Pagesë mbi 1 mijë euro në muaj, kërkojnë në internet vajza për “punë erotike online”, policia: S’ka ligj që dënon “punëdhënësit”

716
Sigal

Ofrojnë
pagesë mbi 1 mijë euro në muaj, mundësi punësimi si modele në vende të ndryshme
të Evropës dhe udhëtime turistike. Kërkohen vajza si modele për webkamera, apo
siç e quajnë ndryshe “punë erotike online”. Njoftimet bëhen në internet, nën
tituj të tillë si “Cila femër kërkon të punojë në Zvicër”, “Kërkoj një femër me
qira”, “Kërkoj një femër për punë e do ta ndihmoj me pare”, “Kërkoj një vajzë
me virgjëri të vërtetuar” etj si këto.

Njoftime të tilla gjendet në faqet
e internetit ku pasqyrohen njoftime të ndryshme për punësim. Pas disa prej
këtyre ofertave joshëse fshihet kërkesa për marrëdhënie seksuale dhe ushtrim
prostitucioni. Madje në disa lajmërime të tjera kjo kërkesë bëhet hapur duke i
vënë një çmim si virgjërisë ashtu edhe kohës që vajzat do të shpenzojnë me
personin që ka publikuar njoftimin.

Nuk mungojnë as rastet kur një
aktivitet i tillë është shndërruar në biznes dhe vajzat duke u joshur nga puna
e modeles përfundojnë duke bërë striptizëm përpara një web kamera në qytete të
ndryshme të Shqipërisë. Raste të tilla janë goditur më herët edhe nga policia
ku disa vajza, kryesisht studente punonin nëpër studio të paregjistruara ku
kryenin seks virtual nëpërmjet chatit.

Polica e shtetit thotë për ‘News24’
se përveç vështirësisë së identifikimit të personave që joshin dhe kërkojnë
vajza për shërbime të tilla, ka edhe një problem tjetër. Në kuadrin ligjor
shqiptar ka vakuum. Policia mund të ndëshkojë pronarin e një aktiviteti të paligjshëm,
por jo aktivitetin që kryhet në të, pasi ligji nuk parashikon një vepër të
tillë penale. Policia thotë gjithashtu se identifikimi i rasteve ku kërkojnë
marrëdhënie apo ofrojnë para online, është shumë i vështirë, pasi nëpërmjet një
numri telefoni apo një kompjuteri nuk mund të faktohet vepra penale.