Nuk i regjistroi automjetin në pikën kufitare, pranga policit në Shkodër

523
Një punonjës policie është arrestuar në qytetin e Shkodër nën akuzën e shpërdorimit të detyrës. 57-vjeçari Ruzhdi Mashku, me detyrë inspektor, u arrestua pasi sipas policisë nuk ka regjistruar në hyrje të Pikës Kufitare të Muriqanit shtetasin Altin Okaj me automjetin e tij. Nga ana tjetër Okaj u arrestua 300 metra nga pika e kalimit të kufirit Muriqan duke transportuar me mjetin e tij Ford mallra ushqimore.
Njoftimi i policisë
Sektori i Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA) ka arrestuar në flagrancë punonjësin e policisë, Inspektor Ruzhdi Mashku 57 vjeç, me detyrë ndihmës specialist, kontrollor në Stacionin e Policisë Kufitare në Muriqan. Arrestimi është kryer pasi dyshohet se ka konsumuar veprën penale të ‘’Shpërdorimit të detyrës’’ në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 248 dhe 25 të Kodit Penal.
Nga verifikimet e kryera në sistem rezulton se punonjësi i policisë Ruzhdi Mashku nuk ka regjistruar në hyrje të Pikës Kufitare të Muriqanit shtetasin Altin Okaj me automjetin e tij. Shtetasi Altin Okaj është arrestuar në një largësi prej 300 metrash nga pika e Kalimit të Kufirit Muriqan nga forcat e Drejtorisë Vendore të Policisë, Shkodër duke transportuar me automjetin tip “Ford’’ me targa AA 781 MO, mallra ushqimore. Materialet proceduriale i kaluan për hetime të mëtejshme Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër.
Sigal