejt Gjermanisë, 18% në Britani, 16% në Itali dhe pjesa tjetër në vende të tjera

01

Emigracioni “shteron” burrat, emigrojnë më shumë dhe jetojnë më pak

Emigracioni ka prishur balancat gjinore në vend edhe për vitin 2019, duke e ulur popullsinë e burrave në raport me atë të grave. Sipas të dhënave të INSTAT-it,  popullsia e Shqipërisë në 1 janar 2020, ishte 2.845.955 persona, duke pësuar një rënie prej 0,58 % gjatë 2019. Si numri i burrave dhe grave është në ulje, popullsia që përfaqësohet nga meshkujt ka rënie më të mprehtë. Gjatë këtij viti, numri i grave në Shqipëri është ulur me një normë prej 0,52 % ndërkohë popullsia e burrave ka rënë me 0,63 %. Në vitin 2019, gratë përbëjnë 50,1 % të popullsisë gjithsej. Shtesa natyrore, gjatë vitit 2019 është më e ulët për burrat sesa për gratë, përkatësisht 3.112 dhe 3.512.

Migracioni neto i grave shënon vlerën -11.005 gra të emigruara më shumë sesa të kthyera në 2019. Migracioni neto i burrave është gjithashtu negativ, -12.077 burra të emigruar më shumë sesa të kthyer. Migracioni neto negativ i burrave dhe i grave ka ndikuar në rënien e përgjithshme të popullsisë. Raporti gjinor sipas grup-moshave tregon se ka një mbizotërim të gjinisë mashkullore deri në grup-moshën  35-39 vjeç. Mosha medianë për burrat, në fund të vitit 2019 është 36,3 vjeç, ndërkaq për gratë është 38,2 vite.Mosha medianë më e lartë tek gratë shpjegohet me jetëgjatësinë më të lartë të tyre. Në vitin 2019, jetëgjatësia në lindje është llogaritur të jetë 77,6 vite për burrat dhe 80,6 vite për gratë. Kjo do të thotë se gratë jetojnë 3 vite më shumë se burrat.

 

Lindin më shumë djem

Numri i lindjeve në vitit 2019 është rreth 28,6 mijë lindje. Raporti gjinor në lindje është 109, që tregon se për çdo 100 vajza të lindura, lindin 109 djem.

Ky raport është më i lartë se raporti natyral, i cili është 105. Në vlera absolute, rënia e numrit të lindjeve krahasuar me vitin 2018 është 373 lindje. Për lindjet djem kemi një rënie prej 0,9 %, ndërsa për lindjet vajza rënia është 1,7 %.

Indeksi sintetik i fekonditetit (ISF), i cili tregon numrin mesatar të fëmijëve që pritet të lindë një grua në moshë riprodhuese shënon 1,36 fëmijë për vitin 2019. Kjo do të thotë se në 100 gra pritet të lindin 136 fëmijë, nëse normat e lindshmërisë sipas grup moshave janë ato të vitit referues 2019. Ky indeks është nën normën e zëvendësimit prej 2,1 fëmijë për grua, që do të thotë se një çift nuk arrin të zëvendësojë veten. Lindshmëria ka rënë për grup-moshat 20-24 dhe 25-29, ndërsa për grupmoshat më të vjetra ka pësuar rritje të lehtë. Në vitin 2019, mosha mesatare në lindje ishte 28,9 vjeç. Koeficientët specifikë të lindshmërisë sipas gjinisë për 2019, tregojnë dhe mbështesin faktin se burrat e fillojnë aktivitetin e të paturit fëmijë relativisht më vonë se gratë, afërsisht një 5 -vjeçar më vonë, ndërkohë që normat e lindshmërisë pas të 30-ave i kanë më të larta se gratë. Koeficienti bruto i riprodhimit (KBR) është një tregues i mirë për matjen e rritjes së brezave të ardhshëm. Ai mat normën me të cilën gratë zëvendësojnë veten e tyre gjatë viteve të jetës riprodhuese.

