Agron Mema: Kirurgu i Jugut, Mjeshtri i Madh, Miço Xhaferi

580
Sigal

Pasi mbaron së lexuari librin e Prof. Dr. Lluka Heqimi, “ Dr. Miço Xhaferi-Kirurgu i jugut-Mjeshtër i Madh”, del në konkluzion se është vepra më përmbajtësore, më serioze dhe më e dobishme për zhvillimin historik dhe një antologji e zhvillimit të kirurgjisë shqiptare të pasluftës së dytë botërore të botuara deri tani, nga forma dhe përmbajtja e saj dhe stili i të shkruarit. Ashtu siç kam konstatuar edhe herë të tjera në shkrimet dhe paraqitjet e mia në gazetën “Telegraf” për Mjeshtrin e madh dhe Dr. i shkencave mjekësore Dhimitër Xhaferi, po e përsëris përsëri në këtë shkrim, se ky libër i Prof. Dr. Lluka Heqimit, është një punë e çmuar, jo vetëm kushtuar këtij personaliteti të mjekësisë shqiptare, ku çdo sukses e ka arritur me mund e sakrifica, madje në periferi, larg auditoreve dhe sallave të kryeqytetit. Duke rrugëtuar në jetën e Dr. Miço Xhaferit, Mjeshtër i madh, ushëton dhe në labirinthet e kirurgjisë shqiptare dhe në veçanti asaj të Sarandës në ngjitjen dhe zhvillimin e saj në vite, duke mos e braktisur punën dhe përvojën e tij edhe sot, kur ka kapërcyer të 80 -vitet e jetës, por me plot energji dhe forcë të pashterrshme. Kur flasim për zhvillimin mjekësor dhe aq më tepër për kirurgjinë e pasluftës Naçl, me ato kushte dhe mjete infrastrukturore që dihen, kjo është një temë që në fakt qëndron në zemër, pra në qendër të kësaj periudhe: Zhvillimi mjekësor dhe roli i saj në ruajtjen e shëndetit publik, ndërgegjësimi i komunitetit  për vetruajtjen e shëndetit. Libri ka vlera pedagogjike dhe kode etike të mjekut, të sjelljes së tij me pacientin, kontributi në kultivimin e përgjegjësisë ndaj jetës së pacientit, jo vetëm tek vetja, por edhe tek kolegët.

Pasi siç thotë vetë Dr. Miço: “Ruaju nga dembelat, jo nga të paaftët, se i paafti mëson me kalimin e kohës, por dembeli mbetet i tillë gjithë jetën se është çështje karakteri dhe merr në qafë jo vetëm veten, por edhe të sëmurët.” Këto kode etike janë të domosdoshme edhe për profesione të tjerë në mardhënie me njerëzit, me institucionet, me vetveten. Vjen nëpër faqet e librit sakrifica e shkollimit dhe mirënjohja për profesorët dhe ata e që e ndihmuan, aftësimi dhe arritja e bërjes së një shërbimi kirurgjikal model në një nga spitalet më periferik të Shqipërisë, në Sarandën jugore. Kjo arritje erdhi edhe përmes pengesash të kritizerve, karieristave dhe të paaftëve që drejtonin shëndetësinë në Sarandë. Por papërkulshmëria dhe sakrifica arritën rezultatin duke qëndruar besnik me Hipokratin, me jetën e pacientit në shërbim dhe ruajtje të jetës së tij. Vjen edhe kontributi dhe roli i kirurgëve të parë që u bënë edhe petagogët e parë të fakultetit të mjekësisë dhe sëbashku me kontributin e tyre vjen edhe mirënjohja dhe homazhi ndaj veprimtarisë së tyre. Dr. Miço bëri që në spitalin periferik të Sarandës të flitej e plotë gjuha kirurgjikale. Pastaj në libër shohim rolin dhe kontributin e tij me përkthime dhe botime shkencore dhe letrare. Dr. Miço ndahet përfundimisht me nihilistët dhe kritizerët e kohës, i flak me neveri dhe betimin e Hipokratit e kthen në predikim biblik duke ju përkushtuar zhvillimit dhe përsosjes së kirurgjisë e cila percepton pjesën më të madhe të veprimtarisë së tij mjekësore. Por vijnë edhe preferencat e tij në fusha të tjera si arti, letërsia, muzika, teatri, filozofia, atdhedashuria, klubet, politika etj. Çdo përpjekje e tij në rrjetin e kirurgjisë e barte duke u bazuar në parimin e reformacionit. Në këtë libër biografikë dhe historik, në mënyrën se si është shkruar, me ngjarjet e prezantuara, me saktësitë dhe shtjellimet historike e shkencore që na i ofron, jo vetëm që është nga librat më të pakët i këtillë në gjithë literaturën shqipe për kirurgjinë, por mund të themi edhe i vetmi në këtë lloj, pasi padyshim është edhe kontributi më i madh i deritanishëm që i sillet shkencës historiografike të kirurgjisë shqiptare. Autori i librit, pikërisht Prof. Dr. Lluka Heqimi, pjesë e kësaj materjeje akademike mjekësore, ka zgjedhur që t’i selektojë fenomenet dhe çështjet e temës duke i parë ato veç e veç kronologjikisht deri sa na sjell portretin e plotë të Dr. Miços edhe me veprimtarinë e tij, edhe me vlerësimet e miqve dhe shokëve. Një nder dhe meritë tjetër që na sjell Prof. Dr. Heqimi, është edhe gjithë ajo listë me emra të shquar të mjekësisë dhe fusha të tjera të jetës, si shenjë e mirënjohjes së tij ndaj tyre. Vet autori është një figurë e shquar e mjekësisë shqiptare, ndaj prezanton me siguri vlera të çmueshme  shkencore dhe historike dhe si i tillë sjell dobi edhe për studentët, mjekët, infermierët dhe gjithë njerëzit e thjeshtë dhe publikun e gjerë. Ky botim do të shërbejë edhe njëherë si një konfirmim për vlerat shkencore dhe historike të kirurgjisë shqiptare, o si asaj të traditës, o si përvojë dhe model i punës mjekësore, sepse është shkruar me një stil të veçantë akademik, objektiv, që fsheh pozicionin dhe qëndrimin personal të autorit ndaj ngjarjeve në diskutim, duke ju referuar edhe informacioneve gojore dhe të shkruara e të botuara nga miqtë, shokët, kolegët, dashamirësit e Dr. Miço Xhaferit.