Panairi, vendtakim i përbashkët i kompanive shqiptare dhe të huaja

704
Klik Ekspo Group sjell në Tiranë 23 sipërmarrës nga Kina
Ambasadorja: 700 mln usd investimet kineze në Shqipëri

Klik Ekspo Group, Qato: Një vendtakim i përbashkët i investitorëve për të eksploruar mundësitë e bashkëpunimit mes tyre

Klik Ekspo Group, është shndërruar në një ambasador të diplomacisë ekonomike , për promovimin e potencialeve që ofron Shqipëria përballë investitorëve të huaj. Qindra kompani dhe biznese vendase dhe të huaj marrin pjesë në panairin e Klikut, duke sjell avangardën e risive nga sektorë të ndryshëm ku operojnë, me qëllim nxitjen e bashkëpunimeve të reja mes tyre. Nje nder forumet më të rëndësishme në ditën e dytë të Panairit Ndërkombëtar të Tiranës (Klik Ekspo Group) ishte edhe; Takimi B2B mes sipërmarrjeve të Kinës dhe të Shqipërisë, organizuar nën kujdesin e Ambasadës së Republikës Popullore të Kinës në Shqipëri, si dhe ÇIPT – Këshilli i Kinës për Promovimin e Tregtisë Ndërkombëtare; në bashkëpunim edhe të ÇOIC – Dhoma Ndërkombëtare e Tregtisë së Kinës. Pjesëmarrës në këtë takim ishin ambasadorja e Republikës Popullore të Kinës në Shqipëri zonja Jiang Yu, ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen zonja Sonila Qato si dhe sipërmarrës dhe përfaqësues të Dhomave respektive të Tregtisë mes dy vendeve. Ndërsa mori fjalën në panel ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen zonja. Sonila Qato, përgëzoi Klik Ekspo Group, që përmes këtij Panairi të përvitshëm, po shërben si një vendtakim i përbashkët i kompanive shqiptare dhe të huaja për të eksploruar mundësi bashkëpunimi mes tyre. Sipas Qatos tashmë Shqipëria ka hyrë në një tjetër fazë të diplomacisë ekonomike, duke ndërmarrë një sërë reformash që shkojnë në favor të investimeve të huaja, përfshirë dhe ato kineze. “Uroj që ditët e para të Panairit Ndërkombëtar të Tiranës të shërbejnë si një vendtakim i kontakteve të reja mes sipërmarrjes kineze dhe shqiptare për të eksploruar në mënyrë më të frytshme mundësitë e zhvillimit të mëtejshëm të bashkëpunimit ekonomik mes vendeve tona. Kina është një investitor i fuqishëm. Shqipëria gati 7 % të importeve e siguron nga Kina. Megjithëse shkëmbimi tregtar është rritur ndjeshëm, ka ende hapësira të reja për të rritur investimet dhe shkëmbimet tregtare. Tregtia mes dy vendeve ka njohur zhvillim edhe falë marrëveshjeve të nënshkruara deri më tani, ndërkohë që priten edhe marrëveshje të tjera, mes tyre edhe ajo doganore. Qeveria shqiptare ka ndërmarrë një sërë reformash lehtësuese për sipërmarrësit duke shmangur shumë burokraci”, tha Qato, ndërsa nënvizoi edhe një herë faktin se pjesëmarrja e gjerë e kompanive në këtë panair e cilëson Shqipërinë si një vend i burimeve të shumta me politika favorizuese të të bërit biznes. Ndërsa ambasadorja e Republikës Popullore të Kinës në Shqipëri zonja Jiang Yu në fjalën e saj theksoi se Kina është një vend me investime të fuqishme në Shqipëri, ku shuma totale e investimeve e kalon vlerën e 700 milionë dollarëve, duke punësuar afro 1500 punonjës vendas dhe duke dhënë kontribut aktiv në punësim e të ardhurat tatimore në Shqipëri. “Një numër kompanish kineze janë duke ndjekur një sërë projektesh në Shqipëri si në infrastrukturë; energji; telekomunikacion, prodhime minerare, veshje etj. Kina synon tregje më të gjera ndaj dhe dëshirojmë të shfrytëzojmë dhe të kontaktojmë me kompani të të gjithë sektorëve për të vendosur një bashkëpunim afatgjatë. Ajo çka duhet të përmirësojmë është shmangia e burokracive dhe pengesave që ekzistojnë në të bërit biznes. Shpresoj që të dy palët t’i zgjidhin këto probleme me anë të negociatave miqësore në përputhje me ligjet dhe rregullat përkatëse. Po kështu shpresoj që pala shqiptare të ndërmarrë hapa efektivë për një mbështetje më të madhe kolektive dhe për të krijuar masa lehtësuese për investitorët e huaj, përfshirë dhe kompanitë kineze, duke krijuar për ta një ambient biznesi të stabilizuar, të drejtë, transparent dhe të parashikueshëm,” tha ambasadorja Yu. Kina dhe Shqipëria kanë nënshkruar Memorandumin e Mirëkuptimit për ndërtimin bashkërisht të “Një brez, Një rrugë” si dhe një sërë,marrëveshjesh në fushat e tregtisë dypalëshe, investimeve, eliminimit të taksimit të dyfishtë etj. Ndërkohë aktualisht janë në prag të nënshkrimit të marrëveshjes së bashkëpunimit doganor për të forcuar edhe më tej shkëmbimet tregtare.
Sigal