Prof. Jorgji Hanxhari: Veprimet me bankat na janë bërë një barrë e rëndë për buxhetin e varfër të pjesës më të madhe të popullsisë

131
Sigal

– I ashtuquajtur “komision” në veprimet bankare po na rrjep.

– I ashtuquajtur “komision”, do të ishte jo më shumë se 50 lekë, për veprime të thjeshta.

– Si ka mundësi që komisioni të jetë sa 30 përqind e vlerës së dokumentit.

– Bankat e nivelit të dytë, për vitin 2022, simbas lajmeve që dëgjojmë, kanë dalë me qindra miliona euro sufiçit, nga që na rrjepin neve.

 

Ministres së Financave,

zonjës Delina Ibrahimaj

 

Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë 

Zotit Genc Sejko


Prof Jorgji Hanxhari, 

Ish – pedagog në Fakultetin e Gjeologji-Minierave Tiranë.

Zonja Ministre, Zoti Guvernator,

Ju uroj shëndet!

Veprimet me Bankat na janë bërë një barrë e rëndë, për buxhetin e varfër të pjesës më të madhe të popullsisë, mbasi aplikojnë taksa në pëqindje të larta, për veprime shumë të thjeshta, të cilat ata i quajnë “KOMISION”. Me logjikën e thjeshtë të një qytetari, që di të vlerësojë edhe vështirësitë e punës të cilitdo, them se një i ashtuquajtur “komision”, do të ishte jo më shumë se 50 lekë, për veprime të thjeshta, si marrje vërtetimesh, apo pagesa të thjeshta, ndërsa për klientët e Bankës përkatëse, nuk ka përse të mbahet komision.

Ju lutem, shikojeni me seriozitet këtë problem, që nuk mund ta quaj ndryshe, por thjesht një rrjepje që po na bëjnë Bankat, të cilat dalin çdo vit sufiçit!

Dhe ja se çfarë më ndodhi këto ditë!

Bankat që po na rrjepin!

Më duhej një vërtetim i thjeshtë nga një institucion arsimor, vërtetim i cili kushtonte 1000 lekë, por që sipas rregullit paguhet në Bankë, ndaj unë shkova në Bankën më të afët, në Bankën Raiffeisen. Atje punonte vetëm një arkëtare, edhe pse kishte 3 sportele, ndaj kishte rreth 10 vetë që prisnin rradhën, por që arkëtarja punonte ngadalë dhe rradha shtohej vazhdimisht. Më në fund, pas mbi tre çerek ore, më erdhi rradha dhe shkova për të bërë pagesën, për të cilën arkëtarja më kërkoi 1300 lekë, duke më sqaruar se 300 lekë është komisioni! U habita, që si ka mundësi që komisioni të jetë sa 30 përqind e vlerës së dokumentit, por ajo ma preu, duke e shoqëruar me buzëqeshjen e zakonshme, se kaq është! Sigurisht që e pagova! Kur mora dokumentin, pasi i dorëzova mandat arkëtimin zonjës së Institucionit arsimor, më sqaroi se po të vija në Intesa San Paolo Bank, komisioni do të paguhej me 1000 lekë, që do të thotë 100 përqind mbi vlerën për dokumentin! Pyeta në Bankën ku unë jam klient prej disa vjetësh dhe më thane se edhe atje paguhet 250 lekë komision, edhe për klientët! Dhe pashë se si na rrjepin “të dashurat” Banka të nivelit të dytë, të cilat janë të gjitha private dhe të huaja, pra se si na rrjepin nën hundën e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, i cili e ka pagën mujore sa katër-pesëfishin e pagës së Profesorëve dhe i duket asgjë në raport me pagën e vet, por për pagën e punonjësve të thjeshtë, të studentëve, të pedagogëve apo dhe të pensionistëve, ky i quajtur “komision” rëndon së tepërmi në buxhetin e tyre të varfër! Ndaj, të gjitha Bankat e nivelit të dytë, për vitin 2022, simbas lajmeve që dëgjojmë, kanë dalë me qindra miliona euro sufiçit, nga që na rrjepin neve, popullin e varfër, mbasi nuk na mbron as qeveria dhe as Guvernatori i Bankës së Shqipërisë! Përse duhet të paguajmë komision, për një shërbim të thjeshtë, siç është pagesa që bëjmë në Bankë, aq më tepër në një vlerë kaq të madhe! Le të na përgjigjet Guvernatori dhe Ministria e Financave!

