Prej disa muajsh emigrantë shqiptarë që jetojnë në Itali e që kërkojnë konvertimin e patentës shqiptare në patentë italiane nuk po munden t’i gjejnë zgjidhje kërkesës së tyre. Sipas dokumentacionit zyrtar publik të Minstrisë Italiane të Infrastrukturës e Transportit, prej datës 25 dhjetor 2019 ka skaduar marrëveshja mes Shqipërisë dhe Italisë për njohjen e së drejtës së konvertimit të patentës shqiptare në Itali.
Kjo marrëveshje rinovonte për 5 vite të tjera marrëveshjen e mëparshme firmosur në Tiranë mes dy vendeve me skadencë kohore nga 27 tetor 2008 deri më 15 korrik 2014 e i jepte të drejtën e konvertimit të patentës shqiptare për të gjithë emigrantët shqiptarë me leje të rregulltë qëndrimi e me të paktën 4 vjet rezidentë në Itali.
Marrëveshja e re u përditësua me një dokument të firumosur më 3 shtator 2019, me numër protokolli 26741, hyrë në fuqi prej datës 8 shtator 2019, pas ankesave të emigrantëve shqitparë që ishin pajisur me patente shqiptare të modelit të ri aprovuar nga Ministria Shqiptare e transportit më 24 janar 2017.
Ky ndryshim i jepte mundësi konvertimi patente, të gjithë emigrantëve shqiptarë të pajisur me patentë shqiptare të modelit të vjetër apo të ri me kusht që patenta të mos ishte e skaduar në kohë. Kanë kaluar mbi 8 muaj nga skadimi i marrëveshjes së 2014 e ende nuk ka qartësi nëse ka një rinovim të përkohëshëm të saj e nëse po punohet për një marrëveshje tjetër afatgjatë.
Në dokumentacionin e autoriteteve italiane rekomandohet se “një vit para skadencës së marrëveshjes (tashmë e skaduar) mes dy vendeve duhet të nisin kunsultimet për procedurat e rinovimit të saj. Fakt është se janë të shumta emigrantë shqiptarë që kërkojnë të konvertojnë patentën e tyre shqiptare në Itali për motive pune, nevoje e jetese, por dhe për pamundësi ekonomike. Marrja e një patente italiane është një shpenzim ekonomik që me pagesat e dokumentacionit e të orëve të teorisë, praktikës e të provimeve shkon rreth 1200 euro.