Mënyra e llogaritjes së KBR është e njëjtë me atë të iSF-së, por në këtë rast merren parasysh vetëm lindjet gra. Në vitin 2019, KBR është 0,65 që do të thotë se gratë në Shqipëri janë rreth 35 për qind larg zëvendësimit të vetvetes. Ky tregues ndikohet direkt nga sjellja riprodhuese e grave e shprehur nga iSF dhe nga raporti gjinor në lindje. Në vitin 2019, ka 14,2 lindje për çdo 1000 vajza të grup-moshës 15-19 vjeç nga 14,5 lindje që ishin në 2018. Për çdo moshë teke të grup-moshës 15-19 vjeç është llogaritur përqindja e vajzave të cilat kanë patur lindje dhe përqindja e atyre që nuk kanë bërë një lindje. Përqindjet janë të vogla deri në moshën 17 vjeç ku 1,1 % e vajzave kanë patur lindje. Ky trend vjen në rritje duke arritur 2,9 % në moshën 19 vjeç. Vdekjet Gjatë vitit 2019 numri i vdekjeve të burrave është 11.781, kurse i grave është 10.156 duke shënuar rritje nga viti i kaluar për burrat dhe gratë.

Burrat vdesin me shpejt

Vdekjet sipas grup-moshave tregojnë se burrat kanë një përqindje më të lartë të vdekjeve, duke përjashtuar grup-moshën e fundit mbi 84 vjeç. Kjo ndodh pasi jetëgjatësia e burrave është më e ulët se ajo e grave. Vdekshmëria foshnjore është rreth 11,2 vdekje për një mijë lindje për djemtë dhe 9,2 për vajzat. Ky tregues ka pësuar një rritje për djemtë dhe për vajzat, krahasuar me një vit më parë.

 

02

Anketa: Shqipëria po boshatiset, 40% e të rinjve duan të largohen

Sipas një ankete të fondacionit gjerman “Friedrich Ebert” për edukimin e të rinjve në Europën Juglindore, që u publikua këto ditë, 285 mijë shqiptarë planifikojnë të ikin nga vendi në vitet në vijim, shumica e të cilëve janë të rinj. 26% pohuan se dëshirojnë të emigrojnë në Gjermani, 18% në Britani, 16% në Itali dhe pjesa tjetër në vende të tjera.

Si numër, shqiptarët janë të dytët që duan të ikin, pas rumunëve (358 mijë), por në raport me totalin e të rinjve që duan të emigrojmë thyejmë rekord, me 40% të të rinjve që duan të largohen nga vendi.

Studimi për edukimin e të rinjve vë në dukje se vala e emigracionit te të rinjtë ka nisur rënien në shumë vende të Europës Juglindore, por ai mbetet i lartë në Rajonin e Ballkanit dhe sidomos në Shqipëri.

Faktorët ekonomikë dhe perceptimi negativ i situatës në vendin e lindjes janë faktorët më të fortë motivues për emigracionin e të rinjve.
Por ndërkohë, emigrimi i trurit ndryshon ndjeshëm nga vendi në vend. Fenomeni është shumë agresiv në Shqipëri dhe Malin e Zi, ndërsa në Bullgari dhe Maqedoni, të rinjtë e shkolluar kanë më pak prirje të emigrojnë.

Një studente shprehet:

Po studioj për infermieri të përgjithshme aktualisht dhe kam plane të iki në Gjermani. Ekonomia është shumë e ulët këtu, nuk jetohet. Një familje nuk mund të mbahet me një rrogë 400 ose 500 mijë lek në muaj.”
Ndërsa një tjetër thekson:Arsyeja e parë do të ishte papunësia, ndërsa arsyeja e dytë ekonomia.”
Destinacioni i preferuar për shumicën e të rinjve shqiptarë vijon të mbetet Gjermania.

