Pas koncesionit, QSUT tender 172 milionë lekë për mbushjen e laboratorëve me pajisje dhe reagentë

655
Përparim HALILI
Kryeministri vazhdon dëgjesat, por nuk dëgjon “daullet” e tenderëve korruptivë të grabitqarëve nëpër zyra
Po trumbetohet me bujë platforma e 100 ditëve të para të qeverisjes së dytë të “Rilindjes” e cila do të nisë me luftën kundër parazitëve dhe grabitqarëve në zyrat e shtetit dhe shërbimet publike, mbështetur në ankesat e mbledhura në dëgjesat me popullin. Thuhet, se anti-korrupsioni dhe largimi i të korruptuarave do të nis në muajin shtator, ndërsa tani është faza e mbledhjes së “denoncimeve popullore” dhe skedimi i shqetësimeve si dukuri që ndodh në raportet shtet-qytetar. Mirëpo, ndërkohë që kryeministri po vazhdon dëgjesat me popullin nëpër pedonale, lëndina fshatrash e salla mbledhjesh, brenda zyrave të pushtetit të tij, drejtuesit po bëjnë kërdinë me fondet publike. Duke shfrytëzuar vakumin pas-zgjedhor të qeverisjes, drejtorët e “Rilindjes” po vazhdojnë tenderët, duke shpërfillur edhe Vendimin e Këshillit të Ministrave të datës 5 korrik 2017, të firmosur nga kryeministri, për bllokimin e tenderëve me afat të pacaktuar. Drejtuesit, jo vetëm u janë vërsulur fondeve publike duke “djersirë” për të sajuar tenderë fiktivë e për të realizuar ata me procedura të përshpejtuara, por po zhvillojnë edhe tenderë abuzivë në miliarda lekë për blerje pajisjesh e lëndësh të para, në favor të shërbimeve që qeveria i ka dhënë me koncesion tek privatët! Një skandal i tillë, ka ndodhur 1 javë më parë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”-Tiranë (QSUT). Është fjala për një tender me vlerë 14 milionë, 461 mijë e 400 lekë të reja pa TVSH, ose mbi 172 milionë lekë të vjetra me TVSH, që drejtoria e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”-Tiranë (QSUT) e ka zhvilluar për kompletim me pajisje të reja mjekësore profesionale, të Laboratorit Mikrobiologjik. E po kështu, për mbushjen”depos” së këtij laboratori me materiale mjekësore “kite dhe reagentë kimikë”. Skandali shkon edhe më tej, kur mëson se firma që e ka fituar këtë tender, thuhet se është pjesë e ortakërisë së koncesionit të laboratorëve mjekësorë! Mirë që në dëgjesat me popullin, “çuditërisht” nuk po dëgjohet asnjë ankesë për “bëmat” korruptive që janë bërë në shëndetësi para 25 qershorit 2015, por si shpjegohet “shurdhëria” e kryeministrit, që nuk po dëgjon “daullet” e tenderëve korruptivë në miliarda lekë, që po vazhdojnë prej shefave të ‘rilindjes” në këtë sektor edhe duke u dhënë lekë privatëve pasi u kanë falur shërbimin me koncesion?! 
Njoftimi zyrtar
1. Autoriteti Kontraktor: Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Tiranë Rruga e Dibrës Nr. 372, tel. 042 362627, Fax. 042 363644.
2. Procedura e prokurimit: REF- UP Nr. prot.2019
3. Përshkrim i shkurtër i kontratës: Qëllimi i kontratës: “Blerje Materiale Mjekësore kite dhe reagentë për Shërbimin e Laboratorit të mikrobiologjisë në QSUT”
4. Fondi limit: 14,461,400.00 (katërmbëdhjetë milion e katërqind e gjashtëdhjetë e një mijë e katërqind) lekë pa TVSH.
5. Burimi i Financimit: Buxheti i Shtetit për vitin 2017.
6. Kohëzgjatja e kontratës: nga data e nënshkrimit me përfundim në 20.12.2017
Sigal