Prof. Dr. Selman Sheme : Si deportuan kolonët grekë në Çamëri

47
Sigal

   Ka 110 vite që krahina etnike shqiptare e Çamërisë i është nënshtruar një procesi të egër asimilimi dhe helenizimi

    Si depërtuan kolonët grekë në Çamëri?

Gjatë gjithë rrjedhave të historisë, Çamëria ka qenë një regjion i banuar nga popullsi autoktone shqiptare.

– Banorët e kësaj treve me gjuhë, kulturë, tradita e zakone të lashta janë pasardhës të fiseve pellazgo-ilire, të quajtur epirotë.

-Gërmimet  në Shpellën e Kreshmoit në Konispol, Shpellën e Shën Marinës në Mile, vendbanimin fushor të Xarrës në Pasaron, Ozdinë, Nikopole e tjerë dëshmojnë se trualli ku sot banojnë shqiptarët ka filluar të popullohet qysh në epokën e paleolitit të mesëm.

Prof. Dr. Selman Sheme

(Me rastin e 110 vjetorit të Konferencës së Ambasadorëve në Londër dhe aneksimit grek të Çamërisë). Akademia e Shkencave e Shqipërisë në “Platformën për zgjidhjen e çështjes kombëtare shqiptare” ka kërkuar që folësit e gjuhës shqipe, që banojnë në viset e Çamërisë, Kosturit, Follorinës etj., të njihen si pakica etnike në bazë të parimeve të shpallura nga organizatat ndërkombëtare si OKB-ja, OSBE-ja, KE-ja etj., të  nënshkruara edhe nga vetë shteti grek.

Ka 110 vite që krahina etnike shqiptare e Çamërisë i është nënshtruar një procesi të egër asimilimi dhe helenizimi. Pas vitit 1913, me vendimet e padrejta të Konferencës së Ambasadorëve në Londër  dhe pushtimin grek të Çamërisë, filloi një trysni e pandërprerë e shtetit dhe e forcave të ndryshme ultranacionaliste greke për  shkombëtarizimin e kësaj krahine shqiptare dhe helenizimin e saj. Studimet rigoroze shkencore shqiptare dhe të huaja të mbështetura në kulturën materiale dhe dokumentet e shkruara dëshmojnë katërcipërisht autoktoninë dhe vazhdimësinë pellazgo-ilire-arbërore të popullsisë çame në trevën më skajore jugore të hapësirës etnike shqiptare në Ballkanin Perëndimor. Në këtë artikull do të trajtojmë një objekt të rëndësishëm demogjeografik të identitetit regjional të Çamërisë, etnogjenezën dhe strukturën etnike të popullsisë në disa etapa historike deri në ditët tona.

Autoktonia ilire dhe vazhdimësia iliro-shqiptare.

