Programi i qeverisjes: Nga 79 pika, vetëm 10 u përmbushën në një vit

104
Sigal

Raporti Polifakt nxjerr zbuluar dështimin e kabinetit të Rilindjes. Rezulton se qeveria në një vit ka përmbushur vetëm 10 programe, ndërkohë 54 janë në progress dhe për 15 as nuk kanë nisur ende. Performaca e ministrive lë për të dëshiruar, përpos deklaratave propagandistike, fushatat kundër korrupsionit, ekonomisë informale, reformave në sektorin e energjisë dhe shërbimeve shëndetësore mbeten premtime të paplotësuara përpara atyre që u morën votat

Realizimi i programit qeverisës 2021-2025 duket ende shumë larg realizimit në përfundim të vitit të parë qeverisës, ndonëse shumë programe kanë nisur zbatimin. Nga një monitorim i kryer nga ekipi i ekspertëve POLIFAKT rezulton se në një vit qeveria ka përmbushur vetëm 10 programe nga 79 që ka pasur në programin e saj qeverisës, ndërkohë që 54 të tjerë janë në progres dhe për 15 nuk është marrë ende ndonjë masë për fillimin e tyre.

Pas mbylljes së 365 ditëve kalendarike qeverisje, prej momentit të betimit të qeverisë te Presidenti i Republikës, ekipi i ekspertëve të POLIFAKT ka vijuar përgjatë gjithë kohës me monitorimin e performancës së përmbushjes së Programit të Qeverisë Rama 3. Matja e performancës ka vijuar të kryhet sipas metodologjisë së bërë edhe me programet e mëparshme qeverisëse dhe bazuar mbi krahasimin midis pikave të programit sipas sektorëve të qeverisjes me aktet ligjore të miratuara, vendimet dhe aktet rregullatore të Këshillit të Ministrave, si dhe të Ministrive dhe institucioneve qendrore është arritur të matet niveli i përmbushjes së programit sektorial i detajuar i Qeverisë.

Monitorimi i 79 programeve të qeverisë Rama 3

Sipas analizës së POLIFAKT rezulton se në matjen e përmbushjes së programit sipas sektorëve janë përmbushur 10 programe, apo 13% e programit qeverisës; janë në progres apo ka filluar përgatitja për 54 programe (21 programe më shumë se 100 ditë përpara), apo 68% e programit qeverisës dhe nuk kanë filluar ende, nuk janë përmbushur (për shkak të mbarimit të afatit) ose nuk ka asnjë info për fillimin e masave për 15 programe, apo 19% e programit qeverisës.

Duket se në 365 ditët e para të qeverisjes të krahasuara me nivelin e përmbushjes në 200 ditët e para ka një ndryshim të dukshëm pozitiv me 42% më shumë programe të përmbushura, 35% më shumë programe në progres zhvillimi dhe 66% më pak programe të papërmbushura”,- deklarohet në analizën e POLIFAKT.

Konkretisht, nga Sektori i Edukimit, Gruas dhe Rinisë, nga 8 programe, janë përmbushur aktualisht 2 programe dhe janë në proces përmbushje apo kanë filluar të zbatohen 6 prej tyre. Programe të përmbushura janë “Gjuha angleze do të nisë të mësohet në të gjithë shkollat e vendit që nga klasa e pare”, si dhe “Edukimi fizik do të zërë një vend më të rëndësishëm në sistemin arsimor, nga klasa e parë deri në universitet”.

Ndërkohë, programet që janë në proces dhe ende nuk janë realizuar plotësisht janë konkretisht; Në vitin 2021 vijon rikonstruktimi i 120 shkollave të reja, ku studiojnë 40 mijë nxënës më shumë; Universitete të spikatura publike të vendeve mike, të jenë integruar në sistemin e arsimit tonë të lartë publik; Universitetet tona do të njehsohen me universitete publike europiane apo të vendeve të tjera mike; Do të mbështesim çdo sinergji të plotë mes një universiteti shqiptar dhe një të huaj publik në anglisht; Libra falas për të gjithë nxënësit e arsimit para-universitar

Ndërsa sektori i shëndetësisë, nga 9 programe është përmbushur vetëm 1 program. “Në proces përmbushje apo kanë filluar të zbatohen 6 programe dhe nuk kanë filluar ende 2 programe. Ndër programet që nuk kanë ende një fillim apo nuk ka info për to janë ““I japim përparësi parandalimit të sëmundjeve të transmetueshme dhe jo të transmetueshme”, apo “Vaksinimi i popullatës kritike, personat në moshë mbi 60 vjeç dhe ata me sëmundje bashkëshoqëruese do të ketë përfunduar brenda shtator 2021”, si dhe të tjerë programe në progres ju mund t’i shikoni direkt vetë”, -thuhet në analizë.

