Ndërkohë që gjithë vëmendja kombëtare dhe evropiane e ka fokusin në trafikun e lëndëve narkotike mes Shqipërisë dhe Italisë, një trafik i ri po lulëzon në heshtje; ajo e breshkave të tokës, një specie në zhdukje e cila mbrohet nga Konventa e Uashingtonit (Cites).
Mediat italiane i kanë kushtuar vëmendje të veçantë këtij trafiku në rritje, duke vënë alarmin. Shoqatat në mbrojtje të kafshëve kanë kërkuar ndërhyrjen e instancave për t’i vënë fre, kontrabandës së breshkave të tokës.
Pak ditë më parë në portin e Brindizit, policia doganore arriti të rikuperonte në kohë dy ekzemplarë të rritur të llojit “Testudo Hermanni”, që është në fakt breshka e zakonshme e tokës që e has kudo në Shqipëri. Ekzemplarët u zbuluan në bagazhin e një fugoni që vinte nga Shqipëria. Dy ekzemplarët ishin fshehur me kujdes. Shoferi përgjegjës ishte shtetas shqiptar, banues në Itali.
Në një rast tjetër një turist me origjinë shqiptare por me pasaportë italiane, që kishte udhëtuar nga Durrësi për në Bari i kishte fshehur ekzemplarët e breshkës së tokës në valixhen e udhëtimit. Ai i tha policisë se i kishte marrë si suvenir nga Shqipëria.
Breshka e tokës (Testudo hermanni) ose breshka e zakonshme është një ndër llojet e rrezikuara të faunës shqiptare. Testudo hermanni ka një cikël jetësor të ndarë në dy pjesë: periudhën e gjumit letargjik (nëntor-mars/prill) dhe periudhën aktive (mars/prill-nëntor). Mosha mesatare për pjekurinë seksuale është mbi tetë vjeç për meshkujt dhe mbi nëntë vjeç për femrat. Breshkat femra lëshojnë 3-5 vezë në vit.
Po sa kushton një breshkë toke në tregun e zi dhe çfarë dënimi parashikon ligji?
Top Channel ka bërë një hulumtim rreth trafikut dhe çmimeve që vendosen për lloje të ndryshme të breshkave të tokës. Breshka e llojit Testudo hermanni është mjaft e zakonshme në territoret ballkanike dhe kushton zero lek. Mjafton të kesh kohën të ecësh fushave e tu ngjitesh kodrave për ta gjetur.
Fatkeqësisht, në Itali dhe disa vende evropiane ka një treg të lulëzuar për këtë kafshë: disa i shesin, të tjerët i japin falas.
Ti mund të kesh në pronësi një breshkë toke vetëm nëse e ke të pajisur me certifikatën CITES dhe me mikroçipin përkatës kundrejt 15.49 euro për çdo ekzemplar të regjistruar në CITES.
Në të kundërt, dënohesh për tregti të paligjshme. Për tregtinë e paligjshme të këtyre breshkave, ligji parashikon burgim nga 3 muaj deri në 1 vit dhe një gjobë dukshëm të lartë. Për ekzemplarët e breshkave gjoba shkon nga 500 deri në 2000 euro. Në rast përsëritjeje, arresti mund të jetë deri në dy vjet dhe gjobat mund të arrijnë shifra që ta lënë llogarinë në të kuqe.
Mesatarisht, çmimet e breshkave të tokës (kryesisht foshnjat) sipas llojit janë:
Testudo hermanni 60/80 euro
Testudo marginata 70/80 euro
Centrochelys sulcata 80/100 euro
Testudo horsfieldi 60/100 euro
Breshkat e rritura që janë në moshën riprodhuese kushtojnë shumë më tepër:
Testudo hermanni mashkull 150/400 euro
Centrochelys sulcata 500/2000 euro
Testudo hermanni femër 300/600 euro
Breshke Horsfield e rritur 300 euro
Testudo marginata e rritur 300/1000 euro