Meta flet për protestën dhe akuzat e Ramës: Edhe socialistët po vuajnë pasojat e keqqeverisjes

91
Sigal

Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, në një konferencë me gazetarët këtë paradite, u shpreh se ka pritshmëri pozitive për protestën e paralajmëruar në 12 nëntor.

“Pritshmëritë e mia janë pozitive sepse në fushën e lojës tani kemi një opozitë të vërtetë, kjo e bën gjithçka edhe më të vërtetë dhe më të qëndrueshme. Të jemi të qartë që një pjesë e mirë e elektoratit socialist është duke vuajtur pasojat e kësaj krize dhe keqqeverisjes. Shqipëria ka pasur dhe ka çdo ditë protesta dhe do vijojë të ketë, ne e dimë që ndryshimi dhe ndodhë përmes zgjedhjeve dhe protestave”, u shpreh Meta.

Ndërkohë i pyetur se si e ka parë qëndrimin e Shqipërisë për zhvillimet e fundit në Kosovë dhe në veri të vendit, Meta tha se qeveria aktuale i ka bërë shumë dëme Kosovës përmes politikave të saj, ndërsa shtoi se ideja e Ballkanit të Hapur rezultoi se ishte një hipokrizi.

“Për fat të keq qeveria e Shqipërisë ka bërë dëme të mëdha çështjes së Kosovës për shkak të politikave të saj. Pak ditë më parë patëm një rikthim premtues të procesit të Berlinit. Ajo çfarë kemi parë kohët e fundit në Kosovës, tregon edhe një herë tjetër se trumbetat e Ballkanit të Hapur ishin një hipokrizi”.

Lidhur me akuzat e bëra ndaj tij nga kryeministri Edi Rama, teksa tha se nuk meriton të votohet një person që shanë vendin e tij në gjuhë të huaj, duke iu referuar intervistës se dhënë për mediat britanike lidhur me largimin e shqiptarëve, Meta tha se nuk ka pasur asnjë sharje.

Ai tha se ka pasur një thirrje për Edi Ramën që përgjegjësitë e tij për shpopullimin, të mos ia faturojë Britanisë.

“Aty nuk ka asnjë sharje në gjuhë të huaj, ka vetëm një ftesë për Ramën që të largojë tonet provokuese dhe të mos i vej përgjegjësitë e tij Britanisë. Kam kërkuar autoriteteve  britanike që të jenë sa më të kujdesshëm nga qytetarëve shqiptarë”, deklaroi Meta.