Gjatë gjithë rrjedhave të historisë, Çamëria ka qenë një regjion i banuar nga popullsi autoktone shqiptare. Banorët e kësaj treve me gjuhë, kulturë, tradita e zakone të lashta janë pasardhës të  fiseve pellazgo-ilire, të quajtur epirotë. Gërmimet  arkeologjike të kryera në Çamëri në disa stacione prehistorike si në: Shpellën e Kreshmoit në Konispol, Shpellën e Shën Marinës në Mile, vendbanimin fushor të Xarrës në Pasaron, Ozdinë, Nikopole e tjerë, ku janë gjetur (zbuluar) fosile, gurë stralli të retushuar (thika, sëpata, dalta, shtytëse, qeramika me glasurë e tjerë), dëshmojnë se trualli ku sot banojnë shqiptarët ka filluar të popullohet qysh në epokën e paleolitit të mesëm. Nëntë shtresat kulturore të zbuluara në Shpellën e Kreshmoit, përbëjnë një rast unikal deri tani në Shqipëri, që shprehin qartë proceset etnokulturore të vazhdimësisë pellazgo-iliro-arbërore. Kultura e hershme materiale e shqiptarëve e njohur me emrin “Kulturë e Komanit”, flet qartë për vazhdimin e traditës ilire. Ky kapërcim kulturor nga lashtësia në Mesjetë (kultura arbërore) në krahinën e Çamërisë del qartë në varrezat e Lëmit të Ri, në fshatin  Dishat (Konispol). Në këtë Nekropol të thjeshtë janë zbuluar shumë elementë analogë me Kulturën e Komanit. Për autoktoninë ilire dhe vazhdimësinë iliro-shqiptare të popullsisë së Çamërisë në trojet e veta gjenden shënime të bollshme në veprat e autorëve klasikë si Skylaksi, Herodoti, Straboni, Tuqididhi, Ptolemeu, Plini, Stefan Bizantini etj. Për të dalluar helenët  nga popujt e tjerë, shkrimtarët antikë përdorën formulën “Pas nur elien varvarës” – “Kush nuk është helen është barbar”, domethënë jo grek, që nuk flasin greqisht. Herodoti në veprën e tij “Historia” shkruan se banorët e hershëm të kësaj treve, pellazgët ishin popull barbar dhe flasin gjuhën barbare. Skylaksi, gjeograf grek i shek.III-II p.e.s, thotë se Dodonën, e cila ndodhet në Epir e themeluan pellazgët dhe në viset e brendshme të Epirit banojnë fise barbare, madje në afërsi të Orakullit të famshëm. Straboni kujton në veprën e tij Homerin, i cili thotë se banorët përreth Dodonës ishin  barbarë. Straboni shkruan gjithashtu se Thrakët banojnë edhe sot (domethënë në shek.I) në krahinat në kufi të Heliadës. Praninë e ilirëve në Epir e dëshmojnë edhe të dhënat e tjera që i përkasin fushës së onomastikës, toponimisë, antropologjisë, numismatikës e tjerë. Çamët dhe epirotët në përgjithësi kanë pasur të ndryshme nga helenët, veç të tjerash edhe skeletin, historinë, kulturën, zakonet, ligjet, monedhat etj. Në mbishkrimet e zbuluara në Dodonë kanë dalë rreth 50 emra me prejardhje ilire. Gjatë mesjetës së hershme banorët e Epirit nuk përmenden me emrat e tyre etnikë, as ilirë, as epirotë, por me apelitivin e përgjithshëm bizantin “romajos”. Nga  shekulli XIII, kur në Perandorinë Bizantine përhapet koncepti i ri mbi kombësinë, i cili merret në konsideratë përmes përkatësisë fetare dhe komponentit gjuhësor, shqiptarët shfaqen si banorë autoktonë të Epirit, të Maqedonisë Perëndimore dhe të Thrakisë Veriperëndimore.

Në një dokument të shekullit XV të botuar nga historiani  grek S.Llabros, thuhet se: “ gjithë Epiri sot banohet nga shqiptarët, popull ilir”. Studiuesi tjetër Theodoro Spandugino Cantacuzino pohon se: “Janina ishte kryeqyteti i mbretërisë së Shqipërisë”. Më tej,  po ky autor  shkruan se: “kur Sulltan Murati pushtoi Artën thotë se hyri në Shqipëri”.

Struktura fetare dhe etnike e Çamërisë deri në pushtimin nga Greqia.

