Pa skenën e vrasjes, pronari i lokalit në Peqin: Njëri qëlloi disa herë viktimën, tjetri i vuri flakën makinës

191
Sigal

Sami Bashaliu, pronari i një lokali në Gjoçaj të Peqinit, ka parë me sytë e tij sesi dy persona të “maskuar” ekzekutuan 35-vjeçarin Albi Bashaliu dhe më pas u larguan nga vendi i ngjarjes. Për mediat ai ka treguar hap pas hapi sesi ndodhi vrasja, si ishin veshur autorët dhe sesi u larguan më pas pasi i vunë flakën automjetit të viktimës.

Bashaliu, i cili tregon se kur ndodhi ngjarja ishte në lokal duke punuar, tregon se makina ishte parkuar pranë biznesit të tij ndërsa shton se kishte xhama të zi dhe nuk shihej se kush qëndronte pas timonit.

Pasi viktima zbriti nga makina e tij, ata e qëlluan.

“Ishte veshur njëri me xhinse të zeza, xhup të zi, jakat lart dhe me maskë Covid. Dukeshin si çuna të rij. Një doli me pistoletë…U frikësuan të gjithë.”, 

Pas vrasjes, shpjegon Sami Bashaliu një nga autorët iu afrua viktimës dhe e qëlloi prapë, më pas i kontrolloi xhepat dhe i mori çelësat e makinës.

“E ndezi makinën, ky tjetri doli dhe i hodhi benzinë dhe i vunë flakën…Pastaj u larguan.”

Përpara se të largoheshin, një nga autorët i kishte bërë thirrje edhe që të futej brenda ndërsa ai dhe të tjerë në lokal shihnin skenën të habitur. Bashaliu tregon se Albi ishte një djalë punëtor dhe në dijeninë e tij nuk kishte pasur probleme.

Kujtojmë se ngjarja ka ndodhur sot rreth orës 08:40, sapo viktima ka zbritur nga makina e tij për të shkuar në kafe.

Pak minuta më pas uniformat blu gjetën të djegur edhe një makinë e cila dyshohet të jetë e autorëve të ngjarjes. Në akset kryesore, u ngritën postblloqe dhe u krye krehja e zonës me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Pistë kryesore e kësaj vrasjeje është hakmarrja dhe lidhet me të kaluarën e viktimës dhe të vëllait të tij Leonard Bashaliu.