Ngujoi familjen për 6 vjet në shtëpi/ Gjykata e Tiranës lë në burg radikalistin fetar

113
Sigal

Xherxh Laçi, 50- vjeçari dibran që u arrestua dy ditë më parë në rrugën “5 Maji”, për shkak se kishte mbajtur “peng” familjen e tij, është lënë në “arrest me burg” nga gjykata.

Prokuroria e Tiranës ka mundur të dokumentojë dëshmitë e dy fëmijëve dhe të bashkëshortes së personit që është vënë në pranga për mbajtjen nën dhunë dhe kërcënim brenda katër mureve për 6 vite.

Dëshmitë e dy familjeve, të Xherxhit dhe të bashkëshortes së tij, dy djemtë, që tashmë janë në moshë të rritur kanë treguar episode që lënë të kuptohet qartë se në çfarë gjendjeje kanë jetuar.

Prokurori ka fiksuar në dosje dëshminë e njërit prej djemve:

“Prej 3 vitesh babai i tij, Xherxh, nuk ka lejuar të dalë asnjë njeri nga shtëpia ku banonin, atë se bashku me vëllain e mitur dhe mamanë e tij. Babai i tij nuk i ka lejuar të dalin fare nga shtëpia, duke i kërcënuar se ‘ai e di më mirë, se të tjerët duan t’i vrasin, ndërsa ai ka fituar’. Që pas kthimit të Xherxhit nga Italia, ai prej 20 vitesh nuk ka punuar më dhe së fundmi ka filluar të ushtrojë më shpesh dhe fenë myslimanë. Fenë e ka praktikuar më shpesh 4 muajt e fundit, ku shkonte çdo të premte në xhaminë e Medresesë, ndërsa prej javësh e ka shkëputur nuk ka shkuar më as aty. Asnjëri prej prindërve të tij nuk punon.

Babai ishte i dhunshëm ndaj mamasë së tij, kundrejt së cilës ka ushtruar shpesh herë dhunë në sy të tyre, duke e goditur me shkop, me shuplaka me grushte, madje i ka treguar se i ka vënë edhe thikën në fyt.

Ata jetonin brenda 4 mureve pa energji elektrike, pasi ia kishin ndërprerë. Ata ushqeheshin vetëm kur i çonin ushqim dhe ua linin tek dera familjarët si xhaxhai nga Dibra, gjyshi ose daja i tij”, thuhet në dosjen hetimore.

“Babai mbante thika në shtëpi, e herë pas here kur vinte rrotull nëpër shtëpi i mbante të varura në brez”, thuhet më tej në dosje.

Një tjetër moment i dhimbshëm në dosje është rrëfimi i djalit, i cili shprehet se ëndrra e tij më e madhe ishte që t’i rikthehej jetës normale si gjithë bashkëmoshatarët e tjerë e të shkojë në shkollë dhe të bëjë një kurs për futboll. Të njëjtin qëndrim ka mbajtur dhe vëllai tjetër, i cili ka pohuar se babai i dhunonte, që kur ishin të vegjël. Po ashtu, thuhet se i vetmi person që mund të dilte pak herë nga shtëpia, ishte një prej djemve, që shkonte dhe karikonte fshehurazi një telefon që ia kishin dhënë familjarët e tyre.