Një qendër shëndetësore ku sëmuren të sëmurët!

240
Sigal

Qytetarët paguajnë paratë për sigurimet shëndetsore, por ata sa herë kanë nevojë për shërbime në poliklinikat e Tiranës dhe rretheve presin me orë të tëra pa marrë shërbimin e duhur. Ndërsa në spitale sekserët e shëndetësisë monopolizojnë edhe oksigjenin e pacientëve, ku kompanitë nëpërmjet skemave mashtruese po grabisin milionat nga paratë publike

Nga Mystehak Xhemali

Nuk bëhet fjalë për ndonjë qendër shëndetësore në ndonjë fshat të largët, por për një qendër shëndetësore në mes të Tiranës e pikërisht për qendrën shëndetësore numër 8 në bllokun “Vasil Shanto”. Në koridorin e ngushtë të kësaj qendre si dhe jashtë saj do të ndeshësh me një turmë qytetarësh, të cilët me orë të tëra presin të marrin shërbimin shëndetësor nga mjekja e lagjes. Dhe kjo ndodh pasi për më shumë se katër muaj në këtë qendër punohet vetëm me një turn, pasi mjekja e dytë, edhe pse ekziston në organikë, mungon. Qytetarët ankohen për mungesë shërbimi, ndërsa organet kopetente heshtin e nuk e vënë ujin në zjarr për të zëvendësuar mjeken, e cila, sipas një informacioni, ka shkuar për specializim. Një qytetar i moshuar, i cili ka më shumë se tre orë në pritje, jo pa ironi shprehet i revoltuar: “Në këtë qendër shëndetësore vijmë për t’u shëruar, por në të vërtetë, duke pritur me orë të tëra, po sëmuremi edhe më shumë”. Ndërkohë që qytetarë të tjerë vijnë dhe ikin pa marrë shërbimin e kërkuar.

Sipas të dhënave në këtë qendër shëndetësore u shërbehet më shumë se 6000 pacientëve. Është e vetmja qendër shëndetësore që mbulon një territor të gjerë që shtrihet nga Liqeni i Thatë deri në kufijtë e stadiumit “Dinamo”, duke përfshirë edhe dy krahët e shkollës “Vasil Shanto”.  Në këtë qendër shëndetësore u shërbehet pacientëve që kërkojnë ndihmë e asistencë mjekësore që nga vizitat ambulatore e deri tek dhënia e rekomandimeve për ekspertiza të specializuara. Sipas një llogaritje të thjeshtë konstatohet se çdo ditë, duke përfshirë edhe ditën e shtunë, duhet t’u shërbesh mezatarisht rreth 250 pacientëve, ndër të cilët përfshihen edhe ata persona që tërheqin kodin përkatës për  recetat e rimbursuara. Dhe çdo kush e bën një llogari të thjeshtë: nëse do t’u shërbesh këtyre pacientëve e t’u kushtosh atyre vetëm dy deri në tre minuta vizitë apo konsultë mjekësore, arrin në përfundim se një tetë orarësh natyrisht është i pamjaftueshëm. E në këtë mënyrë llogaritet që edhe sikur të punosh dy turrne përsëri koha nuk mjafton për t’u shërbyer qytetarëve.

Sipas informacioneve të marra në këtë qendër shëndetësore, edhe pse problemi  është ngritur disa herë në instanacat përkatëse, nga ana e tyre ka vetëm heshtje e shurdhëri. Kjo mungesë personeli shëndetësor në këtë institucion në qendër të Tiranës ka shkaktuar edhe rrevoltën e qytetarëve, të cilët në shumë raste janë larguar pa marrë shëbimin përkatës. E kjo jo për faj të personelit shëndetësor, por për faj të drejtuesve të shëndetit publik në qytetin e Tiranës. Akoma më shumë kjo neglizhencë është jo pa pasoja edhe për faktin se ende ndodhemi nën pushtetin e pandemisë e të nevojës urgjente për të marrë shërbimin dhe asistencën e domosdoshme mjekësore nga personeli shëndetësor. Qytetarët ankohen dhe për këtë anashkalim me pasoja për jetën e qytetarëve, në një kohë që në ministrinë e Shëndetësisë ka rënë heshtja. Një heshtje e frikëshme dhe me pasoja vrastare. Ata që e vuajnë këtë sittuatë janë qytetarët, të cilët jo pa mëllef shprehen se në këtë qendër shëndetësore vjen për t’u shëruar, por në fakt sëmuresh edhe më tepër nga pritja e gjatë e mungesa e shërbimit mjekësor.