Nishani-Lu Komuniteteve: U thoni besimtarëve se ISIS s’është Islamif

507
TIRANË – Presidenti Bujar Nishani, gjatë fjalës së mbajtur në konferencën “Islami dhe paqja botërore”, në Tiranë, tha se përballja me ISIS është sot një sfidë për gjithë njerëzimin, e cila ka nevojë për angazhimin e të gjithëve për ta luftuar këtë të keqe të përbashkët.
“Veprimtaria çnjerëzore e të ashtuquajturit Kalifat të Irakut dhe Sirisë ka shkaktuar më tepër viktima të fesë myslimane se sa të feve të tjera. Kjo vërteton katërcipërisht se nuk kemi të bëjmë me një përplasje qytetërimesh, por me një luftë të pandershme dhe pa kushte për pushtet dhe mbizotërim, me një skllavëri moderne fizike, politike e shoqërore. Përballja me të sot është një sfidë e vërtetë për të gjithë njerëzimin dhe ka nevojë për angazhimin e të gjithëve për ta luftuar këtë të keqe të përbashkët”,- u shpreh Presidenti Nishani.
Por, theksoi ai, udhëheqësit shpirtërorë kanë një detyrë sa të vështirë, aq edhe vendimtare në këtë drejtim, duke këshilluar dhe ndriçuar mendjet e atyre individëve, të cilët për arsye nga më të ndryshmet: politike, fetare, ekonomike, joshen drejt premtimeve boshe materiale dhe të parealizueshme duke mbushur radhët e luftëtarëve mercenarë në një luftë pa kurrfarë kauze fetare apo politike.
Duke vlerësuar harmoninë fetare si vlerë të përbashkët të të krishterëve e myslimanëve shqiptarë , Presidenti Nishani tha se ne sot jetojmë në një shoqëri shumëfetare me shumicë myslimane, ku anëtarët e të gjitha besimeve bashkëjetojnë prej shekujsh në paqe, harmoni dhe respekt të ndërsjellë.
“Në rastin e Shqipërisë, të tre besimet janë të lidhura me kombin, me vetë ekzistencën e tij. Modeli shqiptar i tolerancës, bashkëjetesës dhe harmonisë fetare është gjithashtu, një kolonë solide në ndërtesën e vetë shtetit shqiptar”, u shpreh Kreu i shtetit gjatë kësaj Konference, ku ishin të pranishëm drejtues të bashkësive fetare në Shqipëri, klerikë, ambasadorja e Delegacionit të BE-së në Tiranë, Romana Vlahutin, ambasadori i SHBA-së, Donald Lu, akademikë, studiues, etj.
Lu: Sqaroni besimtarët, ISIS nuk është feja islame 
Ambasadori amerikan në Shqipëri, Donald Lu, i kërkoi drejtuesve të Komunitetit Mysliman që të këshillojnë besimtarët që të distancohen nga aktet e dhunshme të Kalifatit të Irakut dhe Sirisë, që po kërcënojnë paqen në botë, nën petkun e Islamit. 
“Sot, bota kërcënohet nga ata që e bëjnë urrejtje fenë e tyre, nën petkun e Islamit. Unë e përgëzoj punën tuaj të palodhur për t’u siguruar që zërat tuaj, që këshillojnë paqen dhe mirëkuptimin të dëgjohen mbi ata që nxisin dhunën dhe shkatërrimin. Ndërsa vazhdoni punën tuaj të rëndësishme, ju lutem mbani parasysh, se, edhe në atë ditë ku Dielli t’ju godasë, dhe barra juaj të jetë e rëndë, Perëndia do t’u japë gjithçka që nevojitet për t’ia dalë mbanë”, tha ambasadori Lu. 
Sigal

Rama:Park për besimin në Tiranë kushtuar bashkëjetesës fetare 

“Toleranca është një fakt për t’u përshëndetur me përulje”. Kështu deklaroi kryeministri Edi Rama ndërsa ka marrë pjesë në Simpoziumin “Roli i bektashinjve”. Shefi i qeverisë shqiptare tha se bektashizmi është çelës i artë i bashkëjetesës fetare. Rama tha se bektashinjtë kanë një kontribut të paçmuar për vendin dhe për këtë shqiptarët kanë të drejtë të jenë krenar.
Në këtë aktivitet numri një i qeverisë shqiptare Rama njoftoi për ndërtimin e një parku në besimit në kryeqytet, kushtuar bashkëjetesës fetare, ku do të mbillen të gjitha lulet dhe bimët e përmendura në Kuran dhe Bibël, dy librat e shenjtë.
“Mu duk me vend dita për tu përcjellë idenë e ndërtimit në Tiranë të një parku të besimit. Një hapësirë publike e gjelbër e mbjellë me të gjitha lulet dhe bimët që përmenden në Kuran dhe Bibël. Në këtë park kushtuar bashkëjetesës, fëmijët, prindërit, gjyshet dhe gjyshërit e kryeqytetit dhe të qyteteve të tjera dhe vizitorët e huaj, do të mund të gjejnë jo vetëm të gjitha krijesat e gjelbra të këtyre librave të shenjtë, por edhe imazhet që u bëjnë jehonë. Të gjithë duhet tu jenë mirënjohës komuniteteve fetare dhe bektashizmit. Mirënjohje të gjithëve”, tha Rama
Kryeministri tha se në kohën e pushtimit otoman, i gjithë bektashizmi u bë mburojë vëllazërore për të dyja komunitetet, të krishterë dhe myslimanë. Gjatë fjalës së tij Rama theksoi se “shteti shqiptar nuk ka asnjë paragjykim dhe as përjashtim për këtë apo atë komunitet fetar”.
“Secili komunitet fetar përçon mesazhin dhe dëshminë e bashkëjetesës dhe vëllazërisë fetare. Ne, gjithnjë e më shumë kemi një krenari kombëtare dhe qytetare për bashkëjetesën fetare , po kjo krenari tejçohet edhe tek ata qytetarë që nuk janë pjesë e asnjë prej këtyre komuniteteve dhe e quajnë vetën ateistë”, deklaroi Rama.