Paralajmërohet protestë e studentëve: Anulo tarfiat! Nuk paguajmë për krizën tuaj

214
Sigal

Prej më se një viti mësim online – ku studentët janë përballur me diskriminim të vazhdueshëm ekonomik, të detyruar të paguajnë paketa interneti dhe të blejnë aparaturat e nevojshme teknologjike – Ministria e Arsimit dhe rektoratet e universiteteve publike kanë vendosur të detyrojnë studentët t’i paguajnë të plota tarifat studimore, duke i kërcënuar me mospranim në provime.

Pavarësisht rezistencës së vazhdueshme të studentëve dhe aktivistëve të Lëvizjes Për Universitetin me qëllim anulimin e tarifave, duke filluar me nënshkrimin e një peticioni me mbi 8000 firma dhe më pas me aksione në terren, qeveria dhe burokracia universitare vazhdojnë të injorojnë kërkesat tona legjitime.

LEXO EDHE : Rektori Hoxha: Tarifa e universitetit do paguhet e plotë për vitin pandemik

Në vend se t’u garantojë studentëve arsimim falas, sidomos në kushtet katastrofike të zhvillimit online të leksioneve dhe seminareve, qeveria u ka hequr oligarkëve të kromit rentën minerare, ka përgjysmuar tatimin e dividentit për korporatat dhe u ka mundësuar bizneseve të mëdha garanci sovrane në marrjen e kredive. Kjo tregon se në krye të qeverisë nuk janë përfaqësuesit e studentëve, familjeve të tyre dhe qytetarëve të thjeshtë, por shërbëtorët e oligarkëve.

Sot, të shpërndarë cep më cep të vendit, mund të dukemi të pafuqishëm. Po zërin duhet ta ngremë si dhe sa të mundemi. Duhet të kërkojmë me cdo kusht heqjen e tarifave universitare për këtë vit akademik. Pastaj me rikthimin në auditorë, mllefi dhe organizimi ynë do ta vendosë një herë e mirë të drejtën në vend: arsim publik falas e cilësor, demokraci universitare dhe kultivim të mendimit kritik!/ Apeli i Lëvizjes për Universitetin