OFL i kërkon ‘dy të fortëve’ në Durrës dhe Koplik të deklarojnë pasuritë

135

OFL vijon me kërkesat për deklarimin e pasurive duke i kërkuar dy personave të dënuar më parë në Gjermani dhe Belgjikë të plotësojnë formularin.

Më saktë OFL i kërkon A.K, nga Durrësi i dënuar në Gjermani në fushën e narkotikëve të deklarojë pasurinë.

Gjithashtu i kërkohet plotësimi i formularit edhe B.P, banues në Koplik i dënuar në Belgjikë për trafik të qenieve njerëzore. A.K, dhe B.P kanë 48 orë kohë për të deklaruar burimet e pasurive të tyre kurse SPAK duhet të vlerësojë brenda 15 ditëve dosjen e tyre. Më pas vendos Gjykata Speciale për masën e sekuestrimit dhe konfiskimin përfundimtar më pas në një afat prej 6 muajsh.

OFL e filloi punën me pronat e Altin Hajrit, një nga të shpallurit në kërkim për vrasjen e Jan Prengës. Nën sekuestro u vendos resorti i tij luksoz në Shijak por jo vetëm edhe në Shkodër u sekuestruan pasuritë e disa prej anëtarëve të grupit ‘Dukagjini’ të përfshirë në ngjarjen e 17 janarit.

Më pas formularët i janë dorëzuar Lulzim Berishës, Saimir Taullaut, Ardian Çapjes, Suel Çelës, Plarent Dervishajt. Kurse u sekuestroi tre automjete të blinduara Saimir Taullaut, Dashamir Gjokës dhe Durim Bamit pasi i kishin pa leje të posaçme.

NJOFTIMI I POLICISË

10 shkurt

OFL Vijon Operacioni Forca e Ligjit Në kuadër të zbatimit të Ligjit Special për masat pasurore ndaj individëve të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar apo krime të rënda, OFL i ka nisur kërkesat me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë, shtetasve:

– A. K., banues në Durrës, i dënuar në Gjermani për vepra penale në fushën e narkotikëve;

– B. P., banues në Koplik, Shkodër, i dënuar në Belgjikë për trafik të qenieve njerëzore; Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së.

Më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, i cili brenda jo më shumë se 15 ditësh, duhet të vlerësojë dosjen e përgatitur nga OFL-ja mbi aktivitetin kriminal të këtyre subjekteve, si edhe pasurinë e tyre. Sapo të bëjë këtë vlerësim, SPAK-u duhet t’i kërkojë Gjykatës Speciale masën e sekuestrimit për pasuritë e subjekteve dhe pas sekuestrimit dhe në jo më shumë se 6 muaj Gjykata Speciale duhet të vendosë për konfiskimin përfundimtar të tyre.

Theksojmë se të gjithë personat që iu është dërguar kërkesa me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë, i kanë plotësuar formularët dhe i kanë dorëzuar të gjithë pranë OFL-së, e cila ka vijuar me procedurat sipas përcaktimit në aktin normativ nr. 1 , të datës 31 janar 2020.

OFL do të informojë publikun në vijimësi për të gjitha nismat procedurale dhe operacionet ekzekutive që do të kryejë.