Konstatoj se kohët e fundit po shohim kudo e gjithandej mjekroshë midis tyre politikanë dhe pushtetarë, apo dhe qytetarë të ndryshëm e të shumtë; madje është gati dhe gjinia femërore të mbajë mjekër, aq shumë në modë ka dalë mjekra dhe mjekroshët. Është në të drejtën e sejcilit që të zgjedhë sesi e qysh ta mbajë paraqitjen e jashtme dhe unë nuk dua ta paragjykoj dhe të diktoj apo imponoj privatësinë e tyre; paçka se duke mbajtur mjekër disa do të duken të shëmtuar si ajo dhia kënut, disa do të duken edhe më të shëmtuar dhe tamam si dordolecë varur në majë të hurit, disa do të duken si aktorë cirku etj. Por gjithsesi unë e kam fjalën për mjekroshët politikanë dhe ata pushtetarë, që ndonëse qytetarët dhe shoqëria jonë ende në tranzicion ballafaqohet me një amalgam problematikash të shumta e nga më të ndryshmet, ata pra politikanët dhe pushtetarët tanë nuk merakosen , nuk duan t’ja dinë, madje as e qethin e as e rruajnë se çfarë ndodh mes nesh e midis nesh. Kështu ndonëse përballemi dhe ballafaqohemi me një korrupsion galopantë si në administratën qëndrore dhe vendore e kudo e gjithandej përfshi edhe institucionet, politikanët dhe pushtetarët as e qethin e as e rruajnë fare, po fare- fare ama. Është gjelbëruar anë e mban vëndi me kanabis përsëri ata as e rruajnë dhe as e qethin fare. Kemi një uragan të papërmbajtur emigracioni, ikin të rinjtë dhe të rejat për një jetë më të mirë, ikin intelektualët, truri, ikona dhe ekselenca e shoqërisë tonë dhe si për ironi të fatit mjekroshët politikanë dhe pushtetarët tanë as që duan t’ja dinë dhe as e qethin e as e rruajnë fare, po fare- fare ama. Ndodhin krime barbare brënda familjes dhe përsëri politikanët dhe pushtetarët tanë as e qethin dhe as e ruajnë fare për këtë fenomen recidivist dhe tepër shqetësues goditet dhe tronditet rendi brënda rendit nga vetë forcat e rendit dhe politikanët dhe pushtetarët tanë mjekroshë kryqëzojnë krahët, bëjnë karshillëk dhe si gjithnjë ata as e qethin e as e rruajnë fare për këtë çështje sa të çuditshme aq edhe paradoksale e krejt të pashëmbullt e të papranueshme. Aksidentet automobilistike s’kanë të ndalur dhe po na vrasin e po na gjymtojnë në mënyrë të pamëshirshme jetë njerëzish dhe si gjithmonë ata as duan t’ja dinë dhe as e qethin dhe as e rruajnë fare edhe pse vriten e sakatohen qytetarët. Ka sa e sa vjedhje, grabitje, përvetësim, dëmtim të pronës shtetërore dhe asaj private askush nga politikanët dhe pushtetarët as e qeth dhe as e rruan fare për këtë dukuri që është bërë mjaft shqetësuese. Është bërë shqetësues fenomeni i dhunës ndaj grave dhe askush nga politikanët dhe pushtetarët nuk reagon, rrinë indiferentë , heshtin, rrinë të përgjumur dhe as e qethin dhe as e rruajnë fare e për më tepër kjo bëhet dhe më shqetësuese kur gratë dhunohen fizikisht dhe psikologjikisht nga bashkëshortët e tyre deputetë. Gjithashtu kemi sa e sa raste të trafikimit të lëndëve narkotike, të armëve , municioneve luftarake, lëndëve plasëse madje dhe të qënieve njerëzore e sidomos të miturve dhe askush nga politikanët dhe pushtetarët edhe ndaj këtij fenomeni prekës e kaq të ndjeshëm as që duan t’ja dinë, shkurt as e qethin dhe as e rruajnë fare po fare- fare ama. Digjet, përvëlohet dhe bëhet gjithë blozë parlamenti dhe askush nga politikanët dhe pushtetarët tanë as e qeth dhe as e rruan fare për këtë akt barbar e primitive.



















