Pas Velipojës, sherr për çadrat dhe në Ksamil/ Biznesmeni: Ia dhanë një polici, pa asnjë kriter

302
Sigal

Pas Velipojës, ka plasur konflikti për stacionet e plazhit edhe në Ksamil.

Pronari i një hoteli të njohur, Albert Sula është përplasur me punonjësit e policisë, të cilët kanë shkuar t’i heqin çadrat.

Ai rrëfen se atë pjesë plazhi e shfrytëzon prej 15 vitesh, ndërsa sivjet ia kanë dhënë pa asnjë kriter një punonjësi policie.

Problemet me ndarjen e hapësirave në plazh janë shfaqur dhe në Ksamil vetëm një ditë pas përplasjes në Velipojë.

Në një prej plazheve më të populluara, madje edhe me shumë pushues, policia bashkiake e mbështetur nga ajo e rendit ka hequr disa shezlongë, të cilat poseduesi i ka me dokumente të rregullta në bazë të territorit që menaxhonte prej vitesh.

Investitori i hapësirës së plazhit prej 15 vitesh, Albert Sula, shpreh shqetësimin për pjesën e plazhit, duke u shprehur se hapësirën e shfrytëzuar prej tij, ia kanë dhënë një punonjësi policie.

Ai vë në dukje se punonjësi i policisë nuk plotëson asnjë kriter, ndërkohë që Agjencia Kombëtare e Bregdetit nuk i ka dhënë zgjidhje.

Kjo ka shkaktuar përplasje të pronarit, por fatmirësisht nuk ka pasur viktima, ndonëse kjo ka ndikuar negativisht te pushuesit, të cilët menjëherë kanë braktisur plazhin, duke u larguar drejt zonave të tjera.