Çamëria historikisht nuk ka qenë një njësi administrative e njësuar, prandaj dhe të dhënat për numrin e popullsisë dhe strukturën e saj për periudha të ndryshme janë të tërthorta dhe të përafërta. Në sanxhakun e Delvinës ku përfshihej një pjesë e konsiderueshme  e Çamërisë, shqiptarët përbënin shumicën në të gjitha kazatë e saj. Kazatë e Delvinës, të Filatit, të Paramithisë, të Margëlliçit dhe Fanarit kishin gjithsej 13.217 familje shqiptare. Përkundrazi, në sanxhakun e Janinës shumicën e popullsisë e përbënin banorët grekë e vllahë (22.220 familje). Nga llogaritjet tona të përafërta, del se në gjysmën e shekullit XIX, Çamëria dhe trevat e tjera shqiptare pranë saj kanë pasur një popullsi prej mbi 150.000 banorësh. Sipas të dhënave që jep Sami Frashëri në Fjalorin e përgjithshëm të Historisë dhe të Gjeografisë (Kamus-ul-alam, 1889) krahina e Çamërisë bënte pjesë në dy sanxhaqe të vilajetit të Janinës: në sanxhakun e Janinës dhe në sanxhakun e Prevezës. Sanxhaku i Janinës përbëhej nga 6 kaza, 2 nahije dhe 439 fshatra me një popullsi prej  166.691 banorësh. Në kazatë e Janinës, të Meçovës dhe të Konicës, popullsia  ishte me etni të ndryshme (shqiptare, vllahe dhe greke), kurse në kazatë e Filatit, Ajdonatit, Paramithisë e Leskovikut, popullsia ishte tërësisht shqiptare dhe shumica e fesë myslimane. Sanxhaku i Prevezës përbëhej nga 3 kaza, 2 nahije dhe 175 fshatra me një popullsi prej 55.000 banorësh. Pjesa më e madhe e popullsisë ishin të fesë myslimane, ndërsa pjesa tjetër ishin të krishterë ortodoksë. Popullsia myslimane dhe shumica e popullsisë së krishterë ishin të etnisë shqiptare. Vetëm në kazanë e Prevezës, rreth kufirit me Greqinë, të krishterët ishin të etnisë greke. Me shpalljen e Kushtetutës Turke, shërbimi ushtarak u bë i detyrueshëm për të gjithë shtetasit e perandorisë dhe për këtë qëllim u krijuan regjistrat themeltarë të popullsisë. Sipas regjistrimit të xhonturqve më 1910, Sanxhaku i Reshadijes (kështu quhej krahina e Çamërisë në kohën e xhonturqve) kishte  72.999 banorë nga të cilët  60.897 banorë ose 84% të popullsisë e përbënin shqiptarët.

Kur ndodhi  procesi  i islamizimit të popullsisë në Çamëri?

Popullsia shqiptare në Çamëri deri në fillim të shekullit XVIII ishte pothuajse e gjithae besimit ortodoks. Nga regjistrimi i popullsisë (defterët mufasalë) del se në shek.XVI (1583) në krahinën e Epirit (Çamëri) islamizimi i banorëve vendas ishte ende një dukuri e izoluar. Vetëm në qytete mund të takojë familje të besimit islam, të cilat përfaqësonin aristokracinë feudale vendase. Islamizimi në masën e fshatarësisë u përhap në shek.XVIII, veçanërisht në periudhën e sundimit të Ali Pashë Tepelenës, proces ky që përfshin pothuajse gjysmën e popullsisë. Sipas Kodiksit të P. Arvantinoit (1856), krahas qindra fshatrave me shqiptarë myslimanë në trevën e Çamërisë kishte 72 fshatra me shqiptarë të krishterë, në rrethin e Janinës 33 fshatra dhe në rrethin e Konicës 22 fshatra. Popullsia shqiptare ortodokse banonte kryesisht në malësitë e Çamërisë (Sul), por edhe në Frar, ndërsa popullsia shqiptare e fesë myslimane banonte kryesisht në rajonet fushore. Banorët e krahinës myslimane dhe të krishterë zhvillonin një aktivitet ekonomik të kombinuar bujqësor-blegtoral, me përparësi si të njerës apo tjetrës degë të ekonomisë, në varësi nga kushtet natyrore. Secila familje kishte  pronat e saj dhe në përgjithësi krahina e Çamërisë përbëhej nga fshatra të lirë. Në shumicën e tyre fshatrat çamë populloheshin nga banorë të të njëjtit besim, por kishte edhe fshatra të përziera. Popullsitë e të dy komuniteteve fetare jetonin në harmoni me njëri-tjetrin gjë që shpjegohet:

Së pari, ata i përkisnin të njëjtit komb, kishin gjuhë, kulturë e zakone të përbashkëta.