Të rinjtë nga rajoni EJL shfaqin një nivel të lartë të gatishmërisë për t’u integruar në strukturën e shoqërive ku emigrojnë dhe kjo demonstrohet nga gatishmëria e tyre për të mësuar gjuhën e vendit pritës. Anketa nxjerr në pah se prirje për të emigruar kanë më së shumti të rinjtë që nuk janë të punësuar. Të rinjtë që nuk janë në punë planifikojnë të ikin në një periudhë të afërt prej gjashtë muajsh. Të rinjtë me prindër me nivel të ulët arsimor dhe ekonomik janë më shumë të prirë të largohen dhe gjithashtu të rinjtë që banojnë në zonat rurale kanë më shumë tendencë të largohen.

Studimi u rekomandon vendeve që të përmirësojnë politikat e trajtimit të të rinjve sidomos në drejtim të punësimit dhe edukimit, të cilat çojnë në frenimin e emigrimit. Zhvillimi i politikave të tilla duhet të përvetësojë një qasje integrale, të shumanshme, duke synuar pasigurinë ekonomike, mundësitë e dobëta të punësimit dhe perspektivat e karrierës, si faktorët kryesor motivues të emigracionit.

03

200 mijë nxënës më pak në banka, në krahasim me fillimin e tranzicionit

Tkurrja e popullsisë po ndikon drejtpërsëdrejti në sektorin e arsimit në vend, pasi çdo vit që kalon shkollat janë duke u përballur me sfidën e uljes së numrit të nxënësve dhe, për rrjedhojë, edhe mbylljen e shumë klasave.

Sipas të dhënave nga Ministria e Arsimit, në arsimin 9-vjeçar pritet të vijojnë studimet këtë vit të ri shkollor 306 mijë nxënës. Numri i fëmijëve në këtë cikël është 13 mijë më pak se në vitin shkollor 2018-2019. Ndërsa në krahasim me fillimin e tranzicionit (vitin ’92) janë rreth 200 mijë nxënës më pak.

Në raport me vitin 2011, kur u bë censi i fundit, në bankat e shkollës do të ulen 114 mijë nxënës më pak. Në harkun e 8 viteve, numri i nxënësve në ciklin 9-vjeçar është reduktuar me 27%. Ritmet e rënies pritet të jenë të larta edhe në periudhën në vijim. Ministria e Arsimit pret që në vitin 2022, numri i nxënësve në arsimin 9-vjeçar të arrijë në 273 mijë nxënës ose 9.7% më pak se në vitin 2019.

Përveç rënies natyrore të popullsisë, arsimi shqiptar po vuan nga braktisja e shkollës për arsye emigrimi. Mijëra të rinj nën moshën 18- vjeç, një kontingjent për arsimin e mesëm dhe fillor zgjedhin emigrimin, në të shumtën e rasteve me familjet e tyre.

Prej 2010-s, nga vendi janë larguar mesatarisht 15,000 të mitur drejt Bashkimit Europian çdo vit, sipas të dhënave të Eurostat për lejet e qëndrimit për herë të parë të dhëna nga vendet e Bashkimit Europian, të ndara sipas grupmoshës, të përpunuara nga “Monitor”.

Viti 2018 shënoi sërish rritje në numrin e të miturve që ishin pajisur me leje qëndrimi në një nga vendet e BE-së. Gjatë vitit që lamë pas u pajisën me leje qëndrimi për herë të parë, rreth 17,279 të mitur nën 19 vjeç, me një rritje prej 6% në krahasim me një vit më parë. Shifrat janë më të larta se kaq, duke marrë parasysh që Eurostat nuk ka të publikuara të dhënat për lejet e para të qëndrimit të lëshuara nga Gjermania.

Emigracioni shihet të jetë një ndër shkaktarët kryesorë të rënies së numrit të nxënësve në shkolla. Eksperti i politikave arsimore, Ndriçim Mehmeti, thotë se, që prej 2014 e në vijim ka një ulje drastike të numrit të nxënësve për shkak të emigrimit dhe migrimit të brendshëm. Sipas tij MASR dhe qeveria nuk e ka analizuar këtë situatë dhe për pasojë, nuk janë gati të japin edhe zgjidhjet.