Me respekt, për detyrën e lartë, që jeni ngarkuar të kryeni,

**

Shërbimet bankare kanë rënë, ndërsa kostot e shërbimeve bankare janë rritur

Fakti është që, bankat, – duke qenë në gjendje të sigurojnë të ardhura të majme nga komisione për shërbime që qytetarët detyrimisht do të duhet t’i marrin, si dhe të ardhura akoma më të majme nga interesat e borxhit publik ku ato dominojnë falë fuqisë ekonomike dhe asimetrisë së informacionit dhe disa kufizimeve administrative, – kanë mundësinë t’i lejojnë vetes të mos rrezikojnë duke dhënë kredi, por të bëjnë qejf me të ardhura të sigurta dhe pa rrezik. Kjo natyrisht që përbën problem për ekonominë kombëtare. Paratë që duhej të investoheshin përmes kreditimit bankar në aktivitete fitimprurëse dhe që hapin vende pune në sektorin privat, në fakt përfundojnë për të financuar borxhin publik, duke bllokuar efektivisht zhvillimin ekonomik të vendit, ose duke e ngadalësuar atë.

Zgjidhja për këto dy probleme nuk është aq e vështirë. Sistemi rregullator, (Banka e Shqipërisë apo Autoriteti i Konkurrencës), duhet të imponojë funksionimin e konkurrencës në tregun e shërbimeve bankare, ndërsa qeveria, si pronare e borxhit publik, duhet të ulë borxhin publik dhe të reklamojë tërheqjen e investitorëve të rinj në këtë treg, me qëllim që dominimi i bankave në të, të pakësohet.

Në çdo rast, problemi nuk qëndron te bankat, sepse ato janë biznese private dhe nga biznesi privat nuk mund të presësh ndjeshmëri sociale dhe as largpamësi në lidhje me zhvillimin afatgjatë ekonomik të vendit. Këto dy gjëra, ndjeshmërinë sociale dhe largpamësinë, duhet ta presësh nga autoriteti publik.

Një përdoruesi të shërbimeve bankare vështirë se do t’i ketë shpëtuar të vërejë se si, përgjatë pesëmbëdhjetë viteve të fundit, cilësia e shërbimeve bankare ka rënë, ndërsa kostot e shërbimeve bankare janë rritur. Rënia e cilësisë mund të vërehet te radhët e gjata që duhet të presësh për veprimin më të thjeshtë si dhe, nëse vëren më me vëmendje, kohën tejet të gjatë që një punonjësi shërbimi në banka të ndryshme, i nevojitet për të bërë veprimin më të thjeshtë, si, fjala vjen, të numërojë 20 kartëmonedha apo të printojë një dokument. Por për këtë nuk mund të ketë matje të saktë, ky është thjesht një konkluzion disi abuziv. Ajo që mund të matet më saktë është kostoja e shërbimeve bankare, të matura këto nga pasqyrat financiare të vetë bankave. Po flas për të ardhurat që bankat kanë nga komisionet bankare, të tilla si komisionet për pagesat e taksave apo komisionet e “mirëmbajtjes” së llogarive bankare, veçanërisht, llogarive që qytetarët janë të detyruar të hapin për të marrë pagën.

Situata ishte krejt e kundërta pesëmbëdhjetë vite më parë. Cilësia e shërbimit ishte e lartë, radhët ishin të pakta dhe komisionet bankare ishin absolutisht shumë më të ulëta se sa sot.

Ngadalësia e punës nga punonjësit e bankave ka gjasa që lidhet me statusin e tyre si prekariat. Bankat janë institucione me pabarazi të mëdha në të ardhura dhe lista e pagave e rrjedhur në mënyrë famëkeqe disa muaj më parë, tregon se si sportelistët nëpër banka marrin paga fare pranë pagës minimale zyrtare, ndërsa drejtorët e tyre i kanë rrogat dhjetëfish e njëzetfish më të larta.

Fitime të sigurta

Dy gjëra duket se e ndryshuan situatën për keq përgjatë pesëmbëdhjetë viteve të fundit: 1. Vendimi i Bankës së Shqipërisë rreth vitit 2005 për të mbyllur sportelin e hapur për blerjen e titujve të borxhit publik, vendim që bëri që bankat të rifitojnë një kontroll mbi tregun e borxhit publik dhe, më e rëndësishmja, mbi informacionin që u jepet investitorëve potencialë për mundësinë në investimin në borxh publik. 2. Vendimi i Ministrisë së Financave në vitin 2007 për të detyruar të gjitha bizneset që të paguajnë rrogat e punëtorëve në banka.