Njazi Mara : Problem, trashëgimia e vlerave të LANÇ-it

723
Sigal

INTERVISTA/ Flet për “Telegraf”, veprimtari i palodhur, ish-ushtaraku nga Saranda Njazi Mara

Quhet Njazi Mara dhe ka qenë oficer i ushtrisë shqiptare, bir i një familjeje me tradita patriotike dhe të lidhur me LANÇ-in. I palodhur dhe i papërtuar do ta shohësh cep më cep e shtëpi më shtëpi të qytetit duke shpërndarë shtypin e veteranëve, pavarësisht nga një sëmundje serioze që kaloi dhe këshillimi mjekësor nuk ia rekomandon lëvizjen në diell në këto ditë të nxehta. Njaziu ngre shqetësimin se vjen koha që duhet punuar për çimentimin e brezit të trashëgimisë së këtyre vlerave, pjesë e kulturës, historisë dhe traditës kombëtare. Por nuk punohet nga të gjithë dhe po shkon drejt zbehjes një nga faqet më të lavdishme të popullit shqiptar dhe më e marrëzishmja është fenomeni i dëmtimit të lapidarëve dhe simboleve të LANÇ-it dhe moskokëçarja për ta ruajtur këtë vlerë.

Z.Njazi përshëndetje! Para se të zhvillojmë bisedën, dua t’ju pyes se çfarë pozite keni në degën e Organizatës së Veteranëve të Sarandës?

Përshëndetje edhe juve për kontributin që bëni si gazetë në promovimin e vlerave të LANÇ-it! Unë kam 8 vjet që marr pjesë në Komitetin e Veteranëve të rrethit të Sarandës. Dhe jam një veprimtar i saj që kam punuar dhe punoj me përkushtim për të njohur dhe ngritur, por edhe transmetuar vlerat e LANÇ-it dhe mbrojtjen e gjakut të dëshmorëve nga nëpërkëmbja. Si trashëgimtar dhe pasardhës i veteranëve të LANÇ-it, brenda Organizatës së Veteranëve të Sarandës punoj me ato ideale që ka punuar edhe im atë, edhe xhaxhai, edhe nëna, sepse edhe ata kanë qenë veteranë. Dhe atë gjak, atë mund, atë djersë dhe sakrificë, do ta shpërblej dhe po e shpërblej me punë në Komitetin e Veteranëve. Është amanet prindëror, atdhetar, hyjnor, njerëzor, krenarie, personaliteti, që trashëgimia më faqendritur e qëndresës mijëra shekullore e kombit shqiptar të mos venitet deri në zhdukje. Kjo nuk i shërben historisë, kombit, dinjitetit kombëtar, të ardhmes sonë drejt Europës me individualitetin dhe krenarinë tonë historike.

-Dhe një pyetje që vjen si pasojë e veprimtarisë suaj, si ka qenë dhe si është gjendja propagandistike?

Fillimisht, kur mora përsipër këtë punë, pashë një gjendje jo të mirë të angazhimit, të abonimeve (sidomos nga ata që marrin lëvdatat pa shkrepur as fijen e shkrepëses për ndriçimin e vlerave të LANÇ-it), të pjesëmarrjes së njerëzve në këtë problem. Në këtë situatë mora iniciativën vetjake dhe ju futa punës në të katër lagjet e qytetit të Sarandës për të ndryshuar situatën. Dhe arrita vitin e parë të punës, para gjashtë viteve, të bëja 100 abonime në organin tonë të shtypit, kjo vetëm brenda qytetit. Kjo u arrit nëpërmjet shpërndarjes së gazetës shtëpi më shtëpi dhe e bëra vet vitin e parë, po sot lëvdatat i merr tjetër kush, madje pa lexuar në jetën e tij asnjë gazetë, pa le më gazetën e organizatës. Punoja me pasion dhe pa pishmanllëk dhe fitova respektin.

