Një javë nga zgjedhjet e 25 qershorit, shtohen rastet e vrasjeve dhe vendosjes së tritolit

547
Vendi duket se është përfshirë në një klimë kriminaliteti tepër të lartë. Vrasje, vjedhje, vendosje tritoli, vetëvrasje, janë krimet që u shtuan së tepërmi pas zgjedhjeve
Situata paszgjedhore në vendin tonë nuk duket e qetë. Ndërsa politikanët dhe Policia e Shtetit ishin të përqendruar në fushatën elektorale dhe në atë se çfarë do të prodhonin këto zgjedhje, krimi ka ngritur kryet. Që nga Vlora, Shkodra, Tiranë dhe qytete të tjera kanë përjetuar ngjarje tepër të rënda. Janë shënuar vrasje, është vendosur eksploziv biznesmenëve, është vrarë një mjek. Të gjitha këto brenda një harku kohor njëjavor. Policia e Shtetit, drejtuar nga Haki Çako më së shumti ka qenë e përqendruar në ruajtjen e kutive të votimit dhe atë se çfarë ndodh brenda këtij terreni sesa tek shtimi i masave për të parandaluar ngjarje të rënda. Vlora e cila njihet si qyteti ku numri i shpërthimeve me eksploziv është i lartë, ka regjistruar dy ditë më parë një rast të ri. Policia njoftoi se në banesën e shtetasit R.M., 57 vjeç, banues në Vlorë, persona të paidentifikuar ende, i kanë vendosur lëndë eksplozive (plasëse) kësaj banese. Ngjarja ka ndodhur në lagjen “Lirimi” pranë rrugës “Demokracia”, ku dyshohet se pranë derës së kësaj banese (kati II) është vendosur një sasi e vogël lëndë shpërthyese. Si pasojë e shpërthimit, kemi vetëm dëmtime të pjesshme të derës së banesës. Në momentin e ndodhjes së ngjarjes, nuk ka pasur njeri në banesë. Polici njofton se këtij objekti (lokal-banesë) i është vendosur eksploziv edhe disa ditë më parë, me pasoja të lehta materiale. Policia vijon veprimet hetimore në lidhje me zbardhjen e ngjarjes. Po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve përgjegjës. Ndërkohë që mbrëmja e djeshme tronditi qendrën e Tepelenës. Persona që nuk janë identifikuar kanë qëlluar me armë. Policia gjeti në vendin e ngjarjes një gëzhojë dhe një automjet tip “Volkswagen”, që dyshohet të jetë i autorit ose autorëve. Mësohet se gjithçka ka ndodhur pas një konflikti mes dy të rinjve, që degjeneroi më pas me të shtëna armësh. Ndërsa në datë 28 qershor, tre ditë pas zgjedhjeve, në rrugën “Gjin Bue Shpata u qëllua me armë zjarri shtetasi Tefik Hyka. Nga hetimet paraprake dyshohet se kanë qenë dy autorë, të cilët janë larguar me një motor. Gjithashtu janë sekuestruar pamjet filmike përreth vendit të ngjarjes. Ndërsa gjatë mbrëmjes së djeshme në zonën “Ali Demi” në një magazinë është gjetur një person rreth 50 vjeç i vrarë. Dy ngjarje të rënda u shënuan në Shkodër. Një mjek mbeti i vrarë nga komshiu i tij, pas një konflikti për ndërtimin e një shtese. Ilir Aliaj është personi i vrarë. Ndërkohë që autori, edhe pse u tha se u rrethua nga RENEA, arriti të largohej nga banesa dhe policia thotë se e ka shpallur në kërkim. Një tjetër vrasje ndodhi në Durrës, Djali në gjendje të rëndë depresive vrau dy prindërit e tij, vetëm sepse nuk i dhanë para për t’u larguar drejt Italisë.
Sigal