Sektori i ekonomisë, nga 7 programe nuk është përmbushur asnjë. Sipas raportit, kanë filluar dhe janë në progres 4 programe dhe nuk kanë filluar apo nuk ka info për 3 programe. Ndër programet që nuk ka info apo nuk ka tendencë për përmbushje në 3 vitet e ardhme janë; “Rrisim të ardhurat e disponueshme me 20% deri në fund të mandatit”; “Nxitje transformimin e proceseve të prodhimit duke mbështetur blerjen e makinerive të industrisë 4.0 nëpërmjet rritjes së indeksit të amortizimit nga 20% deri në 40%” dhe “Paga mesatare bruto në rang vendi do të shkojë në 85 mijë lekë bruto”.

Sektori i Mjedisit dhe Turizmit, nga 5 programe rezulton të jetë përmbushur 1 program, konkretisht “Reduktim me synim zhdukjen të ambalazhit plastik njëpërdorimësh”. Ndërsa, 2 programe janë në progres zhvillimi apo kanë filluar të zbatohen. “Ndërkohë, 2 programe nuk kanë filluar ende apo nuk ka info për zbatim të tyre, të cilët janë; Agroturizmi do të mbështetet jo vetëm financiarisht, por edhe me harta, rrugë, infrastrukturë lokale, promovim unik dhe Paketë unike kombëtare për promovimin ndërkombëtar të destinacioneve, paketë në të cilën shteti shqiptar do të investojë 10 milionë Euro çdo vit”,- deklarohet nga POLIFAKT.

Sektori i Bujqësisë, nga 6 programe është përmbushur vetëm 1 program. “Janë në progres 3 programe dhe për 2 programe nuk kanë filluar ende nga zbatimi apo nuk ka info për to. Programi i përmbushur është ‘Lehtësi fiskale për sektorin bujqëso’, i cili ishte i kryer përpara se programi qeverisës të miratohej”,- deklarohet në raport.

Sektori i Politikës së Jashtme, nga 3 programe konstatohen se të 3 janë në progres zbatimi.

Ndërkohë Sektori i Energjisë, nga 5 programe janë në progres 2 programe dhe 3 prej tyre nuk kanë filluar ende, ose nuk ka info për zhvillime. “Por, 1 program, konkretisht ‘Bursa Shqiptare e Energjisë do të bëhet krejtësisht operacionale në shkurt të vitit 2022’, konsiderohet i papërmbushur për shkak të mbarimit të afatit të vendosur në programin qeverisës duke e konsideruar si një mundësi e munguar për efektivizimin e tregut dhe ekonomisë”, shpjegohet më tej.

Sektori i Infrastrukturës, nga 8 programe rezulton të jetë përmbushur 2 programe “Nisim brenda vitit punimet për HekurudhënTiranë-Rinas-Durrës” dhe “Ndërtimi i rrugës “Kardhiq-Delvinë”. Ndërsa, 5 programe janë në progres dhe 1 program konstatohet se ka kaluar afati i përmbushjes “28 kantiere të reja të infrastrukturës publike do të kenë përfunduar deri në pranverën e vitit 2022“.

Sektori Fiskal, nga 7 programe është përmbushur 1 program “Do të hiqet taksa mbi pagën aktuale deri në 40 mijë lekë”. Ndërsa, 4 programe janë në progres dhe 2 programe nuk kanë filluar fare, ose nuk ka info për to.

Sektori i politikave, nga 2 programe nuk ka të përmbushura asnjë prej tyre “Paketa e inovacionit dhe IT. Kostot do të rimbursohen 50% direkt dhe 50% si dyfish i tatimit të zbritshëm” dhe “Biznesi i vogël nuk do ketë më inspektor te dera, nuk do ketë më kontrolle fare, sepse gjithçka do jetë dixhitale”.

