Pajtim Sejko:Çështja Çame duhet të mbështet dhe të zgjidhjet një herë e mirë!

634
Sigal

INTERVISTA/ Flet për “Telegraf”, Pajtim Sejko, shqiptari nga Filati i Çamërisë: “Jetët tona të mbushura me vuajtje”

Në një intervistë ekskluzive për gazetën “Telegraf”, z.Pajtim Sejko me origjinë çame nga Filati i Çamërisë tregon vitet e tmerrshme, kur familja e tij u largua nga vendlindja, vështirësitë që s’ju ndanë edhe në Shqipëri që nisën me persekutimin e babit të tij i akuzuar për tradhti të lartë ndaj atdheut dhe bashkëpunëtor me fuqitë e mëdha, akuza, të cilat kurrë nuk i pranoi edhe pse u dënua me 15 vjet heqje lirie.

Z. Sejko, cila është familja jote?

Familja jonë është nga Filati i Çamërisë. Kemi ardhur në Shqipëri në kohën e spastrimit etnik në vitin 1944, kurse në mars të vitit 1945 kur u bë masakra e Filatit, babai ynë ishte në Elbasan. Babai im quhej Lutfi Sejko dhe mamaja Dizo Sejko (Çapuni) nga Lopsi i Çamërisë. Madje, neve trojet tona i kemi aty, ku sot është stadium i Filatit, kemi pasur tre shtëpi të mëdha, të cilat janë rrafshuar. Kam patur rastin ta vizitoj vetë duke shkuar nga Italia. Kisha djalin në Itali dhe u nisëm nga Bari në Igumenicë rreth orës 02:30 e natës. Ka qenë viti 2009, shkuam në Filat natën. Atje një miku i babait, Petro Neti më ndihmoi të gjeja shtëpitë tona. Madje, shtëpia jonë ka edhe një histori, sepse i ka qëlluar me top Xhaferr Demi. Familja jonë e Sejkos me Demin nuk shkonin pavarësisht se, merrnin e jepnin, kishin lidhje krushqie, grindeshin, sepse ishin familje të mëdha dhe luftonin për të qenë të parat në zonë. Në heshtje ishin në armiqësi me njëri-tjetrin kush e kush të ishte i parë.

A ju ndiqte sigurimi i Greqisë meqenëse shkuat për të parë pronat tuaja në Filat?

Po, sapo morën vesh që neve ishim çamë dhe kërkonin të shkonim në pronat tonë për t’i vizituar filluan të na ndjekin me makina mbrapa gjatë gjithë kohës.

Çfarë mban mend nga ajo periudhë?

Po, kur ka ardhur babai në Shqipëri ka qenë bashkë me nënën e tij dhe dy vëllezërit. Babai im në atë kohë bënte pjesë në batalionin MIX që më vonë i vunë emrin “Thanas Ziko”, ku më pas u bë batalioni 15, që ishte kryesisht në Konispol, kurse batalioni MIX ishte në Greqi me AMIN, pra që këta të gjithë luftonin me gjermanët, kur erdhëm në Shqipëri, pasi u shpërngulëm babai im ishte skuadër komandant, ku më pas mori pjesë në varrimin e rreth 2 800 çamëve që vdiqën në Konispol. Pra, mori pjesë në varrimin e tyre në “Varrezat e Kllogjerit”.

Mbas kësaj kohe çfarë ndodhi me familjen tuaj?

Gjyshja ime me gjithë dy djemtë shkoi në Vlorë ndërsa babai im u mor me rininë Antifashiste Nacional Çlirimtare dhe e caktuan kryetar të çamëve për transportin e çamëve nga Vlora për në Elbasan. Më pas, babai ynë Lutfiu, u vendos në Elbasan dhe filloi punë në komitetin e partisë. Në atë kohë babai u caktua drejtor në disa dikastere ashtu siç ishin direktivat e partisë, si drejtor tek hotel “Parku”, drejtor në artizanat, në vitin 1946, kur filloi gjyqi ndaj Koçi Xoxes, babain filluan ta ndjekin, ku ishte Thoma Deliana që i tha kujdes se do të fusin në burg. Thomai i rregulloi një bursë babait tim dhe e dërgoi në shkollë në Tiranë për ekonomist. Ku pasi mbaroi shkollën punoi në disa ndërmarrje si ekonomist, si në Ndërmarrjen e Grumbullimit deri në vitin 1960. Në vitin 1962 e shkarkuan babain nga puna dhe e futën në burg.

Pse u arrestua babai juaj?

Unë isha 11 vjeç e tre muaj dhe kur unë kisha ditëlindjen më 7 dhjetor, kur u bëra 12 vjeç, babai im doli në gjyq, ku e dënuan me 15 vjet burg. Babain tim e arrestuan tek plazhi i Durrësit, i vunë një thes në kokë dhe e morën. Sipas aktakuzës së ngritur nga Sigurimi i Shtetit ishte neni 64 paragrafi 12 germa “d” “Tradhti e lartë ndaj atdheut, bashkëpunim me fuqitë e mëdha dhe ish-komisari Flotës së 16 Amerikane”, ku në atë kohë nuk ekzistonte komisari në strukturën e ushtrisë. Madje, babai im nuk dinte asnjë fjalë anglisht. Ai dinte italisht, frëngjisht dhe greqisht.