Braktisja e arsimit të detyruar ndodh më së shumti për arsye ekonomike dhe sociale, si dhe për mungesë të shpresës se ky vend mund të ndryshojë, shtoi ai.

04

Shqipërisë po i shtohen pleqtë, në 10 vite ka 22% më shumë të moshuar

Procesi i  plakjes së popullsisë po rritet me shpejtësi të madhe në vendin tonë. Vetëm në 10 vitet e fundit numri i individëve mbi 85 vjeç është rritur me 22%, ndërsa në krahasim me një vit më parë me 5%.

Të dhënat e INSTAT-it mbi popullsinë raportojnë se në 1 janar 2019 kishte në Shqipëri 24,186 të moshuar mbi 85 vjeç, nga rreth 23 mijë që përllogariteshin në 1 janar të vitit 2018.  Me hyrjen e mijëvjeçarit të ri, numri i të moshuarve ka pësuar rritje drastike. Kështu sipas të dhënave të INSTAT-it  në vitin 2001 kishte vetëm 14,866 persona të moshës mbi 85 vjeç, apo rreth 40% më pak se sa ka aktualisht.

Plakja e popullsisë, sigurisht, që do të shoqërohet edhe me pasoja në ekonomi. Me rritjen e të moshuarve bie edhe produktiviteti i popullsisë dhe njëkohësisht kërkohen që të rritet numri i kapaciteteve për kujdesin shëndetësor. Shpenzimet për pensione rriten, në të njëjtën kohë kur ulet numri i kontribuuesve.

Njëkohësisht, me plakjen e popullsisë po ndodhin edhe fenomene të tjera që po ndikojnë në ndryshimin e strukturës demografike në vend, siç është emigracioni. Me largimin e të rinjve do të rritet edhe nevoja për shtëpi ku ofrohet përkujdes ndaj të moshuarve.

Europa po moshohet gjithashtu

Në një publikim të Eurostat thuhet se deri në 2050 pritet që numri i njerëzve që e kanë kapur moshën 100 pritet të arrijë në 500 mijë, ndërkohë që në vitin 2018 ishin 106 mijë. Eurostat ka njoftuar publikimin e një studimi mbi plakjen e popullsisë europiane të cilët do ta publikojë me 18 tetor. Studimet dhe projeksionet mbi ndryshimet demografike janë shumë të rëndësishme për vendimmarrësit për të hartuar politika sa më efikase.

Projeksionet e zymta, në 2100 do jemi më të moshuarit e Ballkanit

Projeksionet e popullsisë janë të zymta, ku sipas OKB-së parashikohet që deri në 2100 të arrijë në 1.75 milionë banorë.

Të dhënat janë edhe më të trishta kur bëhet fjalë për parashikimin e moshës mediane të popullsisë shqiptare në 2100, prej 53.2 vite, më e larta në rajon. Nga vendi me popullsinë më të re, shqiptarët do të jenë shumë shpejt “pleqtë” e Ballkanit Perëndimor.

Pas Shqipërisë, projeksionet parashikojnë se moshën më të lartë mediane do ta ketë Mali i Zi me 50.3 vjeç, pasuar nga Bosnjë dhe Hercegovina me 49.8 vjeç, Serbia dhe Maqedonia me 48.7. Ndërsa mosha mediane në botë përllogaritet që deri në 2100 të jetë 41.6.

Ndërkohë që 50 vjet më parë, Shqipëria kishte popullsinë mediane më të re të rajonit me një moshë mediane prej 19.6 vjet, madje më të ulët edhe se mosha mediane botërore prej 21.5 vjet. Mosha mediane në Serbi në 1970 përllogaritej 11 vite më e lartë se në Shqipëri, prej 30.1 vitesh.