Sektori i Politikave sociale, nga 11 programe nuk kanë filluar/mospërmbushur 2 programe “Familjeve të reja do t’u ofrojmë 1 milion lekë mbështetje për pagesën fillestare dhe zbutjen e interesit për blerjen e shtëpisë” dhe “Subvencionimin me pagesë me çerdhet dhe kopshtet private, për subvencionimin e pagesës“. Janë në progres 9 programe.

Sektori i Kulturës, dhe digjitalizimi, nga 8 programe, po 8 programe janë në progres zhvillimi në faza të ndryshme, ku bonusi i rijetëzimit është nga programet më spikatëse për Kulturën, por edhe vetë qeverinë. Po kështu edhe programet për dixhitalizimin janë veçoria e zhvillimeve me tendencë pozitive, por ende të papërmbushura në aspektin e plotësimit të nevojave dhe adresimit të problematikave ende të dukshme.

Cilat ministri performuan më dobët dhe cilat më mirë?

Nëse analizojmë nivelin e përmbushjes së programeve për çdo ministri/institucion qendror kryesor shihet se disa nga ministritë kanë pasur nivele performance të vonuar ose me probleme moszbatimi. Konkretisht, sipas raportit, ministria që ka fushë veprimi sektorin e energjisë rezulton me një nivel performance 40% të programeve në procese zbatimi dhe 60% të tyre të pazbatuara apo të pafilluara duke rezultuar një ndër më problematiket në qeverinë Rama 3. Ndërkohë, ministritë që kanë fushë veprimi ekonominë dhe sipërmarrjen me një nivel proces zbatimi të programeve me 57% dhe 43% të programeve ende të pafilluara apo në performim problematik. Po ashtu, ministria që ka fushë veprimi mjedisin dhe turizmin është me një nivel performance pozitive të programeve në 20% të tyre dhe me problematika në 40% të tyre duke pasur edhe një nivel performance po 40% për programe  në zbatim.

Ministria dhe institucionet që kanë fushë veprimi infrastrukturën kanë një nivel performance pozitive për ¼ e programeve dhe problematika për 13% të tyre. Ku niveli i zbatimit të programeve në proces është 63% duke reflektuar tendencë për përmirësim të performancës në vitet në vijim. Ministria dhe institucionet, që mbulojnë bujqësinë dhe nëndegët e saj kanë një nivel përmbushje me 17% të programeve të tyre dhe33% mospërmbushje apo fillim të vonuar. Por tashmë 50% e programeve janë në proces zbatimi dhe me një performancë që mundet të kapë ritmin drejt përmbushjes së tyre”, -deklarohet më tej në raport.

Edhe Ministria e Financave, që mbulon edhe politikat fiskale ka një nivel performance me vetëm 14% përmbushje të programeve dhe 29% mosfillim apo mospërmbushje ende të programeve që duhet të kishin filluar të funksiononin. Ndërkohë, 57% e programeve janë në faza të ndryshme zbatimi dhe mbetet ende sfidë performimi i tyre. Në tërësi, kjo ministri duhet të performojë në nivele më të larta, për të qenë në institucionet që kanë nivel të lartë përmbushje, si promotor i shumë politikave të tjera sektoriale qendrore dhe vendore.

Po ashtu, Ministria e Shëndetësisë me programet sfiduese për infrastrukturën e shërbimit shëndetësor, por edhe reformimin financiar të sektorit ka një nivel përmbushje të 11% të programeve të saj, por që 67% e programeve janë tashmë në faza të evoluara të performimit dhe ka tendencën dhe treguesit për të përmbushur programet për vitet në vijim edhe pse 22% e programeve janë ende të pafilluara apo me mungesë informimi për ecuri që mund të kenë ndodhur në muajin e fundit.

Ministritë, të cilat kanë pasur nivel më të mirë performance janë ministritë që kanë fushë veprimi arsimin, gruan, rininë me 25% programe të përmbushura dhe 75% të programeve në proces zhvillimi dhe ministritë që janë të angazhuara me çështjet sociale dhe gruan dhe fëmijët me 18% programe të përmbushura dhe 82% programe në proces zbatimi. Ministria për Politikën e Jashtme, Ministria e Kulturës, Ministria e Drejtësisë dhe institucionet për pronësinë dhe legalizimet dhe digjitalizimin janë gjithashtu ndër institucionet që kanë një performancë zbatimi në faza të ndryshme për 100% të programeve të tyre, edhe pse ka ende vend për cilësinë e shërbimeve të paplotësuara dhe me problematika në pritje për t’u zgjidhur dhe përfunduar. Porta Vendore