PAPUNËSIA ARRIN KULMIN/ Kuçova, kthehet në qytetin e “listave ushqimore”

521
Sigal

Kuçova e njohur si vendi që kishte industrinë më të madhe në vend, ku ndër to radhiteshin industria e Përpunimit të Naftës dhe Uzina e Riparimit të Avionëve, tanimë është kthyer në një qytet listash, ku qytetarët shkojnë çdo ditë nëpër marketet e lagjes pa lekë në xhep, por me shpresën se edhe këtë herë do të marrin duke shënuar emrin. Një paradoks, ky që nuk i shkon për shtat një qyteti, me një emër të madh. Para tre dekadave kujt i jepej mundësia nga ish-komiteti ekzekutiv për të filluar punë në Kuçovë ishte një privilegj i madh, për vetë pozicionin që kishte ky qytet naftëmbajtës dhe ushtarak. Për përpunimin e naftës u ngritën uzina dhe fabrika, ku u punësuan plot 12 mijë punëtorë. Shteti i asaj kohe tregonte një kujdesje të veçantë për mirëqenien e familjeve dhe punën që kryhej aty. Sipas merceologut, Sotiraq Diamanti bëhet e ditur për gazetën “Telegraf”, se ushqimet në Kuçovë ishin të një kategorie të parë, madje edhe kryeqyteti ia kishte zili. “Ushqimet para se të tregtoheshin nëpër dyqane kontrolloheshin fillimisht nga specialistët e ushqimit. Edhe pse Kuçova ishte qytet i vogël, shteti kishte interes të veçantë pasi aty jetonte ajka e klasës punëtore të Shqipërisë. Qytetit nuk i mungonte asgjë, por me ardhjen e demokracisë, çdo gjë e ndërtuar u shkatërrua, prandaj sot Kuçova nuk e ka më imazhin e dikurshëm, madje varfëria ka arritur kulmin saqë banorët iu drejtohen dyqaneve pa lekë në xhep, ata shumicën e ushqimeve i marrin me listë”,- tha Diamanti.