Së dyti, një pjesë e popullsisë e ndërroi besimin vonë (shek.XIX) dhe shumë familje ruanin marrëdhënie fisnore dhe territoriale, pasi jetonin pranë  njëri-tjetrit.

Së treti, në të gjithë fshatrat e Çamërisë ka qenë përhapur zakoni i lashtë i shqiptarëve për bashkëjetesë dhe vëllazërim midis besimeve fetare. Dallimi midis tyre ka qenë vetëm në ushtrimin e riteve fetare. Megjithëse ortodoksët ishin të lidhur me kishën greke dhe myslimanët me fenë e pushtuesit turk për arsyet e mësipërme, ata kishin lidhje  më të forta mes tyre sesa me të huajt grekë apo turq.

Si depërtuan kolonët grekë  në krahinën e Çamërisë?

Në periudha të ndryshme historike, veçanërisht në shek.XVII-XVIII, në krahinën e Çamërisë me popullsi etnike shqiptare homogjene imigruan dhe u vendosën banorë me prejardhje etnike të ndryshme. Deri në kohët moderne, në perandoritë mesjetare lëvizjet migruese kanë qenë  të zakonshme. Kushtet natyroro-klimatike e tokësore të favorshme,  veçanërisht kullotat dimërore dhe gjithë vjetore të Çamërisë, tërhoqën kohë pas kohe grupe blegtorësh nomadë -vllahë. Me kalimin e kohës vllahët (arumunët), vendosen edhe në zonat fushore, duke krijuar vendbanime sedentare. Çamëria ishte një rajon me kushte të përshtatshme për zhvillimin edhe të bujqësisë. Pronarët e mëdhenj (feudalë) të Çamërisë për të shfrytëzuar më mirë tokat e tyre tërhoqën edhe bujq e çifçinj grekë nga krahinat kufitare greke. Në të njëjtën kohë kjo dukuri ndodhi edhe në Vurgun e Delvinës dhe në luginën e Dropullit. Kolonët grekë, me kalimin e kohës, në fushat e Çamërisë ndërtuan vendbanimet e tyre. Dyndjet e vazhdueshme të këtyre grupeve etnike (vllahe e greke), bënë që të ndryshojë gradualisht struktura etnike e popullsisë në krahinën e Çamërisë. Për pasojë në fund të shek.XIX, krahas popullsisë vendase shqiptare (myslimanë dhe ortodoksë) janë prezente edhe pakica greke e vllahe. Secili grup etnik, sidomos shqiptarët që përbënin pjesën më të madhe të popullsisë dhe kishin nivelin më të lartë të zhvillimit ekonomiko-shoqëror, ruante individualitetin e tij dhe nuk u asimiluan njëri nga tjetri. Me gjithë ndryshimet etnike e fetare, në tërësi etnitë jetonin në harmoni dhe në krahinë nuk kishte probleme sociale. Në gjysmën e dytë të shek.XIX, për të vënë në jetë programin politik me emrin “Megali Idea” (Ideja e Madhe), qarqe të caktuara nacionaliste greke nxitën konflikte etnike  dhe fetare për aneksimin dhe shkombëtarizimin e trojeve shqiptare të Çamërisë dhe helenizimin e gjithë Shqipërisë së Jugut. Sipas konceptit politik të Mbretërisë Greke, Epiri përfshinte territoret nga Janina në Durrës. Në realizimin e strategjisë së spastrimit etnik dhe helenizimit grek, rolin kryesor e kanë luajtur shpërnguljet e dhunshme (1913 – 1944 ), me pasoja shkatërrimtare demografike për krahinës e Çamërisë. Synimi ishte i qartë, zgjerimi i kufijve  shtetërorë tradicionalë të Greqisë dhe grabitja  e tokave dhe pasurive të shqiptarëve.