Veteranët dhe ish-ushtarakët e Beratit braktisin Namik Doklen

484
Sigal

Dështon takimi, sepse askush s’e kishte harruar vitin 2005, kur z/kryeministri Dokle nuk miratoi statusin e ushtarakëve

Veteranët dhe ish-ushtarakët në Qarkun e Beratit kanë braktisur kandidatin për deputet në këtë zonë, z.Namik Dokle. Përfaqësuesi i Partisë Socialiste në një takim që ka organizuar në Shtëpinë e ish-Ushtarakëve në Berat ka mbetur i zhgënjyer pasi asgjë nuk ka rezultuar sipas pritshmërive të tij. Salla, ku mbahej takimi ka qenë pothuajse e boshatisur. Pjesëmarrësit që në këtë rast duhet të ishin veteranët dhe ish-ushtarakët kanë preferuar më mirë të qëndronin në lulishte, e cila ditën e djeshme ngrohej nga dielli i parë i këtyre ditëve të mbushura me shi e ndërsa një pjesë tjetër kanë konsumuar kafenë të qetë jashtë ambienteve, ku mbahej takimi. Veteranët dhe ish-ushtarakët të lodhur nga fjalët dhe premtimet e pa mbajtura kanë vendosur në këtë rast që të mos shkojnë në mbledhjen e paralajmëruar ditë më parë, pasi ata janë të bindur se edhe z.Dokle nuk është më i mirë se politikanët e tjerë, ky mendim sipas tyre, zë fill që në vitin 2005. Zhgënjim i mbartur në gjithë këto vite ende nuk ishte zbehur në fytyrat e ish-ushtarakëve, të cilët kujtonin me mllef kohën kur në këtë vit kishte qenë z/kryeministër z.Namik Dokle, vit kur u propozua edhe statusi i ushtarakëve, por që nuk u fut për miratim, sepse pas qëndronin zullumet politike. Disa ish-ushtarakë, me të drejtë shprehen për gazetën “Telegraf”, se nuk po e kuptojnë se çfarë kërkon ky njeri në Berat? Me çfarë fytyre iu del përpara ish-ushtarakëve, kur luajti me statusin e tyre vetëm pak kohë para zgjedhjeve? Madje-madje sipas tyre, në atë kohë statusi u përdor, ashtu siç u përdorën edhe çështje të tjera të rëndësishme për popullin shqiptar vetëm e vetëm për të fituar mandatin e radhës nga Partia Socialiste. Sipas tyre, dështimi i takimit, i organizuar ditën e djeshme ishte i merituar, sepse në fund të fundit ashtu sikundër thotë edhe popullit “do korrësh atë që ke mbjell”. Sigurisht që, fushata elektorale në Qarkun e Beratit vazhdon në të gjitha zonat dhe shtresat e ndryshme diskutojnë vetëm për të. Kështu edhe personat më të ndjeshëm të politikës veteranët dhe ish-ushtarakët janë përfshirë në problemet politike, të situatës aktuale në shkallë vendi, por edhe për Qarkun e Beratit, i cili aktualisht ndodhet në gjendje jo të mirë. Sipas burimeve në takimin e mbajtur është folur edhe për koalicionin midis dy forcave politike atë të Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim. Kështu, bëhet e ditur se, veteranët e kanë vlerësuar bashkimin, por gjithashtu, kanë kërkuar që të vendosen kandidatë për deputetë figura të spikatura që të gëzojnë respektin e popullit dhe jo njerëz të importuar. Ndër të tjera burimi ynë thekson se, edhe kreu i Shoqatës së ish- Ushtarakëve, Vladimir Mema, në këtë takim është shprehur se qeveria e ardhshme që do të dalë nga zgjedhjet e 23 Qershorit, duhet të marr në konsideratë zgjidhjen e shumë problemeve që sot shqetësojnë ish-ushtarakët, pasi ata nuk kanë përfituar shumë gjëra sipas ligjit në fuqi.