Niveli i popullsisë në Shqipëri do të shkojë drejt rënies gjatë dekadave të ardhshme, parashikon OKB

536
Sipas parashikimeve të fundit të Divizionit të Popullsisë pranë OKB, gjatë dekadave të ardhshme disa shtete të Ballkanit pritet të përjetojnë rënie shqetësuese të popullatës së tyre.
“Disa vende pritet të përballen me një rënie popullsie më shumë se 15 për qind deri në vitin 2050, përfshirë këtu Bullgarinë, Kroacinë, Letoninë, Lituaninë, Poloninë, Moldavinë, Rumaninë, Serbinë, Ukrainën dhe Ishujt e Virgjër të Shteteve të Bashkuara” deklaroi raporti i publikuar më 21 qershor.
Raporti parashikoi se popullsia e Bullgarisë do të bjerë nga 7 milionë në vitin 2017 në 5.4 milionë në vitin 2050, ndërsa popullsia kroate do të bjerë nga rreth 4 milionë në 3.4 milionë.
Sipas parashikimit të OKB, Shqipëria do të pësojë një rënie të popullatës nga 2.9 milionë në vitin 2017 në 2.6 milionë në vitin 2050 dhe në 1.6 milionë në vitin 2100.
Rumania mund të presë një rënie të popullsisë nga 19.6 milionë në këtë vit në 16.4 milionë në vitin 2050. Në Serbi popullsia do të bjerë nga 8.7 milionë njerëz në 7.4 milionë.
Departamenti i Popullsisë pranë OKB-së tha gjithashtu se një rënie prej 15 për qind pritet në Moldavi, ku popullsia e tanishme prej 4 milionë banorësh pritet të shkojë në 3.2 milionë në 2050.
“Për 70 vjet, Republika e Moldavisë, Federata Ruse dhe Ukraina kanë pasur nivelet më të ulëta të jetëgjatësisë gjatë lindjes në Europë,” shtoi raporti.
Raporti theksoi se Bosnja, nga ana tjetër, mund të presë një rritje të vogël të popullsisë nga 3,507,000 në vitin 2017 në 3,508,000 në vitin 2050.
Maqedonia, megjithatë, do të ulet nga 2.1 milionë në 1.9 milionë njerëz dhe Mali i Zi nga 629.000 në vitin 2017 në 588.000 në vitin 2050.
Raporti nuk përfshiu të dhëna për Kosovën.
Në përgjithësi, raporti tha se popullsia botërore do të rritet ndjeshëm. “Popullsia aktuale botërore prej 7.6 miliardë personash pritet të arrijë 8.6 miliardë në vitin 2030, 9.8 miliardë në vitin 2050 dhe 11.2 miliardë në 2100. Afërsisht 83 milionë njerëz do t’i shtohen popullsisë së botës çdo vit, ku trendi rritës pritet të vazhdojë”, përfundoi raporti.
Sigal