Sa zgjati hetuesia? A kishit mundësi ta takonit?

Hetuesia zgjati 9 muaj e tetë ditë. Neve nuk na lejonte askush për të shkuar e për ta takuar babain tonë. Babain tim në hetuesi i kanë bërë torturat më çnjerëzore, duke i thyer dhëmbët, nofullat, brinjët madje dhe kur doli nga burgu i kërciste nofulla. Torturat nga më të tmerrshmet i bënë, megjithëse, babai nuk donte që t’i zinte me gojë. Në hetuesi babai nuk pranoi asgjë dhe në dosjen hetimore thuhet se: “Për çudi Lutfi Sejko nuk ka pranuar të ketë lidhje agjenturore”. Madje, as në gjyq nuk pranoi asgjë. Në vitin 1976 babai im doli nga burgu, pra, bëri 15 vjet burg një për një, fitoi tre muaj nga amnistia e vitit 1962 që u bë atëherë. Arrestimi i tij u bë në 01.04.1961 dhe mbarimi i dënimit më 14.02.1976.

Në cilat burgje vuajti dënimin babai juaj?

Në disa burgje. Fillimisht në burgun e Burrelit, më pas në Laç, ku punoi në ndërtimin e Uzinës së Superfosfatit, më pas në ngritjen e Fabrikës së Çimentos në Elbasan e Fushë- Krujë, më pas e dërguan në burgun e Spaçit, në Reps e më pas në burgun e Ballshit. Ku atje u lirua nga burgu. Më pas filloi si punëtor në Mirëmbajte Rruga-Ura në Elbasan, ku kishte mjaft miq dhe njerëz shumë të mirë, të cilët e ndihmuan për të punuar si usta deri sa doli në pension.

Si ka qenë jeta juaj pas persekutimit?

Që nga arrestimi i babait filluan edhe telashet e familjes. Mamaja ime bënte punët më të rënda. Ajo në atë kohë ishte shumë e re, 34-vjeçe dhe jam krenare për të, sepse ishte shumë heroinë, madje, sigurimi donte që ta ndante edhe nga babi, siç bënin në ata kohë strukturat e sigurimit, por nuk ia arritën dot. Ajo punoi në shumë punë. Në fillim e dërguan punëtore në ndërtim, më pas përfundoi punëtore në lavanderi. Ndërsa motra ime punëtore në hekurudhë, ishte caktuar të punonte brenda në tunel. Aty të gjithë ishin të persekutuar, pasi edhe nëse ndodhte ndonjë aksident, nuk na kishin në laps. Ndërsa motra tjetër punonte në gurore edhe atje punët më të rënda i jepnin.

Çfarë mban mend kur filluan proceset demokratike, të përmbysjes së sistemit komunist?

Unë isha punëtor në ofiçinë, isha në komisionin e grevave dhe protestave si gjithë qytetarët e tjerë që dëshironin një Shqipëri të lirë. Në çdo takim kur vinte Sali Berisha, Azem Hajdari kam marrë pjesë në çdo takim që bënin ata. Nuk kam qenë dakord me shkatërrimet që u bënë në Elbasan.

Në lidhje me Rezolutën Çame si mendon?

Çdo grupim, parti, shoqatë që mbështet problemin çam i falënderoj për mbështetjen që na japin.

Në punë më akuzonin si “armiku i popullit”

Drejtori i ndërmarrjes, Mersin Aliaj një herë në dy muaj më pushonte nga puna dhe shpesh më bënte provokime. Ja një rast. Unë isha xhenerik dhe duke punuar isha duke hequr një tub, erdhi aty dhe ju tha punëtorëve ‘e njihni këtë se kush është? Është armiku i popullit’, mu errën sytë dhe u mata t’i qëlloja me levë, por ende nuk e di se si u përmbajta. Mora një çelës 36-41, e desha ta gjuaja, por shyqyr, Zoti më dha rrugë që të mos e bëja. Madje, pas disa kohësh kur e hoqën nga ndërmarrja, erdhi për të më dhënë dorën dhe nuk ia dhashë. Madje, shumë herë më thërrisnin operativët dhe më thoshin ‘ti je i yni’, duhet të bashkëpunosh me neve, duhet të tregosh se, çfarë bëhet në ndërmarrje, por nuk pranova e nga kjo pastaj fillonin presionet e punës, largimet, pushimet pastaj më merrnin përsëri në punë. Por shyqyr që sistemi socialist u prish shpejt, sepse do të kishim përfunduar në burg. Viti 1976 ka qenë viti më i zi, pasi pas daljes së babait nga burgu donin të na fusnin të dy brenda, pavarësisht se babai kishte pak që kishte dalë.