”Operacioni Puka”, projekti që do të luftojë biologjikisht procesionaren e pishës

632
Sigal

Projekti i mbështetur nga qeveria për të luftuar biologjikisht sëmundjen e pishës, u zhvendos në masivin pyjor të Pukës, atje ku ekspertë të Universitetit Bujqësor të Tiranës përhapën në natyrë insektin që e lufton procesionaren. Zyrtarisht projekti ka nisur në terren duke dalë nga faza eksperimentale ku ishte deri pak ditë më parë. ”Operacioni Puka” u prezantua nga Ministri i Mjedisit Blendi Klosi, i cili siguroi se ai do të shtrihet në të gjitha pyjet e Shqipërisë. Ministri u shpreh se qeveria do ta mbështesë projektin në mënyrë që prej tij çdo bashki të ketë mundësi për t’i mbrojtur fondet pyjore me insektet që luftojnë procesionaren.

Procesionarja është një lloj insekti që prek kryesisht pishat e zeza, por edhe të buta, duke u ushqyer me gjethet dhe trungun e pemës deri sa ajo të thahet. Prej kohësh, Bashkia Pukë i kishte kërkuar UBT-së dhe Ministrisë ndihmë rreth këtij problemi, problem që tashmë duket se do të ketë një zgjidhje. Dy muaj më parë Fakulteti i Shkencave Pyjore në UBT nisi projektin e mbarështimit të insektit kolosoma erëkeqe në Parkun Kombëtar të Llogarasë.

Krahas nisjes së projektit në terren, Klosi prezantoi gjithashtu edhe përparësitë që ofron ligji i ri i pyjeve, i cili u miratua në dhjetor të vitit të shkuar. ”Ligji i ri u rikthen pyjet bashkive me të drejta të plota jo vetëm pronësie por dhe ruajtje e menaxhimi, kështu përmes pyjeve bashkitë mund të krijojnë të ardhura nga shfrytëzimi dhe përdorimi si pasuri dytësore”,-tha Klosi i cili shtoi se me ndryshimet në kodin penal tashmë prerja e pemëve konsiderohet si ”grabitja e një dyqani” dhe prerja e pyjeve ”si grabitja e një banke”.

”Duhet ta mendojmë pyllin si një ekonomi, si një ekonomi që duhet ruajtur nuk duhet dëmtuar, por duhet transformuar si një pasuri e vërtet. Sot nuk kemi të ardhura. Bashkia e Pukës duhet të ishte një bashki realisht e pasur me kaq shumë pyje që ka në administrim, me pyje historike, por dhe me pyje të reja. Këtë nuk e kemi dhe ligji i ri kërkon që të ngrihen këto struktura”. Prej vjeshtës së vitit 2019 e në vazhdim është vënë re shtim masiv i procesionares. Në fillim të vitit 2020 qeveria raportoi në parlament se rreth 14 për qind e sipërfaqes pyjore në Shqipëri ishte në rrezik nga ky insekt. Sipas inspektimeve të Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, deri më sot procesionarja ka prekur të paktën 7 parqe kombëtare: Lurë-Mali i Dejës; Qafë-Shtamë; Mali i Dajtit; Shebenik-Jabllanicë; Bredhi i Drenovës; Llogara dhe Theth.