“O Sali, o hero”, Berisha mbërrin në selinë blu, pritet me ovacione

147
Sigal

Ka mbërritur në selinë e Partisë Demokratike. Ish-kryeministri mbërriti në seli pak minuta para nisjes zyrtare të protestës së thirrur prej tij.

Në oborr ai është pritur me ovacione dhe thirrje të shumta  nga qindra simpatizantë që janë grumbulluar për të nisur më pas marshimin drejt Kryeministrisë.

“Shqipëria në rrezik: Mos thuaj ç’më duhet mua”, është slogani i protestës së sotme thirrur kundër qeverisë. Qëllimi i demokratëve sikurse e kanë deklaruar është largimi i Edi Ramës.

Është parashikuar që demokratët dhe protestuesit të ndahen në tre grupe dhe më pas të bashkohen para kryeministrisë. Grupi i parë do të jetë tek Sheshi Skënderbej ku do të grumbullohen protestuesit që vijnë nga qytetet veriore të vendit.  Juglindja do të grumbullohet pranë fakultetit Ekonomik, ndërsa protestuesit që vijnë nga jugu do të grumbullohen tek Bulevardi Dëshmorët e Kombit.

Para kryeministrisë është vendosur edhe një podium, ku pritet të mbajnë fjalën 20 persona, përfshirë Kryemadhin, Këlliçin dhe Vokshin. Ndërkohë fjalën i fundit do ta mbajë ish kryeministri Sali Berisha, i cili edhe do të mbyllë protestën. Berisha pritet të flasë për rreth 30 minuta.