Kopshtet e çerdhet përgatiten për rihapjen në 1 qershor

341
Sigal

Në disa prej kopshteve dhe çerdheve të kryeqytetit po bëhen përgatitjet e fundit për të ofruar ambiente sa më të pastra dhe mbi të gjitha të sigurta.

Vogëlushët që do t’i drejtohen ditën e hënë çerdheve dhe kopshteve do të kalojnë kontrollin e një edukatorje e cila do u masë temperaturën në hyrje dhe në dalje. Në lidhje me zbatimin e protokollit të sigurisë dha më shumë detaje Drejtoresha e Përgjithshme e Çerdheve dhe Kopshteve në Tiranë, Zhaneta Beqiri

 “Në momentin që fëmijet do vijnë në kopsht dhe në çerdhe do priten dhe do përcillen nga një edukatore e cila do jetë e pajisur me maskë dhe doreza do bëjë matjen e temperaturës në hyrje dhe në dalje. Matja e temperaturës do bëhet disa herë gjatë ditës, po ashtu dhe higjienizimi i duarve të fëmijëve në hyrje dhe në dalje. Në hyrje do jenë vasketat me dezinfektantë për kepucët e femijës dhe pandoflat dhe më pas do mbahet filtri i kontrollit nga një edukatore dhe më pas fëmija do kalojë në grupin e vet. Gjatë ditës në çerdhe dhe në kopshte për sa i takon stafit mbështetës që janë punonjësit e higjienës që kanë në fokus higjenën dhe stafi i kuzhinës do jenë të pajisur  me doreza dhe me maska”, u shpreh ajo.

Duke qenë se vogëlushet do ndajnë ambiente të përbashkëta, sipas drejtoreshës ndër të tjera janë marrë masat që në një klasë mos të ketë më shumë se 15 fëmijë

 “Numri i fëmijëve në grup nuk e kalon 12, maksimumi deri në 15. Një grup me hapësirë fizike është deri në 75 metër katrorë, që vetë kjo hapësirë fizike bën të mundur ruajtjen e largësisë. Në momentin që ata do të jenë në gjumë të aplikojmë metodën një krevat me fëmijë dhe një krevat bosh”, tha Beqiri.

Pas vendimit për rihapjen e çerdheve dhe kopshteve Ministria e Shëndetësisë publikoi dhe udhëzuesin se si do funksionojnë këto institucione me 1 qershor dhe në vijim.

Në territorin e Bashkisë Tiranë do të rihapen 35 çerdhe dhe 95 kopshte publike, institucione të cilat do qendrojnë hapur gjatë gjithë stinës së verës.