-Përveç moshës së tretë, a ka nga moshat e tjera interesim për gazetën tuaj?

Në përgjithësi është në rënie. Kjo për arsye se, ashtu sikurse thashë, jo të gjithë e ndiejnë atë përgjegjësi, jo të gjithë e ndjejnë atë sakrificë që kanë bërë brezat, prindërit, gjyshërit tanë, për këtë ditë që neve sot gëzojmë. Por duke e komentuar, apo programuar që nga qendra në bazë të strukturave të veteranëve, duhet bërë çmos në shpërndarjen e materialeve propagandistike dhe për këtë bëjmë çmos ne si pjesa më e shëndosh e organizatës…

-Kjo është ajo që quhet maja e ajsbergut, por përveç ditëve të shënuara kalendarike si historike, a ka programime me aktivitete në institucionet arsimore për propagandimin e vlerave të LANÇ-it, pasi atje është pjesa më e shëndoshë dhe më e arsimuar e brezit të ri (natyrisht dhe më e kuptueshmja) dhe mesazhet tuaja të lidhen drejtpërdrejt me brezin e ri?

Po! Pyetja është e drejtë! Në vijueshmëri të traditës kemi punuar me shkollat nëpërmjet aktiviteteve të bashkëbisedimit, festimet e ndryshme që shkollat organizojnë dhe duke propaganduar vlerat kombëtare dhe duke kërkuar respektimin e tyre, sepse ata janë me mendime të ndryshme dhe preferenca politike të ndryshme, por mësuesit na kanë kuptuar pavarësisht nga kjo. Pra trashëgimia e këtyre vlerave po jep rezultat, por të ngadaltë…

-Çfarë problemesh ka organizata juaj dhe si përballohen ato?

E para është ajo që siç thotë populli, rigjenerimi, që lisat kur bien në lisare të mbillen filiza të rinj, të rimbushet organizata me njerëz të rinj për mos të lënë kurrë asnjë vend bosh. Dhe ka shumë shokë që bëjnë çmos për këtë, ashtu sikur edhe ka që nuk çajnë kokën, por lëvdatat male. Ky është problem. Tjetër është përballimi i situatës së dhunimit dhe shkatërrimit të simboleve të LANÇ-it me mesazhe historike. Në këtë përballje nuk duhet mohuar edhe mbështetja e njësive vendore. Po kohët e fundit na kanë pakësuar fondet dhe lëvizjet kanë shkuar në minimizim. Por unë kam evidentuar dhe fotografuar të gjithë lapidarët dhe pllakatet e LANÇ-it në rrethin e Sarandës së bashku me situatën rreth tyre dhe kam albumin përkatës. Kemi lapidare të dëmtuar si në Muzinë, Nivicë etj., që shumë pak vëmendje kushtohet me gjithë thirrjen tonë, por sidomos edhe me pronarët e truallit, ku është vendosur lapidari si rasti i Nivicës-Lukovë. Na mungon edhe mundësia e komunikimit me mjete në këto situata. E them këtë se vihet re një fenomen që njësitë vendore shpenzojnë për festime përvjetorësh të ndershëm si datëlindje dhe nuk vënë asnjë qindarkë për ceremonira festive të LANÇ-it dhe aq më keq që të sponsorizohet për kujtimet e tyre që të kthehen në vlera muzeale. Hë për hë nuk kemi një gjë të tillë. Kemi gjashtë vjet që jemi ndarë nga ceremonitë e këtyre llojeve kur venim shtëpi më shtëpi dhe përkujtonim datëlindjet dhe betejat e suksesshme të luftës dhe duke intervistuar protagonistët, duke lënë një dokument të rëndësishëm për historinë. Edhe sot kemi shumë shokë që mosha i ka detyruar të zënë krevatin dhe duhet shkuar për ty pyetur dhe biseduar, pasi historisë do t’i duhet kjo dëshmi okulare. Më tepër vëmendje duhet të ketë për këtë problem.